Demarkacioni, kriter i BE-së për të vënë në ‘lojë’ Kosovën

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej dy kritereve të fundit për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, Demarkacioni i kufirit, është kriter të cilin Bashkimi Evropian ia ka vendosur vetëm Kosovës, në procesin integrues të saj, përkatësisht për liberalizim vizash, vlerësojnë njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi integrues në Bashkimin Evropian, nuk është i pandryshueshëm në vënien e kritereve.

Sipas tij, ky proces i adapton rrethanat e reja dhe i merr parasysh ndryshimet eventuale që ndodhin në Bashkimin Evropian dhe në shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Në këtë dritë, siç thotë ai, i është vënë Kosovës kriteri i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse Kosova është shtet i ri dhe me kufij të padefinuar tërësisht.

“Varet se me çfarë dioptrie e shohim. Nëse e krahasojmë me proceset integruese të vendeve tjera, atëherë, normalisht që duket i padrejtë, sepse për herë të parë BE-ja po vendos këso kushtesh për shtete, në fazën në të cilën është Kosova. Por, nëse marrim parasysh procesin e gjithëmbarshëm, atëherë mendoj që nuk është edhe i padrejtë, për faktin që, nëse jo në këtë fazë, sigurisht që çështja e Demarkacionit dhe përcaktimit të saktë të kufijve, do t’i vendosej Kosovës në një fazë tjetër, për ç’gjë Kosova do të përballej përsëri me vështirësitë me të cilat aktualisht është duke u ballafaquar”, thotë Hoti.

Profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson kontradiktor kriterin e Bashkimit Evropian, sepse një kriter i tillë nuk i është vënë asnjë vendi të Ballkanit. Për më tepër, siç thotë ai, vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi, nuk është vija më e gjatë, por ajo me Serbinë.

“Mbi të gjitha, për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Serbinë, nuk i është vendosur Kosovës asnjë kontekst kohor deri më tash. E mbi të gjitha, është Serbia, por edhe Bashkimi Evropian, që nuk e njohin këtë kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kufi ndërshtetërorë, por si kufi apo si vijë administrative. E kjo vijë kufitare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vija më e gjatë kufitare”, shprehet Mazreku.

Por, a kanë ndikim zhvillimet rajonale në vendosjen e ndonjë kriteri të caktuar nga Bashkimi Evropian për vendet që aspirojnë integrimet evropiane?

Profesor Hoti, thotë se ndikimi i zhvillimeve rajonale është i pashmangshëm në procesin integrues të cilitdo vend, përfshirë edhe Kosovën.

“Për më shumë, është edhe kusht formal i Konventës së Kopenhagës, e cila parasheh tre kushte: kriterin politik, ekonomik dhe atë ligjor. Mbi bazën e kriterit të parë, ku flitet për sundimin e ligjit, ku flitet për shtetin e së drejtës, është i përcaktuar edhe bashkëpunimi rajonal dhe stabiliteti rajonal. Mbi këtë bazë, mendoj që zhvillimet rajonale kanë ndikim të domosdoshëm në këtë proces”, vlerëson Hoti.

Megjithatë, profesor Mazreku shpreh mendimin se arsyeja pse vendosen kriteret shtesë nga Bashkimi Evropian, në këtë rast, për liberalizimin e vizave për Kosovën, është pasojë e deficitit të vendimmarrjes politike brenda Bashkimit Evropian, si rezultat i pesë mosnjohjeve nga ana e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Duke pasur parasysh këtë problematikë për Kosovën, çështjen e pesë mosnjohjeve, vendosen kritere, të cilat mund apo edhe shkaktojnë vonesa në përmbushjen e tyre. Rrjedhimisht, Bashkimi Evropian e shfajëson veten, themi kushtimisht, si rezultat i deficitit, brenda vet Bashkimit Evropian, të kapacitetit vendimmarrës politik sa i përket rastit të Kosovës. Kjo, sepse Kosova ende, fatkeqësisht, vazhdon të mbetet çështje e hapur dhe e pambyllur nga Bashkimi Evropian, për faktin se BE-ja ende ka qëndrim neutral në raport me statusin e Kosovës”, thotë Mazreku.

Sidoqoftë, çështja e ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me malin e Zi, mbetet nyje politike, e cila tash e dy vjet ka mbetur e pazgjidhur, për shkak të kundërshtimeve fillimisht të partive opozitare në mandatin e kaluar legjislativ. Kundërshtimet e tilla vazhdojnë edhe në mandatin aktual legjislativ, ndërmjet subjekteve politike parlamentare, qoftë brenda pushtetit, qoftë brenda opozitës.

SHKARKO APP