COVID-19/ Agjencia Europiane e Barnave miraton vaksinën e parë
Agjencia Europiane e Barnave miratoi në Amsterdam vaksinën e krijuar nga Pfizer dhe Biontech.
Tashmë vendet anëtare të Bashkimit Europian do të mund të përdorin vakisnën kundër COVID-19. Bëhet fjalë për vaksinën e parë kundër COVID-19 që autorizohet për përdorim emergjent në vendet e Bashkimit Europian.
Ky vendim vjen një javë pasi rregullatorët e Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Zvicrës miratuan përdorimin emergjent dhe nisjen e fushatave të imunizimit masiv. Vaksinimi, fillimisht i stafit mjekësor dhe të moshuarve, po bëhet në mënyrë vullnetare dhe falas në këto shtete.
Pas këtij vendimi, imunizimi i qytetarëve ndaj Covid-19 në vendet anëtare të BE-së do të nisë nga 27 dhjetori. Brukseli u ka bërë thirrje 27 shteteve të bllokut që të bëjnë gati planet dhe infrastrukturën për fushatat e vaksinimit.