Debatet e plota gjatës seancës së tensionuar dje në Kuvend
“Doshi” zbriti dje në Kuvendin e Shqipërisë për të përplasur ish-kryeministrin Sali Berisha me kryeparlamentarin Ilir Meta. Ndërsa ish-kryeministri i kërkonte dorëheqjen Metës, ky i fundit i kujtonte lidhjet e Shkëlzen Berishës në videon e Dritan Priftit. Edhe pse situata u tensionua me daljen e deputetëve tek foltorja dhe shtimin e personelit të sigurisë, kryeministri Edi Rama ka qëndruar i qetë, ndërsa herë pas here komunikonte pa mikrofon me Ilir Metën dhe ky i fundit ndonjëherë me Saimir Tahirin. Edhe pse debatet bëheshin për Tom Doshin, ky i fundit nuk mori pjesë në seancë, por qëndroi 6 orë në ambjentet e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje.
Paloka:Kupola e mafies është këtu pas nesh, të dashur qytetarë. Sigurisht edhe na mbyllni gojën, mund ta bëni. Deri dje i lëpinit çdo gjë atij që bënte akuzat. Sot na paskeni dalë, që jeni miq të Ilir Metës. Që kur jeni bërë miq të Metës dhe armiq të Doshit?
Meta:Çfarë kërkoni ju lutem?
Paloka:Kërkesa është e qartë: të mos qëndroni më në Parlament. Të japësh dorëheqjen, të largohesh nga ajo karrige.
Meta:Ju keni bërë një kërkesë për shkarkim. Mblidheni Konferencën e Kryetarëve.
Paloka:Kur ti je akuzuar për vrasje me pagesë, ti na kujton rregulloren?
Meta:Doni ta fillojmë me kërkesën për shkarkim? Nga e hëna ai (Doshi) është deputeti juaj. Mund ta bëni edhe kryetar.
Paloka:Nuk mund të vazhdojë ky parlament nëse ai (Meta) qëndron aty.
Meta:Ju lutem, po kaloni kohën.
Paloka:Nuk po të thotë njeri je apo jo vrasës. Dorëzohu para drejtësisë, që gjithë shqiptarët të shohin je apo nuk je vrasës.
Meta:Zonja Topalli, e kuptoj padurimin tuaj që të iki unë nga kryetar dhe të vijë Toma këtu. Mblidhni edhe Konferencën e Kryetarëve po të doni.
(Pas pushimit)
Ruçi:Hera e parë që ndjeva kënaqësi që opozita shqiptare përdori dy instrumente parlamentare për kontrollin parlamentar. Pavarësisht mendimeve të kundërta që kemi, kryeministri u paraqit në seancën më parë dhe kryetari Meta e futi interpelancën në rendin e ditës. Këshilli i Legjislacionit drejtohet nga opozita, materiali për mocionin është në dorën e këshillit. Ne si mazhorancë jemi dakord të përfshihet, të rimblidhet këshilli, të vijë raporti, të futemi në proces votimi. Më shumë se kaq nuk ka. I bëj apel opozitës. Jemi para publikut shqiptar dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që s’mund të jenë pjesë e këtij inskenimi.
Berisha:Ngjet si një zonë krimi dhe teatër dramatik dal vivo. Për fatin tonë dhe më të keq, të qytetarëve shqiptarë, në këtë parlament nuk flitet për gjë tjetër veçse për krim, krim dhe vetëm krim. Ne arritëm marrëveshjen e dekriminalizimit. Por çfarë ndodh? Vjen nga pozita dhe jo opozita një akuzë që e kisha denoncuar edhe më parë: tentativën për eliminimin e Tom Doshit. Nëse ka një njeri që ka qenë më agresiv ndaj Doshit është Sali Berisha. Por ka një gjë. Sali Berisha është njeri i ligjit. As për Doshin, Kokëdhimën, Metën, Tahirin nuk kërkoj asgjë tjetër vetëm ligjin. S’ka forcë në botë që të më çojë mua përtej kësaj. Nuk u mora tre muaj më parë. Edhe pse ata më thanë Ilir Meta na mori, na tha se është Sali Berisha do të vrasë Doshin. Të garantoj z.Paulin që të përdor Edi Rama, se do të të përdorë më keq se Toma.
Meta:Z.Berisha mos kërcëno deputetët, jemi kundër kanosjes. E kërcënove një deputet. Z.Stërkaj vazhdo pas Berishës, të lutem.
Berisha:Pra, u denoncua kryetari i Parlamentit se ka vrarë dy deputetë.
