Cili është problemi i vërtetë i Halim Kosovës

 

Nga Skënder Minxhozi

Në këto orë ka një debat llogoresh elektorale, në lidhje me dokumentacionin që disponon klinika private e kandidatit demokrat Halim Kosova. Pala akuzuese, shtabi elektoral i Erion Veliajt, pretendon se ndërtimi ka qenë për shumë vite pa leje dhe se është paisur me një të tillë vetëm tani vonë. Pra, thënë ndryshe, Halim Kosova është pasuruar duke ushtruar profesionin në një godinë “pa letra” dhe se sot ai nuk duhet të ketë moralin që të kërkojë mandatin në Tiranë dhe të premtojë zbatim ligji për ndërtimet në kryeqytet.

Që të debatohet për bizneset private të kandidatëve në një garë elektorale, është mëse normale. Në Europë dhe SHBA rekordet financiare dhe pronat e kandidtëve janë gjahu më i zakonshem i shtypit dhe i kundërshtarëve politikë. Nëse Erion Veliaj ngacmohet gjithandej për shpenzimet e dasmës së tij, është e kuptueshme që edhe Halim Kosova do të ngacmohet për ligjshmërinë e biznesit të tij jo të vogël.

Por kur flitet për klinikën gjinekologjike të doktor Kosovës, problemi nuk është edhe aq tek “letrat” që ajo i ka ose jo konform ligjit, por tek një moment tjetër për të cilin nuk po diskutohet thuajse fare. Shqipëria është e mbytur me ndërtime jo konform ligjit. Problemi i vërtetë është diku tjetër. Halim Kosova ka qenë drejtor i maternitetit shtetëror për shumë kohë. Ai ka qenë gjithashtu, për pak muaj, edhe ministër i shëndetësisë në qeverinë e fundit Berisha. Në çdo cep të botës, ku respektohet minimalisht standarti demokratik dhe meritokracia, kjo rrethanë do të ishte thjesht asgjesuese për cilindo që do të pretendonte t’i kryente të dyja njëherësh: edhe biznesin privat, edhe funksionin zyrtar.

Halim Kosova ka pasur për shumë vite me rradhë, një konflikt interesi të madh sa klinika e tij pesëkatëshe, për të cilin askush nuk i ka kërkuar ndonjëherë llogari dhe për të cilin nuk k edhe sot një debat serioz në fushatë. Ai ka qenë dhe është një ndër mjekët më seriozë dhe të përkushtuar në zanatin e tij, por kurrsesi, edhe me të gjitha këto merita, nuk duhet të kishte marrë në dorë drejtimin e maternitetit ose ministrinë e shëndetësisë.

Nuk mund të kesh klinikë private gjinekologjike dhe të drejtosh njëherësh edhe institucionin kryesor të lindjeve në kryeqytet. Nuk mund të jesh zotërues i një biznesi milionësh në fushën e mjekësisë, e të jesh njëherësh edhe ministër shëndetësie. Pa bërë asnjë paralelizëm me zotin Kosova, në parim kjo do të thotë t’i varësh ujkut mëlçitë! Ky është problemi i klinikës së zotit Kosova, me atë që zoti Kosova ka qenë dhe është në jetën publike dhe në aktivitetin politik.

Javanews.al

SHKARKO APP