Dako: Votë për Edi Ramën për të vijuar me reformat e nisura
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, z. Vangjush Dako, së bashku me kandidatin për deputet, z. Jurgis Çyrbja zhvilluan një takim me banorët e Arapajt, njësia administrative Rrashbull.
Në fjalën e tij, z. Dako u shpreh se në këto katër vite janë bërë shumë punë por padyshim ka akoma shumë për të bërë teksa kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kryeministrin Edi Rama për të vijuar me reformat e nisur për Shqipërinë që duam.
“Kemi bërë shumë punë në këto katër vite por padyshim që duhet të bëjmë edhe më shumë. Prandaj kërkojmë edhe një votë tjetër për Edi Ramën për të vazhduar këto reforma, për të bërë punë më të mira për Shqipërinë që duam. Votë për Edi Ramën do të thotë votë drejt Bashkimit Europian, do të thotë votë për një të ardhme në të mirë për fëmijët tanë”, theksoi z. Dako.
Më tej, kryebashkiaku u ndal edhe tek investimet që Bashkia Durrës ka bërë në këtë zonë por edhe projektet të cilat do të nisin së shpejti të zbatohen. Dako tha se shumë shpejt do të nisë puna për nderimin e një shkolle të re në Arapaj por edhe projekti i cili do ti japë fund problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm të kësaj zone.
“Në datën 23 ne përfundojmë garën për ndërtimin e shkollës së re, e cila financohet totalisht me paratë e buxhetit të Bashkisë së Durrësit. Pra do të bëhet një shkollë e re në Arapaj. Kemi filluar së bashku me Bankën KWV, gjermane, investim për ujësjellës. Do të shtrijmë tubacionet në të gjithë lagjen në të gjithë kodrën e Arapajve për të sjellë furnizim me ujë në çdo shtëpi të kësaj zone. Kemi bërë investime, kemi filluar rrugën nga “Ura e Teqes” që shkon drejt varrezave, për të shkuar deri tek shkolla. Kemi bërë, në krahun tjetër dhe kemi përfunduar rrugën. Kemi vazhduar me 20kilovoltin. Kjo tregon që ne kemi një vëmendje të posaçme për gjithë zonën tuaj”, deklaroi Dako.