Dajë Lomi dhe “Tirona”

Nga Skifter Këlliçi –

Dajë Lomi i dha me kazmë goditjen e fundit një zgërbonje të kalbur rrapi, në qoshe të kodrës, ku kishte shtëpinë dhe ndërsa e pa të vithisej me rrapëllimë të potershme për tokë, mbeti i zgërlaqur, kur poshtë rrënjëve të mbështjella më dhe’ të ngjeshur dhe të lagësht, pikasi një arkë prej druri, thuajse të kalbur, si vetë trungu madhosh. Nga poshtë kapakut të shqyer ta arkës sytë iu lëbyrën nga vezullimi i larushitur i ca xhixhave , nga ato me të cilat luanin kalamaqërit e katundit.

Dajë Lomit do t’i kishte luajtur tepeleku i kokës, sikur ato xhixha të ishin verdhushka ose, si u themi ndryshe, napolona flori!.. Ndaj, u hodh pranë arkës dhe duke prekur me dorë xhixhat, ndërmendi gastaret e gotave që kishte thyer pa dashje kur kishte qenë kërthi, copërat e të cilave, që të mos i shihte babai, i mblidhte dhe i fshihte gjyshja, që të shpëtonte kësisoj nga ndonjë dackë e tij në surrat, në mos në ndonjë vend të keq. Namëta, nuk arrinte të kuptonte se cili kishte qenë ai i krisur që kishte fshehur poshtë rrënjëve të atij trungu rrapi atë arkë të mbushur dinga me xhixha çiliminjsh!.. Kaq e humbi toruan i gjori Lom, sa nuk vuri re që pranë tij tashmë ndodhej i nipi, goxha djalë 25-vjeçar, që ashtu si ai pak më parë, u hodh pranë arkës dhe, duke marrë me grushte ato xhixha, shqeu sytë sa një filxhan, dhe tejet i gazmendur, bërbëliti:

-Po këta qenkan dia…dia..ma…ma…ntë, dajë Lomi!..

Me këtë rast duhet t’u ftillojmë lëçitësve të këtyre radhëve, se dajë Lomi, goxha burrë , mbi 70 e kusur vjeç, nuk kishte hiç fare haber nga diamantet, nëse përjashtojmë paketat me cigare që quheshin me këtë emër, të cilat i tymoste me shumë qejf, dhe se kishte mbetur disi larg nga dynjallëku, edhe pse fshati, ku banonte, nuk ishte veçse një vrap pele nga Tirana. Por se c‘ishte topkëmba, pra futbolli, skuadrat shqiptare po e po, por edhe skuadrat e “mdhoja” të Europës, këto dajë Lomi i dinte ezberce. Veç këtyre, njihte jo vetëm me llagap, por edhe nënë e babë e kushërinj të parë e të dytë, gjithë ata që quheshin yje futbolli, që nga Peleja i kohës së qepës dhe deri të Mesi, Ronaldo e soji e sorollopi i ditëve tona. Po edhe ca italiance dinte dajë Lomi, se kishte goxha vjet që bukën ua kishte dhënë kalamajve me ca gjizë e presh, vetëm e vetëm që të kursente sa më shumë para dhe të blinte atë kutinë me pasqyrë, që quhej televizor.

S’do mend se nipi, cun i kënduar, kur pa se pas fjalës “diamante” që i shpërtheu me aq vrullimë që thellë mushkërive, daja i vet mbeti di guak, zuri t’i shkoqiste se ato që ai i quakërka xhixha, ishin gurë shumë – shumë të vyer, se një kokërr e vogël syresh kushtonte sa qimet e kokës, ndërsa e tërë arka , duke marrë parasysh se nga ato… xhixhat, kishte të mëdha edhe sa një kokërr e zakonshme patateje , kushtonte aq sa ai të shtinte nën sqetull edhe malin e Dajtit për karshi.

Dhe kur nipi vuri re gjithashtu se në cep të kapakut të arkës ishte shkruar rrumbullak viti 1870 dhe ca fjalë turqisht , vijoi t’i shkoqiste dajës se ai që e kishte fshehur atë arkë të bekuar, mund të paskësh qenë ndonjë nga ushtarakët e lartë turq. Me sa dukej, me ushtri sulltanore kishte marrë hyxhym deri në Afrikë, ku kishte miniera nga ku u gërryekëshin këta gurë kaq të çmuar, kishte zhvatur, një zot e di se si, plot syresh, i kishte kallur në atë arkë e paskëtaj po me tabore sulltanore ishte vërsulur poshtë e përpjetë viseve të Shqipërisë dhe e kishte ndarë mendjen ta varroste arkën e bekuar mu te zgërbonja e këtij rrapi, me gjasë se një ditë do ta nxirrte së andejmi dhe do ta merrte me vete. Dhe pas më shumë se 150 vjetësh, meqë ai gjeneral nafakëzi kishte ngritur potkonjtë me vakt dhe me kohë nga dielli, s’do mend as kalem që zotëruesi i këtij thesari përrallor nuk mund të ishte askush tjetër, veçse… dajë Lomi, dora vetë.

