Debati i plotë në Këshillin e Mandateve. Doshi: Çfarë më tha Rama për Metën

Në mbledhjen e djeshme në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, deputeti Doshi ka sjellë detaje të reja për hetimin e akuzave. Opozita kërkoi të administrojë si provë videon mes Doshit dhe Bamit, ku ky i fundit thotë se është kërcënuar për familjen

Tom Doshi: Ju keni bërë një fletëthirrje për arrest. Unë kam qenë në rolin e dëshmitarit. Nuk kam sekret hetimor. Provat le t’i bini këtu dhe t’i shohë edhe Këshilli.

Përfaqësuesit e prokurorisë: Për sa i përket provave, i kemi në relacion të dorëzuar Kuvendit. Nëse Këshilli për Rregulloren i sheh të arsyeshme…ato janë prova që ne i kemi paraqitur dhe nga ana formale ka sekrete.

Tom Doshi: Kërkesa ime…

Përfaqësues të Prokurorisë: Ndalohet publikimi qoftë edhe i pjesshëm edhe i akteve… ju lutem, kemi çështjen në proces.

Vangjel Dule: Zoti Doshi, të respektojmë ligjin.

Përfaqësues të prokurorisë: I qëndrojmë asaj kërkese

Tom Doshi: Ai ka ardh me më arrestu, unë të mbaj sekrete… ai e ka manipulu marrëveshjen. Ka marrë një paragraf që është manipulu. Unë mbaj përgjegjësi penale, ose të tërheqë kërkesë…

Arben Ristani: Procedurat nuk mund të jenë pjesë e kërkesës, përmbajtja është çështje tjetër. Nuk jam për nxjerrje sekreti, por procedura është më vete.

Përfaqësues të Prokurorisë: Zoti Ristani, procedurat hetimore na e ndalojnë një gjë të tillë.

Tom Doshi: E ke pru kërkesën për dëshmi të rreme, kallzim të rreme. Unë kallzim s’kam ba. As kallzim të rrëmë s’kam ba. Ajo kërkesë që unë kam kërku ballafaqim. Nëse s’e tërheq kërkesën, po s’e pate problem unë do t’i sqaroj shqiptarët.

Vangjel Dule: Dispozita e rregullores është e nevojshme për t’u zbatuar nga të gjithë. Rregullorja në nenin 118 parashikon debatet të kësaj natyre. Zoti Doshi, jeni njohur me kërkesën e prokurorisë dhe do t’ju lusja të paraqisnit vërejtjet tuaja por pa cenuar hetimin. Pa cenuar atë aspekt që na jep ligji ta cenojmë më këtë mbledhje, s’është dëshira e jona por është detyrim i ligjit.

Tom Doshi: Prokuroria ka manipuluar provat dhe akuzat ndaj meje nuk ekzistojnë.

Arben Ristani: Zoti Doshi, jemi në momentin që prokuroria ka prurë një relacion që shpjegon kërkesën ndaj jush për të cilën ju jeni i njohur ne jemi të njohur, dhe relacioni ka dalë edhe në media. Megjithatë, është momenti që ju duhet të jepni shpjegimet tuaja për kërkesën që ka bërë prokuroria.

Tom Doshi: Do t’ua jap fjalën avokatëve të mi, pasi të mbarojnë ata, flas unë.

Vangjel Dule: Më falni, zoti Islami e ka fjalën

Islami: Konkurrojnë dy kallëzime, një kallëzim bërë nga prokurori për vrasje dhe një kallëzim për dy deputetë, mesa kuptoj unë sot po diskutojmë për këtë të dytën, nëse Doshi insiston për akuzën e parë, se të dyja janë të lidhura, përbën për ju sekret që zoti Doshi vazhdon të publikojë fakte për akuzën e parë që ju vazhdoni ta konsideroni zero?

Vangjel Dule: Xhafaj e ka fjalën

***

Vangjel Dule: Doni të shtoni diçka zoti Doshi?

Tom Doshi: Fjalën e ka prokuroria.

Përfaqësuesit e prokurorisë: Disa nga parashtrimet e avokatëve janë çështje për t’u trajtuar dhe nuk dëshirojmë të merrem me ato. Lidhur me vijueshmërinë e procedimit penal thekson se procedura e kalimit të akteve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nga prokuroria e Përgjithshme ka respektuar procedurat sipas nenit 28 i Kodit të Procedurës Penale. Në relacion është bërë një përmbledhje e provave dhe prandaj nuk janë dërguar prova të tjera në këtë relacion dhe nuk dëshirojmë të dalin në këtë relacion.

