David Silva e mashtroi, shpërthen Tare: Kam respekt për të si futbollist, por jo si njeri!
David Silva u transferua dje zyrtarisht te skuadra e Real Sociedad, duke thyer premtimin që i kishte bërë skuadrës së Lazios. Me një shënim në faqen zyrtare, drejtori sportiv i klubit bardhekaltër, Igli Tare, komentoi plot hidhërim: “Unë mësova për transferimin e David Silva te Real Sociedad. Kam respekt të madh për lojtarin, por jo për njeriun”.
Në fakt, nënshkrimi ishte në pritje, kontratat ishin dërguar te përfaqësuesit e lojtarit, që la Manchester City pas 10 vitesh atje. Në “Formello” thonë se kishin planifikuar edhe vizitat mjekësore.
Një marrëveshje prej 10 milionë euro në sezon, për tri vite, ishte akordi me lojtarin, plus një bonus nënshkrimi, përfitime të tjera dhe avion privat. Gjithsesi David Silva zgjodhi Spanjën për arsye familjare.