Ç’recetë lëshon mjeku e ç’bar jep farmacia
FEJTON/ Nga Hyskë Borobojka –
Kur u ngrita në mëngjes ndjeja një dhembje të fortë të syve, aq sa kujtoja se do të me dilnin kokërdhokët e tyre jashtë. Kur më pa në atë gjendje nikoqirja ime, u tromaks e më tha:
-O burra te okulisti!
Nuk e zgjata dhe trokita në derën e klinikës të një mjeku të dëgjuar për sytë.
-Doktor! – i thashë, sapo hyra në derën e klinikës së tij. – Më bëj derman se në shtëpi më duken dy gra. Të lutem, hiqma njërën, se s’ia dal dot me një e jo të kem dy shemra në shtëpi!
Të them të drejtën, ai ishte nga ata shëronjës, që ia bëjnë hyzmetin profesionit. Nuk ishte si doktor Adhamudhi i Çajupit, që thoshte: “Të dhemb një sy, krreje të shpëtojë tjetri!?”. Më vizitoi mbarë e prapë dhe u ul e mbushi recetën për barin e duhur.
-Me këtë ilaç që po të jap, sytë tënd do të kthehen në origjinë,!- më tha, duke më sqaruar edhe për përdorimin e tij..
Pastaj, me një barrë mirësjelljeje, më përcolli deri jashtë derës dhe s’harroi të më këshillonte, që ilaçin ta merrja në të vetmen farmaci të qytetit, që tregtonte barna të zgjedhura me cilësi të lartë shërimi. Madje më tregoi ku e kishte “limerë”. Më udhëzoi të vazhdoja rrugën drejt, pastaj të kthehesha nga e djathta. Pasi të bëja njëqind hapa të kthehesha nga e majta dhe do të shihja një kryq të madh me drita dhe sipër tij tabelën “Farmaci”. Të mos zgjatem e gjeta farmacinë e rekomanduar.
-Zonja farmaciste!- i thashë zonjës që rinte prapa xhamit të banakut.
-Jam gruaja e tij!- m’u përgjigj duke marrë në dorë recetën e mjekut.
-Deri sa është gruaja e tij ç’ne ka bashkëjetuar në një çati me të, do të jetë specializuar edhe ajo për këtë profesion. Nuk thonë kot: “Me qorrin të flesh, çakërr do të gdhihesh!” – thashë me vete. Gruaja e tij, si e pa recetën mbarë e prapë, nxori celularin e mori në telefon, si duket të shoqin. Se ç’i tha ai në kufje, nuk dëgjova gjë. Po ajo mori nga rafti një tubet e ma dha. I gëzuar shkova në shtëpi e zbatova udhëzimin e mjekut, që më vizitoi. Kësaj radhe rashë nga shiu në breshër. Nuk po më dukeshin dy gra, por tri… Nikoqirja, kur pa se ilaçi që më dha mjeku, në vend të m’i shëronte sytë, m’i damllosi më keq, më mori për krahu e drejt e brenda në klinikën e tij, pa trokitur.
-Ç’është ky ilaç, more ditëzi, që i dhe burrit tim! – i bërtiti sa mundi e ia lëshoi në dorë tubetin që më dha gruaja e farmacistit.
Okulisti, vuri në samarin e hundës syzet me skelet të verdhë e i tha:
-Moj zonjë e nderuar, unë i dhashë “Tetran”, që përdoret për të shëruar skuqjen e syve, ndërsa yt shoq vete merr “Tetraciklinë”, që shërben për mjekimin e plagëve… Prisni t’u jap një bar tjetër, që të riparohet dëmtimi i syve!- tha dhe u ul e shkroi në recetë me germa kapitale “Korneser”.
-Të shkojmë t’ia tregojmë qejfin gruas së farmacistit, që na dha tubetin e “Tetraciklinës” në vend të “Tetranit”, që gati na bëri hatanë.- më urdhëroi nikoqirja ime.
