Deklarata e Ballës ndaj Vokshit, reagon Tabaku: U cënua dinjiteti i një gruaje dhe nëne. Të përjashtohet nga Kuvendi
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se në sallën e Kuvendit mund të ketë debate të forta politike, por sipas saj një ofendim në nivelin që e përdori Balla kundër Vokshit, nuk ka ndodhur më parë. Tabaku shtoi se grupi i PD-së do të dërgojë kërkesë për përjashtimin e tij. Ajo kritikoi gjithashtu mazhorancën, duke thënë se deklaratat për fuqizimin e grave bien ndesh me sjellje të tilla në parlament. Tabaku theksoi se Vokshi është para së gjithash një nënë dhe se askush nuk do të dëshironte që fëmijët e tyre të dëgjonin një gjuhë të tillë në parlament.
”Zoti kryetar, në këtë sallë ne mund të kemi pasur shumë debate politike me njëri-tjetrin, nuk kemi rënë dakord me njëri-tjetrin, nuk jemi miq e shokë. Por që të ofendohet një kolege, në këtë nivel, nuk ka arritur asnjëherë në këtë sallë, të paktën në 12 vitet që unë jam këtu. Është cenuar dinjiteti i një kolegeje. Ju rrini gjithë ditën dhe mburreshi se si po i fuqizoni gratë, dhe kështu është fuqizimi juaj i grave? Kjo shprehje që u tha në këtë podium këtu, më pas del nga kjo sallë, i përplaset fytyrave, fëmijëve, grave, zonjave dhe kthehet edhe në një normë e standard.
Zonja Vokshi është nënë në radhë të parë. A donte dikush nga ju që fëmijët tuaj të dëgjonin atë shprehje? Unë nuk do ta doja. I bëj thirrje kolegëve socialiste, së pari të mos ndahemi politikisht për këtë çështje. Të lëmë politikën mënjanë dhe të mbështesim një zonjë që është ofenduar.
Së dyti, i bëj thirrje kolegëve të Komisionit të Jashtëm, drejtuar këtu dhe kryetarit, zoti Hasani. Zëvendëskryetarja e tij është ofenduar. Ju bëj thirrje, kryetar, që së pari të dënoni aktin. E më pas, të kërkohet ndjesë ashtu siç i meriton zonja. Jo të justifikohet me një sjellje që, në gjykimin tonë, edhe e përshkallëzoi akoma dhe më shumë ofendimin”,-tha Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

