Dallimi mes ristrukturimit dhe faljes së pjesshme të borxhit

 

Greqia u ka kreditorëve të saj më shumë se 300 miliardë euro borxh. FMN-ja kërkon një falje të pjesshme të borxhit, kurse disa vende, si Gjermania, preferojnë ristrukturimin e tij. Ku është dallimi?

Në rastin e borxhit të Greqisë përdoren shpesh dy formula ndihme: falja e pjesshme e boxhit apo ristrukturimi i tij. Edhe pse në pamje të parë ristrukturimi tingëllon më pak si ndihmë se sa falja e borxhit, edhe në rastin e ristrukturimit kreditorët i falin një pjesë të parave Greqisë.

Falja e borxhit

Në rastin e faljes së pjesshme të borxhit kreditorët miratojnë menjëherë faljen e një pjese të borxhit, dhe i humbasin kështu paratë e tyre. Në vitin 2012 një gjë të tillë e bënë kreditorët privatë. Pra bankat dhe investitorët institucionalë hoqën dorë nga rreth 100 miliardë euro borxh që i kishin dhënë Greqisë.

Ndërkohë, Greqia u ka kreditorëve të saj më shumë se 300 miliardë euro borxh. Rreth tre të katërtat e borxhit u takojnë tani kreditorëve publikë, pra vendeve të Eurozonës (direkt ose nëpërmjet Fondit të Shpëtimit), FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Merkel kundër faljes

FMN-ja kërkon një falje borxhi në vlerë 53 miliardë euro. Edhe Greqia dëshiron një gjë të tillë me arsyetimin, se vetëm nëse barra e borxhit zvogëlohet, ajo mund të përballohet. Kancelarja Angela Merkel e refuzon një falje të tillë, për shkak se në këtë rast do të humbasin edhe paratë e taksapaguesve gjermanë. Ajo dhe politikanë të tjerë u referohen gjithashtu edhe kontratave të bashkimit monetar, ku përjashtohet mundësinë që një vend të paguajë borxhet e një vendi tjetër.

Greqia i ka FMN-së 25 miliardë euro borxh, BQE-së 20 miliardë dhe vendeve të Eurogrupit 50 miliardë. Banka Qendrore Evropiane po e ndihmon Greqinë edhe më të ashtuquajturat kredi emergjente për likuiditet, kreditë ELA (Emergency Liquiditiy Assistance). Deri tani këti kredi kanë kapur shumën 89 miliardë euro.

Ristrukturimi i borxhit

Në rastin e ristrukturimit të borxhit bëhet shtyrja e afatit brenda të cilit duhet të paguhen paratë e borxhit dhe përqindjet e interesit. Shuma e borxhit në një rast të tillë nuk pakësohet. Megjithatë ristrukturimi i borxhit shoqërohet shpesh nga norma më të ulëta interesi. Nëse shlyerja e borxhit shtrihet për vite apo dekada, inflacioni mund ta zvogëlojë vlerën e parave të kredisë. Pra edhe në rastin e ristrukturimit të kredisë, kreditorët nuk i rimarrin tërë paratë e tyre.

SHKARKO APP