Kësisoj, sa të hapësh e mbyllësh sytë, ai ishte bërë zengjini më i madh i Shqipërisë dhe ndër zengjinët më të mëdhenj të Europës! Bash si Edmond Dantesi i romanit “Konti i Monte Kristos” të Dymait, që pas porosisë së abatit Faria, para se të jepte shpirt, kishte marrë arratinë nga burgu, dhe kishte gjetur atë arkë plot diamante e florinj në atë ishull, me të njëjtin emër të romanit. Merret me mend sa u gëzua dajë Lomi, kur dëgjoi rrëfimin e nipit ! Por ai ishte njeri havarda dhe pasuria nuk i hynte shumë në sy. Si mori e dha me të, duke u zotuar se, doemos , sefte do të seliste shtëpi e katandi për vete, sojin edhe më të largët dhe të tërë fshatin, se do t’i jepte qeverisë para pa hesap që të ngrinte çerdhe, kopshte, spitale për të varfrit, dajë Lomi bloi me vete dhe diçka tjetër që lidhej me sevdanë e tij të madhe, për topkëmbën: Ta bënte “Tironën” e tij të zemrës skuadër sa më të fortë që ashtu si, “Barcelona”, “Reali”, “Bajerni”, “Mancester Junajtedi”, “Milani”, “Celsi”… të fitonte edhe atë që quhej Liga e Kampionëve, dhe së fundi ta bënte të parën e rruzullit tokësor! “Sot këto me demek skuadra, – kuturisi e tha ai,- janë bërë të hatashme prej atyre qerrata presidentëve pasunarë që zgjidhin thasët dhe derdhin sish lumenj me pare për me ble lojtarët më të mirë në cdo qoshe të botës, edhe sikur në firifistun t’u gjëndkeshin. Pra, me kombe të huaja…Kështu kom për të bo ene una!”

Dhe një të thënë dhe një të bërë. …Në një nga restorantet më luksoze të Napolit na u futën dy burra të veshur tepdil. Ishin dajë Lomi, i cili kishte lënë qeleshen që nuk e ndante kurrë nga toçi i kaptinës dhe kishte venë mbi të një kapele republikë. Bri tij ishte nipi. Ta pret mendja që i pari e ndjente veten ligsht me atë xhaketë, jelek, pantallona, këpucë lustrafini, të tëra të zeza, fringo të reja, dhe me papijon, që i dukej se po i zinte frymën. Kurse i dyti, pra nipi, ndjehej dy gisht mbi vezir nën ato rroba, që të gjitha bajagi të kushtueshme. Po pyeste dajë Lomi për to? Rrofshin diamantet!!…  Në sallë kumbonte zëri i Karuzos, këtij këngëtari kaq në zë prej naive napolitane, që po këndonte “O sole mion” e famshme, kurse dajë Lomit gërvallte me vete atë këngën “Ulu or mol, të dali hona”, që ia merrte me shokë, para faqoreve me raki përpara, buzë atij rrapit të famshëm, i cili e kishte nxjerrë në selamet. Pranë një tryeze ishte ulur një riosh i sojmë, që tërë lezet po mbllaçitej mbi ca pjata me turli gjellësh, ndërsa për çdo të pa pritur i rrinin mbi kokë dy  bodigardë zdapa. Ky na ishte argjentinasi Iguain, topçiu i lemerishëm që deri atëherë kishte shpartalluar rrjetat e sa e sa skuadrave. Habitërisht, me të pikasur dajë Lomin me nip, Iguaini zulmëmadh brofi si me sustë më këmbë dhe iu afrua tërë drojë të dyve, gjë të cilën nuk do të

begeniste ta bënte as për presidentin e tij, De Laurentis.“Pra, do të më jepkëshit 20 milionë euro në…në vit, zoti Lom?”, – bërbliti Iguaini dhe një nënqeshje frikashe iu var në buzë. “Nuk e luan as topi, bile me pare në dorë ” -ia ktheu pa e prishur terezinë Lomi, me italiançen e tij tironce.(Kuptohet vetiu se e kishte paraqitur veten se ishte presidenti i Sport Klub “Tironës”). Pa një dhe pa dy dhe madje turravrap, të tre u sulën nga limuzina e dajë Lomit, dhe, sa të hapësh e mbyllësh sytë, ia behën në zyrën e De Laurentisit. Me t’i parë, edhe ai si ai si topkëmbësi i njohur argjentinas, brofi si me sustë më këmbë, por nga kolltuku i tij hijerëndë, duke u rrekur të shfaqej para tyre edhe më hijerëndë, sidoqë vinte ca i unjtër nga shtati.