Kastriot Islami: Në çfarë faze është hetimi?

Përfaqësuesi i Prokurorisë: Hetimi është në vijimësi. Vazhdon faza e hetimeve paraprake e hetimit.

***

Kastriot Islami: A keni biseduar me kryeministrin për porositjen e vrasjes kryesisht nga Meta? Nëse po kur dhe çfarë përgjigje keni marrë? Këto pyetje i bëj për të kuptuar atë lloj dyshimi të arsyeshëm se në këtë çështje ka interferenca nga politika.

Tom Doshi: Ngjarja është e vërtetë, s’kam bërë asnjë sajesë. Në gusht të 2014 kam bërë një takim me zotin Bami. Në 30 gusht kam taku kryeministrin në një takim në Durrës dhe ia kam sqaru. Më ka thënë “Tom t’ka rujt zoti”. Pra ngjarja është e vërtetë. Më datën 6 kam taku Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin. Më datën 6 Saimir Tahiri ka taku Durim Bamin. Ia kam sqaru ngjarjen si në video. Pas dy ditësh është informuar drejtori i Përgjithshëm dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Çipa. Shpjegimet janë bërë të gjitha. Në një takim tjetër ku kam qenë unë prezent dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili ka shkruajt raport me rreth 9 faqe. Me datën 3 shtator unë kam taku Prokurorin e Përgjithshëm. Ramën e kam taku deri më 11 nëntor.

Kastriot Islami: Çfarë të tha Rama?

Tom Doshi: T’ka ruajt Zoti. Pas 48 orësh i ka shku Toni Durim Bamit dhe i ka thënë që Tom Doshi e ka marrë vesh dhe kjo gjë duhet me u mbaru. Sajesë këtu nuk kam se s’kam pse ta bëj. Marrëdhëniet me kryeministrin i kam pas shumë mirë, po kështu edhe me Ilir Metën. Për mua ka qenë diçka e papritur se ne hanim e pinim bashkë. Prokurorin e kam informu, kryeministrin po, kryetarin e Parlamentit po… s’kam pas frikë se po të ishte kështu do rrija siç kanë ndejt njerëz… unë u them shqiptarëve që po u mbyll edhe kjo çështje s’ka as drejtësi e as… edhe dëshmitari është manipulu. Këtë e ka bërë kjo organizatë që drejton Ilir Meta. I kanë shku policë me maskë në dhomën e hetimit që po fole, ata do të vriten. Ai prokurori atje e di shumë mirë se e kemi pa bashkë videon dhe transkriptimin dhe ai vjen sot e më akuzon mua për çështje të rreme. Kjo është e vërteta.

I thash Durim Bamit që në këto kushte të çojmë në spital, jo tha se atje ka ilaçe… pra kjo është një turp i madh i prokurorisë dhe i këtyre përfaqësuesve këtu. S’është marrë asnjë tabulat, bërë asnjë hetim por është vepru me shpejt për të mbyll çështjen. Me saju në këtë ngjarje s’ka baza.

Kastriot Islami kërkon fjalën

Vangjel Dule: Ju do ta merrni fjalën sa herë që dëshironi?

Kastriot Islami: Pyetje…

Tom Doshi: Unë kam takuar Ilir Metën edhe Monikën tek ‘Sheratoni’ rreth 4 orë, në darkë jam takuar me Ramën dhe Tahirin dhe në bisedën kur ishim të gjithë bashkë, e kam thënë dhe në intervistën që kam dhanë, kam thënë që kisha qëllim për të larguar vëmendjen, përderisa nuk je ti, i kam thënë Ilir Metës, meqë tek ai lokal shkonin dhe njerëz të PD, s’do jetë e rëndësishme se s’je ti, por jo se kam akuzuar unë Berishën apo kënd tjetër, as që bëhet fjalë.

Kastriot Islami: Cili ishte reagimi i kryeministrit?

Tom Doshi: Ta thashë edhe një herë, më 30 gusht kryeministri e besoi…

Avokati Muçaj: Është filluar çështja penale për vrasje të mbetur në tentativë dhe sot vazhdon hetimi për këtë, nga ana tjetër, nëse vazhdon hetimi për vrasje, s’duhet të akuzohet Doshi se ka sajuar, sipas logjikës, duhet të ishte pushuar hetimi për vrasje. Ndërkohë që vijon hetimi tjetër, i bëjnë akuzë Tomës që ti ke saju këtë akuzë, këto të dyja s’qëndrojnë në një vend, o njëra o tjetra, të dyja nëse qëndrojnë, hetimi tjetër është farsë.

