Cilat janë pritshmëritë në Beograd për vizitën e Vuçiç në Tiranë?
Korrespondenti i Top Channel në Beograd, Idro Seferi foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, duke thënë se në kryeqytetin serb ekziston një lloj frike edhe te qeveria që të mos flitet shumë për këtë vizitë deri sa ajo të ndodhë, ndërsa pritet të ketë më shumë interesim nga mediat serbe kur vizita të fillojë
Qeveria serbe ka lëshuar një njoftim për shtyp vetëm gjatë orëve të pasdites së të martës për vizitën e sotme të Vuçiç në Tiranë, por aty nuk kishte detaje të mëtejshme se çfarë do të diskutohet gjatë vizitës dhe cila do të jetë rëndësia e saj. Gjithashtu edhe në shtypin serb interesimi ka qenë i vogël, ndërsa i kanë kushtuar rëndësi intervistës së Kryeministrit Rama për një të përditshme serbe, i cili ka thënë se ‘duhet të jemi si Gjermania dhe Franca’.
“Koalicioni qeverisës, por edhe shoqëria civile e kanë vlerësuar vizitën si një mundësi për të treguar që marrëdhëniet në rajon janë shumë të rëndësishme”, shprehet Idro Seferi, i cili shton se priten kritika nga grupet që nuk mjaftohen as më faktin se Vuçiç i takon një rryme paksa më nacionaliste. Për këtë vizitë pritet të shihet edhe reagimi i Presidentit Nikoliç, i cili deri tani nuk ka folur.
"Nëse do të përmendet Kosova, atëherë pritet që Vuçiç të reagojë për mos njohjen e saj", shprehet korrespondenti i Top Channel në Beograd, i cili shton se në takimin mes dy kryeministrave mund të preket edhe situata e krijuar në Maqedoni.
Kryeministri serb në vizitën e tij në Tiranë do të shoqërohet nga Zorana Mihajlovic, e cila mban postin e zëvendëskryeministres në qeverinë serbe dhe ministres për Zhvillim Ekonomik.