Pamja e nuritur e fytyrës së Iguanit i la të kuptonte se gjithçka kishte shkuar vaj. Mirëpo, siç ndodh në pazare “me jep kaq e aq”, pasi i hodhi Lomit një vështrim  të pjerrtë, i kumtoi me zë rëndësor:” Ndërrova mendje, sinjor Lom presidenti. Iguanin ta jap teslim në dorë, por jo për 100 milionë, por për 120 monedha të kësillojshme”. Nipit i Lomit i hipën kacabunjtë në kokë e desh ta mbulonte me të shara këtë  De Laurentis, që si dhe babai i tij, ishte edhe ai filmbërës i filmave, ku kishin luajtur edhe Xhina Lolobrixhida e Sofie Loreni me nam!.. Dhe kishte hak, po të  marrim parasysh se edhe për të magjishmin Mesi, pazari nuk kishte kapur këtë  shifër kaq marramendëse. Mirëpo mbeti i stapitur, kur daja i tij shpërvoli buzët dhe miradijshëm ia priti këtij filmbërësi cartabesë: “130 milionë le të bëhen, sinjor de Laurentis!”.

Pas këtyre fjalëve që dolën pa teklif nga goja e dajë Lomit, tërë ky goxha  pasunar përballë të cilit, kur ai prekte mjekrën thinjoshe alla Lenin, dridhej si purteka cilido aty rrotull, u përkul puthadorisht para kinse bosit të “Tironës”. Dhe jo më kot, sepse me këtë pazar prej 130 milionë eurosh, në vend të Iguainit do të fuste në kllapë tre-katër lojtarë të tjerë dhe do t’i lante duart me të  vetmin italian, që kishte në skuadër, me Insinjën, që na qenkej dhe napolitan. Do të krijonte kështu dhe ai një “skuadron”, siç e quanin italianët, me tërë lojtarë të huaj, mu si “Interi” i atij bosit indonezian, Thohir, të cilit ia kishte lëshuar vendin Morati, mbretit italian të vajgurit, që na e kishte pasur edhe shemër .

…Dajë Lomi bashkë me nipin ishin tani në Madrid dhe po u ngjiteshin shkallëve të rrokaqiellit, ku ndodheshin zyrat e “Realit” legjendar, që të piqeshin sa më shpejt me bosin e tij multimiliarder, Peres,me te cilin kishin lënë një “appuntamento cordiale”. Befas nga pas dëgjuan një zë gati përqarës, por edhe e britmarak: “Senior Lomi, prego, senior Lomi!…”.Të dy kthyen vrikthi kryet dhe mbetën të shkordhur kur mes hallkut panë se ai që lëshonte nga buzët këto britma fatgremisura, nuk ishte askush tjetër, veçse i madhërishmi Kristiano Ronaldo, me kokën që, si nga hera, rrëzëllente nga brilantina plot erëmim të mirakanshëm dhe pas tij me pamje të ukubetshme vunë re edhe franko-marokenin Benzema, uellsianin Beil, pra tërë vijën e parë të hyxhymit realmadridas. E, si të mos mjaftuekëshe kjo, prapa tyre edhe ata që lodronin aq gazmorisht si pehlivanë në mesfushën e jeshilosur të stadiumeve – kolombianin Hames, gjermanin Kros dhe atë brazilianin kacurrelas e mëngjëras, Marcelon, që të bënte zap në istikamet e difezës së pakulueshme madrilene. Edhe ata gati sa nuk u përkulën me oborrësi para tij. Edhe ata plot përgjërim zunë t’i luteshin që t’i blente, duke iu zotuar se do të jepnin shpirtin, deri në frymën e fundit, ose edhe do të derdhnin edhe pikën e mbrame të gjakut për “Tironën” e tyre,