E dyta, a duhet të fillonte procedimi penal që në fillim, me denoncimin e zotit Doshi? Absolutisht, që në momentin e parë që Doshi ka njoftuar kryeministrin dhe kryeprokurorin e përgjithshëm, duhet të kishte filluar.

***

Tom Doshi:…Pas tre-katër ditëve u zbardh edhe transkripti. Prokurorët porosisnin katër kafe dhe unë merrja njërën se s’kisha besim tek ata. I kam thënë Durim Bami është kërcënu me i vra fëmijët. Edhe thotë që burrat e huaj janë atje. Kjo është shumë e rëndësishme për ju si prokuror që i duhet marrë edhe familja në mbrojtje. Ky shqetësim më është shpreh edhe nga vëllai i Bamit se i kanë shku makina edhe atje. Jam çudit me prokurorin se kam pas shumë besim me atë material që kanë në dosje dhe përgjimin ambiental. Aparaturën e kam unë në trup që ta dinë shqiptarët, plus kamerat. Është bërë me vendim të gjyqit dhe të dihet kush është e vërteta. Pse Durim Bamin kan dash me e vra më 15 shkurt? Si shkon polici i RENEA-s tek dhoma e izolimit? Pse s’merren kamerat tek Drejtoria e Policisë, prokuroria më ka thënë që do t’i bëjmë kërkesë. Kjo është e vërteta të nderuar deputetë, përfaqësues të mediave dhe shqiptar. Prokuroria ka manipuluar prova. Nëse duan ta zbardhin edhe ndërkombëtarët ta zbardhin, është rasti me pru ekspert të huaj sepse prokuroria jonë është e mytur në llum, edhe këta që janë këtu. Të vijnë materialet këtu dhe të zbardhet se kush është manipuluesi prokurorët apo unë. Pse mos me shku prokurori i përgjithshëm me dhënë dëshmi te Krimet e Rënda, ka shku kryeministri, kryetari i Kuvendit… atëherë binte përgjegjësi mbi prokurorin e Përgjithshëm dhe më pas prokuroria nxjerr fletën e arrestit. Pse nuk merren kamerat në Hanovër për Spartak Brahon? Po të duan të zbardhin këtë ngjarje mund ta bëjnë me autoritetet gjermane. Sot është lënë i lirë në Tiranë Toni i Kombinatit se është person i rëndësishëm se ban me folë ai…

Halimi: Pyetje për deputetin Fufi…

Tom Doshi: Me Fufin s’e kam bisedu najher këtë. Me ka ardh vllai vet, masi e ka thirr Ilir Meta, më ka thanë më ka thirre Ilir Meta dhe më ka thanë më mirë këto punë i di Toma…ai vet i kishte thirrur, më erdhi bashkë me vllanë e vet edhe ia shpjegova. Mbrapa ka ba një takim edhe me vetë Durimin, Durimi ja ka pranu që është e vërtete, pra vllai Fufit. Kjo ngjarje me pas dasht me u zbardh ishte zbardh, këta nëse duan ta mbyllin le ta mbyllin, e rëndësishme është që shqiptaret sot e besojnë, përveç atyre që punojnë për LSI, që janë në punë, Bami duhet të merrej si dëshmitar, jo si vrasës, ai takoi kryeministri, ministrin, mu si deputet, e detyrimisht kur ti thuash që ke 30 vjet burg e do t’vrasim fëmijët, çdokush e mohon, por tek ajo video është e qartë… ju si opozitë keni mundësinë me iu thanë shqiptarëve se ça bahet te prokuroria, policia, te ky shtet, pra duhet me e pa videon. Mbasi të shihni videon, bëni kërkesën me më fut edhe në burg se s’e kam problem, por pasi të shihet ajo video.

***

Vangjel Dule: Faleminderit zoti Doshi, fjalën e ka zoti Ristani, se po marrim atributet e një gjykate.

Arben Ristani: Sipas ligjit, ne duhet të japim mendim për një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova e jo mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në relacion.

Vangjel Dule: Mos e keni thënë këtë në fillim të seancës?

Arben Ristani: Për mua nuk ka rëndësi relacioni, janë fjalë siç thotë avokati apo prokurori. Unë dua të bindem në prova, provë nuk është relacioni dhe parashtrimi i avokatit. Avokati dhe prokurori janë njësoj. Unë dua të bëj pyetje një nga një që të jemi konciz. Pyetjen e parë e kam: cila është akuza zyrtare publike ndaj Bamit dhe ku është sot procedura ndaj kësaj akuze? Pyetje për prokurorin.