Meta:Po ti more zotëri, e paske ditur para 3 muajsh dhe nuk e ke denoncuar. Denoncohet në Prokurori. E nise si lider demokracie e po e vazhdon si aksioner pularie. Po, po vazhdo.
Meta:Ky mezi po priste të ndodhte vrasja brenda Parlamentit.
Berisha:Je i pamend se po të doja nuk e kisha denoncuar në Parlament.
Berisha:Ne kërkojmë që Ilir Meta, si i akuzuari kryesor, të heqë dorë nga kryetar i Parlamentit, të zbresë në qytetar të thjeshtë dhe të bëhen hetimet. Sa më gjatë ta mbani, aq më shumë do kundërmojë. S’kemi interesa politike, vetëm të shoqërisë shqiptare. Sot në botë nuk ka kryetar parlamenti që të akuzohet kështu.
Meta:Nga cili deputet të lutem?
Meta:Është miku juaj prej muajsh.
Berisha:Vetëm sa fakton shkallën e krimit mor i mjerë.
Meta: Kush është i mjerë?
Berisha:Tom Doshi bashkë me Kokëdhimën është më i sulmuari nga unë.
Meta:Çfarë propozimi ke se s’po të kuptoj?
Berisha:Propozimi ynë është ky: jep dorëheqen, je kokë e qelbur. Jep dorëheqjen. Mos shfrytëzo votat e krimit.
Meta:Jepjani ilaçet se kemi përgjegjësi për shëndetin e Doktorit.
Meta: Të ta jap përgjigjen. Mbylle mikrofonin. Është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën nuk e bëj, e kam dhënë njëherë për të. Mos u bëj pjesë e puçit të pularisë Tom Doshi dhe Dritan Prifti si aksioner. Ti beson më shumë tek Toma se tek Prokuroria, se si një i akuzuar për vrasje flet tek Doshi dhe jo tek Prokuroria.
Berisha:Shiko si qeshin deputetët e mazhorancës me ty. Ti nuk e shet kurrë Tom Doshin. Ai s’ka asnjë lidhje. E di si është ai apo jo, njeriu që fluturon me helikopter Alpeve me ty.
Meta: Këto janë përrallat e supergjyshit që ia tregon supermbesës.
Berisha:Morali është se po të marr Tom Doshin.
Meta:Nuk ke moshë t’i për të ngrohur vezët e krimit. Ti je njeri serioz. Tani po i jepni drejtim dekriminalizimit me Tomën.
Meta: E ka përmend Toma kunatin tënd, jo unë. Ti je mësuar të mohosh, moho edhe kunatin.
Berisha:Ti je koka e krimit këtu po rri rehat. Si Agim Ramaj, sikurse dhe Bami është i LSI-së.
Meta:Ke parë shumë keq nga LSI-ja ti!
Berisha:Cili ia dha Profarmën? Dhe ç’bëri me kunatin ai?
Meta:Doktori ka gjithnjë të drejtë.
Berisha:Këto janë të turpshme mor djalë. Jep dorëheqjen. Ne s’do pranojmë kurrë që Parlamentin ta drejtojë një i akuzuar për dy vrasje.
Meta:Doni ta drejtojë Tom Doshi me Durim Bamin. Ka kaluar me juve tani ai. Është normale. Po bëre fushatë me të, do marrësh shumë vota.
Berisha:As thëniet se Toma kalon djathtas, as Vangjeli që përsërit si papagall se je i pafajshëm, as Tahiri nuk të shpëton. E di çfarë i tha Tahiri Bamit? Po a e di se ty të vrasin po i the këto. Po e di, i tha Bami, po më jep një revole.
Meta:Po çoji në Prokurori këto të dhëna. Ti ke akuzuar gjysmën e partisë.
Berisha:Ke bërë dhe këtë tjetrën ti, ke thirrur familjarët e Fufit.
Meta:Mos fol në emër të të tjerëve.
Meta: E dhashë prej Shkëlzenit dorëheqjen radhën e parë, se ishte në video me Dritan Priftin.
Berisha:Mos mendo se e kalon me këto gjëra ti.
Deputetët e PD-së:Ik….ik…
Meta:Kush me ik, Doktori? Në asnjë mënyrë!
Meta:Ju lutem lëreni të flasë Paulinin. Zotërinj mos iu kanosni deputetëve… Z.Paulin ju lutem flisni nga vendi. Pushim 5 minuta. Rifillojmë pas 5 minutash.
