Çuçi: PS të qeverisë vetë, jo më presione që mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë
Drejtuesi politik i qarkut Gjirokastër, Bledi Çuçi vijoi takimet elektorale në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër. Z. Çuçi së bashku me kandidatin tjetër Flamur Golemi u prezantuan qytetarëve gjirokastritë reformat kyçe të ndërmarra nga qeveria Rama dhe projektet e zbatuara prej saj. Z.Çuçi mbajti në vëmendje të veçantë realizimin e projektit të Rilindjes Urbane, nga e cila në 44 muaj në këtë qytet janë investuar 40 milionë euro dhe kjo ”as për kapriço dhe as për makjazh, porn ë funksion të ndërtimit të së ardhmes së Gjirokastrës”, nënvizoi ai. Z.Çuçi u shpreh se premtimi i socialistëve për mandatin e ardhshëm, është të shndërrojë qytetin në destinacionin kryesor turistik të shqiptarëve.
“Vetëm në 44 muaj kemi bërë të mundur që t’i japim dinjitet të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Kjo ka ndodhur edhe me Gjirokastrën e dashur. Në 44 muaj në Gjirokastër janë investuar 40 milionë euro në infrastrukturën urbane të rilindjes së Gjirokastrës. E gjithë kjo nuk është një kapriço, as makjazh. Është në funksion të ngritjes së të ardhmes sonë. Premtimi ynë është që në 4 vjet Gjirokastra do kthehet në destinacionin numër 1 turistik të Shqipërisë dhe Korça do ta ketë lakmi këtë qytet, sepse ka shumë më tepër burime, resurse këtu për të ndërtuar një gjë të tillë”, theksoi ai.
Për realizimin e këtij projekti dhe një seri të tjerash në këtë qytet, z.Çuçi deklaroi se është jetike dhënia e besimit për një qeverisje të vetme të PS, për të ndalur çdo formë presioni që mban peng qeverisjen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
“Sot më në fund ka një shpresë dhe një besim, kjo shpresë është PS dhe Edi Rama Kryeminsitër ndaj po u kërkojmë shqiptarëve një mandat qeverisë të vetëm, ashtu siç dimë ne të qeverisim, fuqinë transformuese të 44 muajve do ta ndjeni 5 fish nëse i besoni Edi Ramës dhe vetëm PS të qeverisë, pa patur nevojë për asnjë forcë politike që ushtron presion dhe mban peng jo vetëm qeverisjen, por edhe të ardhmen tuaj”, deklaroi ai.
Ndërkohë, numri 1 i listës së Gjirokastrës, së bashku me dy kandidatët e tjerë për deputetë, Lart Duraj dhe Matlida Çela dhe kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi ishin edhe në njësinë administrative Lopes, në fshatin Sinanaj, Tepelenë. Z.Çuçi premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm, do të behet i mundur realizimi i aksit rrugor që lidh Dukajn me Sinanajn, një nga kërkesat kryesore të banorëve te kësaj zone.
“Rruga nuk është një ëndërr më. Ky 4 vjeçar është 4 vjeçari që rruga do behet pa diskutim deri në Sinanaj”, premtoi z.Çuçi.