Çipa nga protesta e gazetarëve: AMA, si agjenci censure! Nëse paketa kalon, do t’i drejtohemi…

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, i është bashkuar protestës së gazetarëve para Kuvendit kundër paketës anti-shpifje të qeverisë, që pritet të kalojë sot në Kuvend.

Duke folur për gazetarin e “News24” dhe “BalkanWeb”, Osman Stafa, Çipa tha se ligji është konceptuar në mënyrë të gabuar, pasi sipas tij, Autoriteti i Mediave Audiovizive do të funksionojë si një agjenci censure.

“Mënyra si është konceptuar ky ligj është e gabuar, sepse vetë mënyra si do funksionojë AMA nuk ka gjë tjetër veçse si e një agjencie censure. Penalitetet edhe në masën financiare janë drastike, të papërballueshme të gazetarëve.

Kapacitete e tyre janë të pamjaftueshme. Ka dhe një gjë tjetër të shpërfilljes së lirisë së shprehjes. Mënyra si do merret masa nga AMA dhe kalimi menjëherë te sekuestrimi përmes përmbarimit, patjetër personi i prekur do ta çojë në gjykatë. Shpërfillja për t’iu drejtuar gjykatës është cënim i lirisë”, tha ai.

Ndërsa pyetjes se cili do të jetë hapi i radhës i gazetarëve, nëse paketa kalon, kreu i UGSH i është përgjigjur “Ne do t’i konsumojmë të gjitha mundësitë tona. Do t’i drejtohemi Presidentit për të mos e dekretuar. Jemi në diskutime me ndërkombëtarët, kemi reagime të shumta. Do të bashkohet solidariteti i organizatave më të rëndësishme në botë, një rrjet i Helsinkit është bërë në unitet me ne për zhbërjen e disa çrregullimeve, që vihen re në draftin që pritet të kalojë sot”.

Aleksandër Çipa flet nga protesta e gazetarëve: AMA do funksionojë si agjenci censure!

SHKARKO APP