Degradimi i elitës politike shqiptare

 

ZAMIRA ÇAVO 

Ndoshta ka ardhur koha të themi se te ne pushteti nuk është i popullit, por i një pakice që ne e kemi quajtur elita politike shqiptare. Kjo elitë në 24 vite të demokracisë e ka mbajtur pushtetin falë lidhjeve të nëndheshme mes kundërshtarëve brenda vetes, dhe falë demagogjisë me të cilën është shfaqur publikisht. Natyrisht që përcaktimin si elitë, këtij grupimi, ose më mirë kësaj shtrese, ia kemi dhënë ne me votën tonë. Ndaj quhet elitë politike. Kjo elitë nuk ka qarkulluar dhe si e tillë është përgjegjëse për gjithçka ka ndodhur në vendin tonë në këtë çerekshekulli.

Së pari, kjo elitë është sjellë krejtësisht indiferente ndaj problemeve të popullit. Në 24 vite, Parlamenti dhe qeverisja nuk kanë sjellë asgjë pozitive që të mundësonte një jetesë cilësore të njerëzve. Përkundrazi e kanë rrënuar maksimalisht situatën, aq sa e kanë bërë vendin një vend pa shpresa që tentohet të braktiset nga qytetarët e saj, në momentin e parë që krijohet një mundësi. Dhe po e ngjashme është situata në Kosovë. Elita politike e Kosovës është po aq përgjegjëse për braktisjen e vendit nga të rinjtë kosovar, është po përgjegjëse për situatën jo fort shpresëdhënëse që ekziston në Kosovë.

Së dyti, elita politike shqiptare është përgjegjëse ndaj qëndrimit gati të nënshtruar ndaj të huajve kur vjen puna për marrëveshje të mëdha për interesat e tyre. Kjo elitë, në Shqipëri dhe Kosovë, jo rrallë duket se i ka shitur interesat e vendit në këmbim të favoreve personale. Nuk ndodh kurrë që një elitë politike të sillet si e huaj me qytetarët e vet dhe tepër tolerante apo edhe e nënshtruar me të huajt. Kështu ndodhi dikur me shkeljen e embargos ndaj Serbisë nga qeverisja e kohës, pikërisht atëherë kur Kosova po digjej, kështu ndodhi më tej me “dhënien” e një cope të detit Greqisë, kështu ndodhi tani me ngjarjet e Kumanovës… Nuk gjej dot në histori ndonjë shembull ku elita politike të mos ngrejë zërin kur shkelen të drejtat e bashkëkombësve kudo në botë! Por ja që elita shqiptare (dhe kur them elita shqiptare përfshij këtu elitën politike të Tiranës, të Prishtinës, por edhe atë maqedonase) preferon më mirë ta ketë “mirë me të huajt” sesa më qytetarët  shqiptarë. Vjen Presidenti turk në Tiranë dhe flet sikur është në vendin e vet, duke kushtëzuar marrëveshjet me interesat e tij dhe elita shqiptare buzëqesh. E njëjta situatë ka qenë dhe në Prizren dhe “nënshtrimi” i elitës politike duket kaq qesharak sa lideri turk perceptohet si “babai” i madh që do na tregojë udhën nga duhet të shkojmë e që “nuk duhet të kemi frikë se ka kush na mbron”.

Pse ndodh kështu? Pse sot populli shqiptar gjendet sërish në udhëkryqin e historisë së paditur se cilin drejtim të marrë? Pse elita politike në tri trevat shqiptare ka po të njëjtat karakteristika? Pse luftojnë kaq shumë për interesat e tyre dhe dëshirojnë të shfaqen si “faktorë stabilizues” në një kohë kur qytetarët e tyre trajtohen nga këta të huaj si qytetarë të dorës së katërt apo të pestë? Pse vazhdojmë t’i konsiderojmë ende elitë politike? Përgjigjet gjenden nëse analizojmë përbërjen e këtyre elitave dhe nuk është vendi ta bëjmë këtë këtu, por mund të themi se:

Elita politike krijon lidhje të ngushta me elitat e tjera të shoqërisë sikundër është ajo akademike, shkencore, ekonomike kulturore etj. Por elitat politike në trevat shqiptare as që duan të kenë lidhje me këto elita, madje kanë bërë ç’është e mundur t’i largojnë e t’i mbajnë të izoluara nga qeverisja. Kjo tregon se këto elita vuajnë nga kompleksi i inferioritetit ndaj elitave të tjera të shoqërisë. Ndaj në vend që ta orientojnë bashkëpunimin me këto grupe, e kanë orientuar lidhjen e bashkëpunimin me grupe interesash ekonomike e që jo rrallë kanë prapavijë kriminale. Krimi dhe përfaqësuesit e tij kanë zënë vend  jo vetëm në prapavijat e pushteteve, por edhe në vetë pushtetin. Përfaqësuesit e krimit janë shndërruar kësisoj në pjesë të elitave politike. Por nëse një elitë shfaqet me lidhje të tilla, vendi është në prag të humnerës.