(5 minuta pushim)
Paulin Stërkaj:Më ka humbur durimi. Doshi i ka bërë transparente. Përfundimin do e nxjerrë koha. Më vjen shumë turp për zotin Berisha që vazhdon komedinë. Kam dëgjuar se në parlamentin italian ka komedian. Ai komediani bën politikë. Këtu vijnë si politikanë dhe bëjnë komedianin. Më vjen turp se kam telefonata nga Shkodra, nga demokratë. Kam qenë edhe deputet i juaji në 2009, ju e dini mirë sesi ka qenë rezultati. Sa për zotin Berisha duhet t'i kthej përgjigje: më njeh edhe major, edhe deputet, edhe kur votuam presidentin këtu. Pasi iu përmend Berishës djali këtu dhe unë them t'ia lëmë policisë. Unë jam i bindur herët sepse i kam thënë Tomës vetë, i thashë ‘kujdes se po të përdorin’. Dhe njerëzit janë për të përfituar lekë nga ty. Por ky paska qenë bashkëpunim. Kur Dritan Prifti rastësisht na ka dalë më i pasuri në Shqipëri? Parlamenti shqiptar të marrë një nismë për hetimin e drejtuesve të KESH-it në vite, sepse paskan dalë njerëzit më të pasur në këtë vend. Kështu që ju bëj thirrje juve…ndoshta kam emocion…se ju po mbroni një deputet që ka shkuar puna në drejtësi.
Berisha:Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës, tani jep dorëheqjen për bllokun e dytë. Paulin, do të të them një fjalë, burri është burrë: kur u pyet Edi Rama për falangat e krimit, u mor me Paulinin për patentat e zgjedhësve. Nuk të ka akuzuar njeri asnjëherë dhe në asnjë rast. Ai po, kur shpjegoi të inkriminuarit, mori si shembull Paulinin. E vërteta është se ti ke qenë kolonel dhe s'të heq asnjë presje. Pse i thua ti Sali Berishës se më akuzon? Pse e bën këtë ti? Shko merr videon. Pyete zotërinë e inkriminuar. Nuk mori një, mori dy, kaq kisha.
Stërkaj:Zoti Berisha, më përmende emrin dhe ti e di se kush jam unë. Më ke dekoruar me ‘Shqiponjën e Artë’. Unë po ai Paulin jam. Atëherë s'të bjen gishti që më përdor mua si viktimë, se ka shkak dhe pasojë.
Meta:Të ulen dhe rojet e parlamentit dhe rojet e Doktorit.
Meta:Për shkak të Shkëlzenit se ishte në videon e Priftit e di ti këtë gjë. Erdhe edhe më the “ç’më bëri ai budallai”.
Stërkaj:Zoti Doktor, sa i përket për atë që thatë për kreun e PS-së jam krenar, sepse jam në mbështetje të elektoratit të Malësisë së Madhe. Tani e di dhe unë që s'më keni akuzuar asnjëherë për lidhje me krimin. Por po dhashë informacion unë kam frikë se nuk është mirë. E falenderoj kreun e PS-së se më ka përmendur. Zoti Berisha, më bëre shantazh të vogël. Tani në telefon janë 100 mesazhe. Këto kohët e fundit Doktor që s'je mirë. Ju garantoj një gjë në parlament, bile kryetari im më ka thënë mos fol ashtu: unë flas publikisht se pas datës 21 qershor të them kush jam.
Berisha:Zoti Stërkaj, ju bëni çfarë të doni. Dhashë thjesht një këshillë. Çfarë bëri Meta në këtë rast.
Meta:Ju e paskeni ditur që po përgatitej një vrasje dhe nuk reaguat. E nisët si lider demokracie dhe po e mbaroni si aksioner pularie.
Berisha:E kam denoncuar vrasjen e Doshit. Hapni regjistrin.
Meta:Mezi po prisnit të bëhej një vrasje brenda mazhorancës.
Berisha:Nëse mezi e prisja, nuk e denoncoja vrasjen në Kuvend. Ilir Meta kërkon të kapet pas çdo fije bari. Për t’i rënë më shkurt, mendoj se në këtë moment kritik për vendin, duhet t’i japim shans hetimit. Çdo gjë që mund t’ju ndodhë, nuk do keni hetues prokurorin, por Saimir Shullazin, që do bëjë hetimin, komunikimin, gjykimin. Saimir Shullazi doli mbrëmë, pasi e përpunoi me orë e orë skanerin e Bamit, përbalti Prokurorin e Përgjithshëm e gjithë botën për të shpëtuar Ilir Metën. Situata është kritike. Kërkojmë që Ilir Meta, si i akuzuari kryesor, për një akuzë që nuk është dëgjuar për 25 vite më radhë, të heqë dorë nga kreu i Kuvendit, të zbresë në deputet të thjeshtë.