tashmë më e shtrenjta e të shtrenjtave për ata. (Shkurt, molloisën me ato broçkulla që kishin nxjerrë nga goja për cdo klub ku ishin shitur për para pa hesap).. Dhe, meqë ishte fjala për të tilla para, bash ai Ronaldo, nazemadh e rrahagjoks , iu lëpi Lom presidentit që brenda mundësive të paguhej… 30 milionë euro në muaj, pra 10 më shumë se Iguaini, sepse, ta pret kaplloqja, ishte daha më i mirë se ky argjentinas!.. Ndërkohë Benzema caprashiti me përunjësi se kënaqej me 25 milionë euro në vit, kurse ata të tjerët që e morën llafin, modestisht e mbajtën pazarin te kufiri i 20 milionëve në muaj…I dëgjoi ata me nge dajë Lomi dhe nuk u prishi… Kësisoj të tërë, tejet zemërgalduar dhe tok me Lomin e nipin e tij, ia mbathën në zyrën e Peresit. Ai mbeti i lebetitur dhe sa nuk shkalloi kur dëgjoi nga goja e tyre se ç’kishin bitisur. Atbotë shpërtheu në gulçima të mynxyrshme e dergjeplote dhe plot temenara u përunj para këtyre topkëmbsave lavdisjellës dhe u betua dhe stërbetua se do t’u rriste rrogat tri fish, veç të mos e braktisnin. Por president Lomi me shikimin e tij hokatar, ia uli gjakrat nipit që zhgarrepste sytë, kur shihte se presidenti spanjoll zuri t’i kanosej me shifra të tilla astronomike. Mirëpo, shto Peresi shifrat, shto edhe Lomi!.. Por kur presidenti tironas ligjëroi solemnisht se të tërë atyre topkëmbësave do t’u rriste rrogat pesë fish, me fjalë të tjera Ronaldo do  të paguhej 50 milionë euro në muaj, Peres zavalli u dorëzua dhe veç kur papritmas u plandos gjerë e gjatë mbi sixhadenë pesë gisht të trashë persiane që stoliste zyrën e tij. Nuk mjaftoi kjo, por ia plasi me kuje vajit, ndërsa lotë përvëlakë i teptisnin faqeve të thekëruara. Dhe në atë derexhe sa do t’i prekte telat e zemrës edhe luanit më mizor, sepse e kuptoi se armata e tij e pathyeshme po shpartallohej keqas!.. Por, sidoqë i telendisur, u rrek ta ngushëllonte veten, kur u kujtua se pak më parë i kishte ardhur një letër nga presidenti i

Konfederatës Ndërplanetare të Futbollit , një bicim si UEFA ose FIFA, ku bënin pjesë skuadra të klubeve të planetëve Mars, Neptun, Pluton… bile të pjesës së prapme të… Diellit që, çuditërisht na qenkej e banueshme nga frymorë jashtëtokësoras, letër në të cilën ai president i xhymertshëm i shqipëllonte se mund t’i blatonte plot e plot futbollistë, pra falas, të cilët ishin daha më të mirë se Ronaldo e Mesi me shokë… … Kur të lartpërmendurit kishin dalë nga zyra e presidentit madridas bjerrafat, të cilin pas këtyre ngjarjeve gjëmëmadhe po e shpinin me vig në spital, Lom presidenti dhe nipi i vet për pak nuk shqyen sytë sa një filxhan, kur panë se mu në buzë të shkallëve të rrokaqiellit u ndal një… helikopter dhe prej tij rrakapjekthi zbritën argjentinasi Mesi, braziliani Neimar, uruguaiani Suares, me një fjalë, treshja hirplote e yryshit të “Barcelonës” e pas tyre edhe Iniesta, magjistari i mesfushës së kësaj skuadre, dhe ca më pas Pikeja gjataman dhe shkurtiqi vocërrak Alba , por që, si i pari, bënte të madhe punë në llogoret e mbrojtjes barcelonase. Dhe pas tyre, presidenti Bartomeu që po u ngjitej shkallëve këmbadoras e këlthiste me zë qaravitës: “Ndaluni, more se dhe unë do t’jua pesëfishoj rrogat!”… Lom presidenti, duke i rënë në të se përse po i suleshin ngutas këta sokola të azdisur, nuk priti që Bartomeu t’i jepte fund këtyre klithmave dëshpërimtare, dhe me italiançen e tij lëshoi vikamën: “Ju lumtë çuna, të tërë keni hallall dhjetëfishin e rrogave që merrni nga zotnia juaj!”. Ata e kuptuan që ç’ke me atë punë këtë italiançe, se paraja s’ka gjuhë, ndaj brohoritën dhe e tërë shend ngritën në hava atë , që po sajonte “Tironën” e re. …Dhe ja, ndërsa ndodheshin në një nga hotelet me nam të Madridit, papritmas, kur po përpiqej të lidhej me skajp me shokë te vet, nipi pa në ekran suedezin me origjinë boshnjake, Ibrahimoviç, dhe brazilianin Tiago Silva, po aq në zë sa ai. Ibra, që e thante italishten, se kishte luajtur me “Juven” dhe pastaj “Interin” me paha aq të madhe, i kumtoi se ata të dy kishin dëshirë të flaktë që të bashkoheshin “Tironën”, por me kusht që të paguheshin sa Mesi me shokë. “Punë e bitisun,”-ia priti Lomi. “Kurrëë!..”-u dëgjua një zë krakaritës dhe pastaj në ekran u pa koka e një arabi mustaqo-mjekërosh. Ishte presidenti i San Zhermenit Al-Khelafi, nga Katari. Por Ibra me dell ballkanas, i këputi një alamet grushti, sa e degdisi atë poshtë një divani të dhomës e nuk bëzani më…Nuk mjaftoi kjo, por në ekran u duk edhe koka e Murinjos që me lot e qurra iu lut Lom presidentit ta merrte trajner, por ky i fundit ia preu drutë shkurt, se nuk e zinte për bishti këtë mendjemadh, pa terbiet, që e kishte dëbuar “Çelsi” dhe se për këtë ofiq kishte zgjedhur italianin babaxhan, Anceloti .

