DASH zbulon arsyet: Ja pse ikën investitorët amerikanë nga Shqipëria

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për Klimën e Investimeve në vitin 2017, për Shqipërinë ka theksuar se “pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal.

Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-ve janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Gjatë vitit 2016 klima e investitorëve të huaj në vend u përkeqësua ndjeshëm. Indeksi i Dhomës Amerikane i atij viti ra në 37.94 pikë, nivelet minimale që kur ai filloi të hartohej në 2012-n.

Dhoma Gjermane e Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 vërejti se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për atraktivitetin e investimeve, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit (20-n), ndaj pyetjes bërë investitorëve, “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni? ” Arsyet lidhen me trajtimin e keq fiskal dhe ligjor, me mosrespektimin e kontratave dhe paqëndrueshmërinë e administratës publike.

Shoqata e Investitorëve të huaj gjithashtu në indeksin e saj raportonte një përkeqësim të klimës së biznesit. (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend ka shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri dha në atë kohë një paralajmërim të qartë:

“Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqje investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit.

Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCHam) ishte i ashpër në daljet e asaj kohe, ku pohoi që jo vetëm nuk po vinin investime amerikane, por po iknin dhe ato që ishin. “Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për Albpetrolin, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, tha Crawford në një deklaratë publike në vitin 2016.

Debati më i madh ishte për Bankers Petroleum, që në atë kohë u përfshi në një konflikt me tatimet, një çështje që shkoi deri në arbitrazh dhe që ende vazhdon, ndonëse në fazën e parë iu dha të drejtë Bankers Petroleum, një çështje që është përmendur indirekt në raportin e DASH. Pronarët kanadezë u larguan dhe Bankers Petroelum është aktualisht në pronësi të kinezëve të Geo Jade Petroleum.

Hyrjet e reja të investitorëve kanë munguar ndërkohë vitet e fundit dhe investimet në Shqipëri po mbahen nga gazjslllësi TAP, HEC-i i devollit dhe investimet ekzistuese në naftë dhe financë.
Në gjysmën e 2016-s dhe pjesën e parë të 2017-s klima e biznesit rezulton më e përmirësuar. Indeksi i besimit të biznesit të Dhomës Amerikane është përmirësuar këtë vit, duke arritur në 43.78 pikë, nga 37.94 pikë një vit më parë. Treguesit, që kanë pasur përmirësimin më të madh, janë “marrëdhëniet me autoritetet fiskale” dhe ai i “klimës së biznesit”, që janë rritur përkatësisht me 12.3 dhe 11.2 pikë.

Edhe Dhoma Gjermane e kishte më pozitiv raportin e këtij viti, ndërsa FIAA raporti sërish se besimi i investitorëve të huaj për mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri është negativ (-29 pikë). /Monitor/

SHKARKO APP