Dako: Ndërmorëm reforma të mëdha për të ndërtuar shtet
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me deputetin, z. Fidel Ylli zhvilluan një takim me banorët e Ishmit.
Gjatë fjalës së tij, z. Dako u shpreh se gjatë mandatit të parë qeverisës u ndërmorën një sërë reformash të cilat ishin të paimagjinueshme katër vite më parë. “Jam i bindur që Ishmi këtë radhë do të votojë Edi Ramën sepse nuk ka qytetar të Shqipërisë, edhe ju, që nuk e ndjeni që në këto katër vite qeverisje të Edi Ramës janë bërë shumë reforma, janë bërë shumë punë, janë bërë gjëra të cilat ishin të paimagjinueshme katër vite më parë, reforma të mëdha për të ndërtuar shtet”, deklaroi z. Dako.
Më tej, kryebashkiaku e vuri theksin tek investimet që Bashkia Durrës ka bërë në këtë zonë por edhe ato të cilat janë në zbatim e sipër. Duke u ndalur tek projektet që janë në zbatim e sipër, Dako bëri të ditur se ka nisur projekti i madh për furnizimin me ujë, janë në proces rikonstruksioni rrugët, Fushë Bizë-Bizë dhe rruga Likmetaj si dhe së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e nënstacionit Shkafane i cili do të zgjidhë problemin e furnizimit me energji elektrike.
“Ka nisur projekti i madh për furnizimin me ujë, po marrim ujë nga Fushë Miloti në drejtim të Durrësit. I gjithë tubacioni do të ndërtohet i ri dhe do të kemi dy burime uji, atë burimin ekzistues dhe burimin tjetër që do vijë nga Fushë Miloti i cili do të tre fishojë sasinë e ujit që do të vijë në depon e Durrësit dhe nga andej do të shpërndahet nëpër gjithë Durrësin. Nga ana tjetër, jemi duke realizuar po prapë një investim për të marrë ujë nga puset që kemi bërë në Divjakë. Do të marrim dhe atje ujë, i cili do të furnizojë gjithë zonën e Plazhit të Durrësit. Fillon shumë shpejt nënstacioni elektrik në Shkafane për gjithë zonën, ka përmirësime për zonën turistike të plazhit por prej kësaj përfitojnë edhe gjithë banorët dhe nuk do të kemi më probleme me furnizimin me energji”, theksoi kryebashkiaku.
Ndërkohë deputeti Fidel Ylli u shpreh se vota e 25 Qershorit është shumë e rëndësishme për të ardhmen. “Data 25 është votë për të ardhmen tonë, për fëmijët tanë, të kësaj zone të mrekullueshme, për këtë zonë turistike. Është ndryshimi i madh për Shqipërinë që ne duam për ti dhënë besimin Edi Ramës, Partisë Socialiste që këto reforma që janë nisur të bëhen realitet”, u shpreh deputeti Fidel Ylli.