Në teoritë demokratike flitet shumë për rolin e madh që luajnë elitat politike në zhvillimin e vendit. Flitet shumë dhe për faktin se si duhet të përgatiten elitat dhe pse duhet të bëhet  qarkullimi i tyre. Por elitat politike shqiptare bëjnë përjashtim. Liderët e partive shqiptare janë shndërruar në baronët apo pronarët e këtyre partive dhe nuk pyesin as për rregullat minimale të demokracisë e jo më të kujdesen për përgatitjen e elitave të reja. Nëse i hedhim një sy elitës politike në Shqipëri është e njëjta prej 25 vjetësh. Dhe krahasuar me pushtetin totalitar të Enverit nuk kanë shumë diferencë. Kryeministri bëhet president dhe presidenti kryeministër në periudha të gjata kohore. Mes krahëve të kundërt të kësaj elite politike zhvillohet publikisht një “luftë” e ashpër me sharje e fyerje të paturpshme për t’i mbushur mendjen popullit se po “zihen” për interesat e tij, kur nën tryezë kanë lidhje të forta interesash, shpesh dhe kriminale. Por nuk është vetëm kjo.

Arsyeja tjetër madhore është fakti se përdorimi i të rinjve nga politika nuk ka të bëjë aspak me përgatitjen e elitave të reja. Dhe kjo besoj se është më shqetësuese: Përdorimi i të rinjve nën idenë e të qenët “besnikë” të liderit, është e keqja më e madhe që po i bëhet të ardhmes politike shqiptare.

Në çdo vend demokratik elitat kritikohen. Por në asnjë vend demokratik nuk ndodh që një skandal në radhët e kësaj elite të kalohet “me qetësi e dashuri”, por me përgjegjësi e dorëheqje. Kjo e bën edhe më të rrezikshme këtë elitë politike.

Shumë thonë se fajin e kemi ne si popull që vazhdojmë ende të zgjedhim njerëz të tillë në krye të vendit. Edhe kjo ndodh sepse mungon kultura politike e popullit. Por kush duhet të bëjë reforma kulturore e edukuese? Ata që nuk e duan kulturën, që e dëshirojnë në pafundësi gjendjen e mashtrimit popullor e ndihen të palëkundur në pozitat e tyre pikërisht për shkak të kësaj mungese kulture, nuk mund të bëjnë reformat të tilla. Pra elita politike nuk është aspak e interesuar që populli të zgjohet, të kuptojë fuqinë e vet dhe të reagojë. Sigurisht që nuk mund të presim nga kjo elitë asgjë më shumë sesa një demagogji e shtirur. Shqiptarët e Maqedonisë janë shembulli i fundit se si elita politike shqiptare tregoi sa shumë ka degraduar. Nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar shfaqjen e hidhur që bëri faktori politik shqiptar ndaj këtyre ngjarjeve. Po atëherë jemi të pashpresë? Jo! Elitat e tjera boll kanë qëndruar të ndrydhura nën peshën e pushtetit. Lidhje dhe bashkëpunimi mes tyre dhe sidomos vënia me përparësi e zgjimit popullor është shpresa e vetme e gjetjes së rrugës së duhur. Nëse etiketohemi si “armiq” të pushtetit, apo që po dëmtojmë qeverisjen në Shqipëri apo Kosovë, nuk duhet të tkurremi. Detyra jonë është të përdorim të gjitha mundësitë (që ende i kemi), për të përcjellë realitetin shqiptar me synim zgjimin popullor. Dhe kjo është detyrë e vështirë, por e domosdoshme në kushtet kur demagogjia dhe mashtrimi janë shndërruar në modele qeverisjeje. Ne nuk mund të presim që gjendja të ndryshohet nga ata që nuk duan ta ndryshojnë.

SHKARKO APP