Debati që meriton Tirana
Nga Sokol Balla
Dita e martë nuk është e thënë të jetë ters. Pikërisht këtë të martë, atëherë kur nuk pritej, dy rivalët kryesorë për bashkinë e Tiranës, shtrënguan duart, shkëmbyen batuta dhe treguan se gara për kryeqytetin, mund të kishte qënë edhe më qytetare sesa kaq, nëse gjërat do të ishin në dorën e vetë kandidatëve.
E them në mënyrë dëshirore dhe në kohën e shkuar, pasi megjithëse ka ende pak kohë, nuk kam asnjë shpresë se debati i shumëpritur Veliaj-Kosova, do të ndodhë. Unë besoj se nëse do ishte në dorë të vetë kandidatëve, do të kishte ndodhur. Në fakt kandidatët e kanë akoma në dorë të na tregojnë se gara është e tyrja dhe jo e makinës elektorale së dy partive dinosaurë, të çerekshekullit të fundit.
Megjithëse Veliaj nga dy kandidatët e ka shprehur hapur këtë dëshirë, sërish mungesa e një ure komunikimi dhe e besimit mes kampeve, duket se është faktor dominues. Doktor Halimi dhe Eri kanë shumë gjëra që i bashkojnë: të dy e duan Tiranën dhe të dy kanë vullnetin dhe energjinë për të bërë diçka për të, pavarësisht dhe jashtë mbështetjes së qeverisë qëndrore, secili për ambicjet e veta, personale apo politike. Të dy janë energjikë, secili në llojin e vet dhe të dy janë qytetarë, të komunikueshëm dhe tolerantë në bisedë dhe argumenta.
Unë mendoj se një debat mes tyre, do të zbuste gjithashtu çdo efekt eventual krize apo përplasjeje pas zgjedhjeve dhe do të zbuste efektin e pashmangshëm trishtues tek humbësi dhe duartrokitje tek tifozia kundërshtare e fituesit.
Dhe megjithëse e di përgjigjen, po jua përsëris të dyve ftesën: doktor Halimit dhe Erit: takoni Maznikun me Edi Lesin. Bini dakot per dhjetë pika, pesë pyetje për secilin dhe një pjesë të fundit debat të lirë dhe ejani të enjten tjetër në Top Story.
Tirana ka kandidatë qytetarë, që e marin atë seriozisht. tregojeni duke bërë një debat serioz për Tiranën. Më shumë tregojeni se e doni Tiranën, më shumë se partitë që ju përfaqësojnë.