Meta:Zoti Beqja i jepni ilaçet Doktorit, se ka nevojë. Të kujdesemi për shëndetin e tij.
Berisha:Jep dorëhqejen!
Meta:Të ta jap përgjigjen. Mbylljani mikrofonin.
Berisha:Jep dorëheqjen!
Meta:Për ty bëj çdo gjë. Për Shkëlzen Berishën e dhashë një herë dorëheqjen. Nuk e jap dy herë këtë gjë. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin. Ti je i vetmi që beson më shumë te Toma sesa te Prokuroria. Në videon e Priftit ishte edhe Shkëlzeni.
Berisha:Ti nuk e shet kurrë Tom Doshin. Ai nuk pasur kurrë lidhje. Tom Doshi është njeri që ti e merrje me helikopter dhe e shëtisje Alpeve. E merrje me helikopter qeveritar.
Berisha:Ti haje dreka me Doshin.
Berisha:Meta është e zeza e vendit. Jam unë që i thashë Ilir Metës jep dorëheqjen se i kanë kërkuar Edi Ramës që të të arrestojnë. Ti e ke marrë për ofendim. Ky është burrë shpirtvogël dhe thur intriga nga më makrabet e të tjera.
Meta:Nuk thashë që do e vriste Berisha, por kunati i Sali Berishës. Nuk thashë që do e vriste Shkëlzeni, se kjo do jetë më e besueshme, por Doshi tha se do e vriste kunati i Berishës. Më kanë thënë se ai është njeri zotni dhe se nuk e bën dot një gjë të tillë.
Berisha:Dua të zbardhen ngjarjet. Me ty nuk zbardhen ngjarjet.
Meta:Ik, ik me Tomën në fushatë… Doktor merr ilaçet, kam hallin e shëndetit tënd. S’ke moshë për ngarkesa të tilla.
Mediu:Për 6 muaj, ministri i Brendshëm u mor vazhdimisht me këtë çështje dhe u takua me atë që quhet kriminel. Këto janë interesa të qarta dhe shumë të ngushta. Atë që nuk e tha për 6 muaj, ministri e bëri për një ditë, çuditërisht. Ministri i Brendshëm priste për 6 muaj të hidhej në erë gjithë sistemi politik në Shqipëri.
Meta:Po është folur për Fatjonin e partisë tuaj, të Partisë Republikane.
Mediu:Po zotëri, Fatjon Skënderi ka qenë shofer i PR nga viti 1991 deri në vitin 1993 e që në atë kohë s'ka nuk ka patur më asnjë lidhje me Partinë Republikane.
Meta:Hapeni tribunën ju lutem të flasë Doktori. Z.Kokëdhima, një nga arsyet që nuk jap dorëheqjen, është se nuk mund të lejoj një tjetër të vijë këtu dhe t'i presë fjalën Doktorit.
Berisha:I akuzuar se je përpjekur të krijosh alibi, vjen këtu dhe bën kllounin.
Meta:Edhe ’97-ën unë e bëra, patjetër.
Berisha:Të kuptoj unë mirë ty se çfarë përfaqëson ti për vendin. Jep dorëheqjen dhe prano me gjakftohtësi konkluzionet e drejtësisë.
Meta:Jepjani ilaçet urgjent.
Berisha:Mos mendo ti se do ta kalosh këtë që i bëre vendit ti, duke shitur Tom Doshin, duke kaluar nga një alibi në një alibi tjetër, duke zëvendësuar gjykatat e vendit me Emiljano Shullazin.
Meta:Ulu se po të merret goja.
Berisha:Largohu nga kryetar parlamenti. Je përpjekur në mënyrë makabre skenarin tënd t’ua kalosh të tjerëve. Shiko mos fol nga mbrapa ti (Ramës). Ti mos ki merak se të ka rekrutuar Meta ty. Ky është sot.
Meta:Normal se dhe ti që nuk je akuzuar për vrasje e ke problem këtë punë. As në ’97, as ’98 asnjëherë, ke të drejtë që shqetësohesh. Çoji letrat në Prokurori.
Berisha:Jep dorëheqjen.
Meta:Mos fol në emër të shqiptarëve, se le nam. Çoji provat në prokurori. Këtë duan shqiptarët.
Berisha:Je akuzuar për dy vrasje. Nuk ka drejtësi që të hetojë ty kryetar parlamenti.
Meta:Vazhdojmë se nuk kemi kohë të merremi më me përralla. Kush ka fakte t’i çojë në prokurori. Nuk më pëlqen kur Doktori përsërit vetveten. Z.Ruçi, jemi gati për të filluar punën…