Dashuria festohet me familjen e dashur!
Nga Entela Binjaku/ SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri është një organizatë jo fitimprurëse, jo qeveritare, jo politike, jo fetare dhe një anëtare aktive e ombrellës së organizatës Internacionale SOS Kinderdorf International, e cila përfshin 134 shoqata të pavarura. Ajo është themeluar në 1946 në Imst, Austri nga Hermann Gmeiner. Zyrtarisht që prej 1996-ës SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri ka qënë aktive në fushën e mbrojtjes sociale përmes ofrimit të shërbimeve sociale direkte të një cilësie të lartë për fëmijët dhe të rinjtë pa kujdes prindëror, si dhe shërbimeve me bazë komunitetin për familjet në rrezik.
SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri është duke marrë pjesë në mënyrë aktive në krijimin e politikave publike, advokon për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në rrezik social.
Nën moton “Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet i vetëm“ kjo organizatë kontribuon në rritjen, edukimin, zhvillimin, mbështetjen dhe sigurimin e një mjedisi familjar për çdo fëmijë në përputhje me nevojat individuale të tyre.
Aktualisht ofrohen shërbime me Bazë familjen dhe shërbimet e Fuqizimit të Familjes në dy lokacione kryesore Tiranë dhe Shkodër.
Viti 2016 shënoi 20 vite të aktivitetit të SOS Fshatrave të Fëmijëve, me 20 vite eksperiencë në kujdesin alternativ, 15 vite në kujdesin ndaj të rinjve, 11 vite në Programet e Fuqizimit të Familjes dhe 8 vite advokasi. Festimi i 20 vjetorit të Shoqatës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme theksoi Drejtoresha Nacionale znj Teuta Shkenza gjatë asamblesë së përgjithshme, e mbajtur këtë vit.
“Ky takim, rikujtoi ajo, u drejtua nga të rinjtë që janë rritur në Fshatin SOS dhe ky ishte një sukses tjetër i veçantë”.
Për arritjen e objektivave afatmesëm dhe afatgjatë në nivel ndërkombëtar me synim mbështetjen e sa më shumë fëmijëve, të rinjve dhe familjeve në risk , SOS Kinderdorf Internacional shpalosi Strategjinë 2030 dhe Inisiativat Strategjike mbi të cilën do të fokusohet e gjithe puna në vitet në vijim.
“Duke zbatuar 7 nismat strategjike ne mundësojmë që organizata jonë të zhvillohet dhe të arrijë potencialet e saj në të ardhmen”, vijoi znj. Shkenza.
Në vijim të fjalës së drejtueses: Viti 2016 u mbyll me 128 fëmijë të mbështetur nëpërmjet programit të kujdesin me bazë familjen dhe 268 familje/751 fëmijë të mbështetur nëpërmjet Programeve të Fuqizimit të Familjes.
Gjatë vitit 2016, Advokasia ka qënë faktor në zhvillime të rëndësishme sociale. Aksionet e advokasisë janë kryer nën 3 shtylla kryesore: Fushata “Kujdesu për Mua”; Projekti “Zëri i të Rinjve” mbështetur nga UNFPA; Ndjekja e fushatës “Unë Vlej”.
Këtë verë në Fshatin SOS do të celebrohet edhe një histori dashurie. Një i ri që tashmë është i pavaruar dhe ka ndërtuar jetën e tij denjësisht si i rritur, ka vlerësuar se ditën më të rëndësishme të jetës, që lidhet me krijimin e familjes së re, ta kryejë pranë asaj që ai e konsideron familjen e tij. Në morinë e kontributeve që kjo organizatë jep, një vend të veçantë meriton edhe fakti se pavarësisht se fëmijët largohen nga familja ku kanë jetuar, lidhja shpirtërore me të i shoqëron edhe në çastet vendimtare të jetës së tyre. Është natyrale që gjithëkush do të dëshironte të ndante gëzimet me ata me të cilët i lidhin kujtimet, përkujdesja dhe dashuria.