Përfaqësuesi i prokurorisë: Ne iu përgjigjëm pyetjeve, për çështje që janë në hetim nuk mund të japim përgjigje.

Arben Ristani: Këto janë publike. Nuk janë sekret hetimor. Nuk po të pyes për veprimet hetimore. Me çfarë akuze po e mbani në burg Durim Bamin?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Iu përgjigjëm pyetjes.

Arben Ristani: Akuza është publike. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Vangjel Dule: Të lutem, jemi përballë mediave.

Arben Ristani: Akuza është publike. Keni përgjigje zotëri?

Vangjel Dule: Të lutem zoti Ristani.

***

Arben Ristani: Për çfarë arsye doni ta arrestoni zotin Doshi?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Është regjistruar procedimi penal. Është bërë edhe shënimi i emrit të zotit Doshi.

Arben Ristani: Kaq është përgjigja? Vetëm sa ju keni shkruar emrin e zotit Doshi në kapakun e dosjes dhe doni ta arrestoni?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Është filluar procedimi penal.

Arben Ristani: Kjo është tallje me Parlamentin. Na thoni pse duhet arrestuar?

Vangjel Dule: Ju drejtoni pyetjet dhe formulimin s’do jua bëj unë. Këtu të gjithë janë në gjendje edhe të kuptojnë edhe të artikulohen dhe na vlerësojnë të gjithë. Formulojini pyetjet dhe shprehuni.

Arben Ristani: Po i kërkoni këtij parlamenti që të japim leje të arrestojmë një deputet. Cila është akuza, ka mundësi të na e thotë zotëria?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Kërkesa dhe relacioni i përmend ato që unë thashë.

Arben Ristani: Kërkon të arrestosh për kallëzim të rremë. A ekziston një akt për një kallëzim të rremë?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Kërkesa dhe relacioni është i qartë.

Arben Ristani: E dyta. Deklaratë e rreme para prokurorisë. Cila është deklarata e rreme?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Janë të gjitha deklarimet që ka bërë zoti Doshi.

Arben Ristani: Pra të gjitha ato janë të rreme. Cila nga ato?

Vangjel Dule: Nuk po e lejoni të japi përgjigjen.

Ndërhyn Kastriot Islami

Vangjel Dule: Jo komente jashtë diskutimeve zoti Islami.

Fatmir Xhafaj: Avokati ishte shumë i qartë, ku komision nuk bën hetim. Ky komision nuk të çon në burg. Në burg të çon vetëm gjykata…

Arben Ristani: Në rast se na kërkoni autorizimin për kontroll banese, çfarë nënkuptoni ambiente të tjera që frekuenton deputeti, çfarë doni të kontrolloni?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Patjetër dhe ambientet gjithmonë nëse Kuvendi na jep të drejtën.

Arben Ristani: Ambiente publike apo private? Se ambiente publike është edhe Parlamenti?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Zoti Ristani, flasim për ambiente private, ato na interesojnë.

Arben Ristani: Si ndikon deklarata e Tom Doshit në ambientet ndërkombëtare?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Kemi thënë se ekzistojë dokumente të bazuara në prova, nuk mund t’i bëjmë publike në këto momente…

Arben Ristani: Do shkoni në Gjykata dhe atëherë do përballeni me institucionet ndërkombëtare?

Përfaqësuesi i prokurorisë: Provat dhe rrethanat për një situatë që nuk është e vërtetë, kanë cenuar dhe këto rrethana…

Eduard Halimi: Kam një pyetje për prokurorët, a po hetohet lidhur me zotin Fufi?

Vangjel Dule: Zoti Halimi, a do të përqendrohemi te relacioni i prokurorisë apo do ta kthejmë…?

Eduard Halimi: Unë e bëra pyetjen dhe dua përgjigjen nga prokurori.

Përfaqësuesi i prokurorisë: Relacioni ka një objekt dhe çështja është në hetim.

Eduard Halimi: Faleminderit, pra, kjo çështje vazhdon të hetohet. Dua të sqaroj qytetarët që nuk kemi asnjë konflikt me kërkesën që ju i keni bërë Kuvendit, pasi Partia Demokratike, në 8 vjet në 8 kërkesa që i ka paraqitur Prokuroria e Përgjithshme ka qenë pro zhvillimit të hetimeve. Ne i mirëpresim, por ama zotërinj prokurorë, ne nuk mund të mbyllim sytë këtu…

SHKARKO APP