Cili do të jetë fati i pensioneve të emigrantëve në Greqi?
Kryeministri Edi Rama bëri me dije se pas vizitës së kryeministrit italian në vendin tonë, MatteoRenzi, ka nisur bashkëbisedimi për të ngritur grupet negociatore me Italinë.
“Një vend ku numri i emigrantëve është i jashtëzakonshëm, ku negociatat janë më të vështira, por ku edhe mesazhi i bashkimit të shqiptarëve rreth vendit amë do të jetë shumë i fortë, pasi të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, për gjithë vitet që kanë punuar në Itali dhe janë rropatur në Itali do të marrin pension italian dhe për vitet që kanë punuar në Shqipëri, pjesën tjetër. Dhe mesatarja do të jetë sigurisht një pension i rëndësishëm”… “Po punohet, vijoi Kryeministri Rama, për të përfunduar aktet ligjore dhe marrëveshjet me Luksemburgun, me Hungarinë dhe me Rumaninë dhe po ecim me hapa të shpejtë… Me Kanadanë, që ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë, me Austrinë, me Çekinë dhe me Maqedoninë, gjërat janë duke shkuar drejt finalizimit”, – bëri me bije Rama. Ndërkaq, është finalizuar marrëveshja me Belgjikën, nga e cila përfitojnë 35 mijë emigrantë shqiptarë…
Për njohjen e pensioneve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi nuk mund të them se nuk është folur. Veçse është folur si “miza në qyp”. Vite më parë nga Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë dhe KostandinKaramanlis, kryeministër i Greqisë, fluturuan në efir nga salla e “Grand Bretagnia” dy slogane… Slogani i parë: "Së bashku me kryeministrin Karamanlis dhe qeveritarë të tjerë grekë diskutuam problemin e pensioneve tuaja dhe jam shumë optimist dhe kam shumë besim se në frymën e miqësisë dhe mirëkuptimit të madh që ekziston, ky problem do të shkojë drejt zgjidhjes shume shpejt. “
Slogani i dytë: "Kryeministri grek vlerësoi pozitivisht kërkesën e qeverisë shqiptare në lidhje me pensionet e emigrantëve. Ai theksoi se qeveria greke do ta shikojë me kujdes këtë kërkesë duke pranuar që emigrantët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm qoftë me punën e tyre ashtu dhe me të ardhurat në formën e sigurimeve shoqërore." Do të dëshiroja ta ktheja lexuesin edhe më parë, në takimin e Nanos me disa gazetarë në Kavuri dhe në takimin e të njëjtit personazh të politikës shqiptare me emigrantët në Divani Caravel. Do të desha ta ktheja lexuesin tek ecejaket për të njëjtin problem në sallat e pritjes, hotelet dhe darkat e shtruara nga të dërguar të qeverisë në rang ministrash, çuditërisht të gjithë ministra greqishtfolës që e kanë kapur dhe nuk e lëshojnë ministrinë e punës, përkrahjes sociale dhe emigracionit cilado parti apo koalicion partish ngjitet në pushtet, rozë apo blu qoftë. Nuk po e bëj këtë gjë sepse sloganet që do të përdorja do të ishin si dy pika uji me të njëjtën përmbajtje kimike. Personalisht nuk e kuptoj se çfarë duan të thonë pushtetarët e lartë kur deklarojnë se "diskutuam problemin e pensioneve tuaja…" apo " Kryeministri grek e vlerësoi pozitivisht kërkesën e qeverisë shqiptare në lidhje me pensionet e emigrantëve…"
Për çfarë pensionesh flitet ?
l. Për pensionet që emigrantët duhet të marrin pasi mbushin moshën dhe numrin e caktuar të ditëve të punës me siguracion në IKA, TEBE apo OGA?
2. Për pensionin që emigrantët duhet të marrin nëpërmjet mbledhjes së viteve të punës në Greqi dhe transferimin e tyre duke ia bashkangjitur viteve të punës në Shqipëri?
3. Për pensionin që emigrantët duhet të marrin nëpërmjet mbledhjes së viteve të punës në Shqipëri dhe transferimin e tyre duke ia bashkangjitur viteve të punës në Greqi?
Në qoftë se flitet për këto atëherë duhet paraprakisht të flitet për vlera të ndërsjella të shprehura në miliona apo miliarda euro, shuma që as Greqia në krizë dhe as Shqipëria në “lulëzim” nuk i kanë.
Mbase kjo është ajo që shteti ynë, blu dje dhe rozë sot, nuk i fryjnë fanfarës së pensioneve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi. Cipras thonë se ka hedhë fjalën se të gjithë (edhe mërgimtarët) do të marrin pension për aq sa kanë punuar, pa dallim…Mbase kjo i ngushëllon sadopak mërgimtarët e mbetur “As ke Hapa, as ke Hupa”…
Abdurahim Ashiku