Më pas nipi i Lomit pa në ekran të kompjuterit plot e plot e-maile që vinin nga klubi namuzmadh gjerman “Bajern” i Mynihut, ku holandezi Roben, gjermani Nojer, portieri më i mirë i Europës, e ca të tjerë ishin nga të vinin e të luanin me “Tironën”, s’do mend, po të paguheshin me paratë që Lom presidenti u kishte dhënë fjalën t’ua jepte topkëmbësave të sipërpërmndur. Mandej nipit i erdhën dhe plot emaile edhe nga topkëmbas të “Çelsit”, të dy skuadrave të Mançesterit, “Siti” dhe “Junaited”, ku binin në sy emri i Jahja Tures nga Afrika dhe anglezëve Runi e Territ, që, dajë e nip, i kishin shumë për zemër. Dhe këtyre Lom presidenti nuk ua bëri fjalën dysh.

Kështu, duke harxhuar aq para sa vlenin vetëm 30 nga diamantet e tij të mëdha sa patatet e zakonshme, që çmoheshin nga kujunxhinjtë më të sprovuar me mbi 100 karatë, dhe bashkë me diamante të veckël, kishin vlerë prej disa miliarda eurosh , dajë Lomi krijoi skuadrën “Tirona Internacional”, të quajtur kështu, sepse xhan xhin se kishte atje jo më tironas,por edhe një frymë shqiptari. Bash si skuadrat më të mëdha të Evropës! Skuadra zengjine, me presidentë zengjinë, siç ishte tanimë edhe ai vetë. Dhe me këtë deli skuadër Lom presidenti zbriti në stadiumin e kryeqytetit, të mbushur plot e përplot me shikues, “…sa nuk ke ku të hedhësh as kokrrën e mollës”, sic thoshte dikur ai Mazreku i mikrofonit të Radios. “Tirana Internacional” po ndeshej me Barcelonën ,pra kampionen e Europës dhe botës, por pa Mesin, Neimarin, Suaresin dhe yjet e tjerë, që tashmë i kishte përlarë Lomi.  “Forca Tirona!”,-dëgjonin zëra dajë e nip pranë e pranë në shkallët e stadiumit. Por qenë zëra të flashkët.. Edhe pse tironsit e kishin vënë keq e mos më keq përpara hijen e “Barcelonës”.“Ç’dreq Tirone është kjo, -vazhdonte të dëgjonin ata zëra të tjerë,- kur në fushë nuk ka asnjë shqiptar?!. “Po si në tërë Europën, lum miku”,-ia priti dikush tjetër.-Përderisa shkojmë atje, do ta marrim tabiatet e saj edhe në sport, ku nuk ka më kufinj…Edhe në fushat tona mund të luajnë sa të duash të huaj. E ka dhënë imzanë UEFA, sepse në Europën e Bashkuar lejohet vërdallosja e lirë i krahut të punës, ku futen edhe topkëmbësat. Gjallojmë në vaktin e globalizimit, ose gjithpërfshirjes së rrokatejshme…”.  Lom presidenti, edhe pse pa shkollë, i kishte dëgjuar këto. Ndaj kishte krijuar skuadrën më të famshme në planet, por i qante zemra, sepse nuk ishte shqiptare. Më mirë se kushdo e dëshmonin ato britma “Tirona, Tirona!”, që po bëheshin edhe më të flashkëta…

SHKARKO APP