Sa shkuam atje, por kësaj here nuk ishte ajo, por vetë farmacisti.
-Ç’na bëre, more ditëshkurtër, gati na more më qafë! Të ma linje tim shoq të verbër, pa sytë e ballit!
– Të lutem shumë zonjë, mbaje gojën. Duhet ta dish se unë s’jam dosido, por farmacist me shkollë të lartë e stazh të gjatë në këtë zanat dhe as kam bërë e as do të bëj ndonjëherë hajvanllëqe të tilla. Tubetin s’e ke marrë tek unë, po te komshiu im, se farmacitë tona s’i ndajnë as tri metra nga njëra -tjetra!
I ziu njeri zihet ngushtë. Edhe pse isha i sigurt se aty e kisha marrë, fillova të dyshoja në veten time. E mora gruan për krahu e shkuam në farmacinë fqinjë. Sa i thashë këtij se më ke ngatërruar recetën e mjekut e në vend të më jepje “Tetranin” për skuqjen e syve më dhe “Tetraciklinë” për mjekimin e plagëve!? Ai u tërbua e më shfryri:
-Ç’më thua, more bilmes! S’të kam parë kurrë në derë të farmacisë time. Kush ta paska mbushur mendjen se ta kam dhënë unë këtë palo tubet?
-Komshiu yt, tre hapa më tej!
Kur dëgjoi këtë emër gati u tërbua. Si duket shikonin me njëri -tjetrin si kau me kalin në grazhd… Më fshiu për krahu, sikur të më kishte zënë rob në luftë dhe më shpuri te farmacia tjetër. Sa arritëm te dera, filloi t’i bërtiste sa merrte zë rruga:
-Lajthitjet e tua kërkon të m’i shesësh mua, që më njeh cili jam, jo vetëm i gjithë qyteti, por edhe fshati!
Jo e di, jo s’e di, njëri i ditur, tjetri i zgjuar, njëri dinte t’i lexonte si duhej recetat e mjekëve e tjetri s’merrte pykë fare e i lëçiste për senet. Se njëri barnat në farmacinë e tij i dinte në majë të gishtave e tjetri ishte analfabet me shkollë apo kishte bërë ndonjë kurs si ai gjashtëmujor te Plepat e Durrësit për gjykatës, prokurorë, avokatë e noterë, aq sa të kujtonin filmin “Kapedani” kur ky i thoshte xha Beqos: “Me cilin sy e pe ti, me atë me xham apo me atë pa xham?!”
Si u grindën e u shanë një copë herë me njëri- tjetrin, aq sa u mblodhën gjithë ata njerëz për të bërë sehir, në fund i shtruan gjakrat e na thanë:
-Do ta keni marrë tubetin e “Tetraciklinës” në vend të “Tetranit” te kjo palo farmaci!
Dhe na treguan një si biçim farmacie, që ishte hapur në katin e parë të një shtëpi, përballë tyre.
-More zotërinj të nderuar! – u tha nikoqirja ime, që i njeh “nomet” (ligjet) në majë të gishtave, më mirë se ata që i kanë hartuar e kanë harruar t’i zbatojnë. – Pse nuk zbatoni ligjin që njëra farmaci nga tjetra duhet të jetë njëqind metra larg?
Të dy farmacistët u përgjigjën me një gojë:
-Deri sa ka një “Qendër Kombëtare“, që na jep licenca me firmë e vulë pa pyetur ligjin, pse mos i hapim pas dëshirës si të na teket. Ashtu siç ka bërë ai atje tej, që prishi murin e shtëpisë të katit të parë e vendosi sipër derës tabelën “Faryoc” në gjuhë të huaj, që ta lexojnë e ta marrin vesh, jo vetëm “Qendra Kombëtare”, që lëshon licencat, por edhe vizitorët e klientët që nuk dinë shqip.