Dashuri apo epsh? Përgjigjen jua thonë sytë

Një studim nga hulumtuesit e Universitetit të Çikagos thotë se ndryshimi midis dashurisë dhe epshit mund të qëndrojë te sytë.

Veçanërisht se ku ju sheh personi me të cilin keni një takim dashurie, përcakton nëse është dashuri apo dëshirë për të shfryrë pasionin.

Kërkuesit zbuluan se personat që e perceptojnë një të huaj si partner të mundshëm për dashuri, ia ngulin sytë fytyrës së tyre. Nga ana tjetër, ata i japin më shumë rëndësi vëzhgimit të pjesëve të trupit nëse janë të interesuar për dëshira seksuale. Studimi u publikua në revistën Shkenca Psikologjike. Autorja që drejtoi studimin, Stefani Kakiopo, nga Universiteti i Çikagos, tha se ndonëse dihet ende pak për shkencën e dashurisë me shikim të parë apo sesi njerëzit bien në dashuri, këto modele të reagimit sigurojnë provat e para në lidhje me proceset automatike të vëmendjes, siç është vështrimi ngultas, mund të bëjnë diferencën mes dashurisë dhe dëshirës përkundrejt personave të panjohur.

Gjykimi automatik i dashurisë apo epshit mund të ndodhë në më pak se gjysmë sekonde, duke prodhuar modele të ndryshme të shikimit. Kërkimi i mëparshëm i Kakiopos ka treguar se aktivizohen lidhje të ndryshme në rajonet e trurit nga dashuria dhe dëshira seksuale. Në këtë studim, skuadra bëri dy eksperimente për të testuar modelet vizuale në përpjekje për të shprehur dy gjendje të ndryshme emocionale dhe konjitive, që shpesh janë të vështira për t’u dalluar nga njëra-tjetra – dashuria romantike dhe dëshira seksuale apo epshi. Studentë meshkuj dhe femra të Universitetit të Gjenevës panë disa foto bardhezi të personave që nuk i kishin takuar kurrë. Në pjesën e parë të studimit, pjesëmarrësit panë fotot e çifteve të reja heteroseksuale që po shihnin apo ndërvepronin me njëri-tjetrin. Në pjesën e dytë, pjesëmarrësit panë fotot e individëve tërheqës të seksit të kundërt, të cilët shihnin drejt e në kamera.

Asnjë prej fotove nuk përmbante lakuriqësi apo imazhe erotike. Në të dyja eksperimentet, pjesëmarrësit ishin ulur përpara një kompjuteri dhe iu kërkua të shihnin fotografi të ndryshme e të vendosnin sa më shpejt dhe sa më saktë që të ishte e mundur nëse perceptonin dashuri apo dëshirë seksuale për personin që shfaqej në të. Studimi nuk zbuloi ndryshim në kohën që iu desh subjekteve për të identifikuar ata që ngjallnin dëshirë dhe ata që ngjallnin dashuri, gjë që tregon se sa shpejt truri mund t’i përpunojë të dyja emocionet, besojnë shkencëtarët. Por analizimi i gjurmimit të syve nga dy studimet zbuloi ndryshime në lëvizjen e syve, në varësi të ndjenjës që kishin përjetuar subjektet.

Njerëzit priren ta ngulin vështrimin në fytyrë, veçanërisht kur një imazh u ngjall atyre ndjenjën e dashurisë. Kur imazhi provokon dëshira seksuale, sytë e subjekteve lëvizën nga sytë në pjesën tjetër të trupit. E njëjta gjë ndodhi si me meshkujt, ashtu edhe me femrat pjesëmarrëse në studim. “Duke identifikuar lëvizjen e syve, që është e veçantë te stimujt e lidhur me dashurinë, studimi mund të ndihmojë në dallimin e ndjenjave të dashurisë dhe dëshirës seksuale”, – tha bashkautori i studimit, Xhon Kakiopo që është edhe drejtor i Qendrës për Neuroshkencën Konjitive dhe Sociale. Gjurmimi i shikimit mund të ndihmojë dhe të hapë rrugë të reja në rastet klinike dhe për terapinë në çift.

SHKARKO APP