Dembelllëku si teori joshkencore

Leksionet fillestare të ekonomiksit vështirë se mund të shpjegojnë problemet aktuale të Shqipërisë në detaje, por një rikujtim i tyre besoj do t’i vlejë shumë politikëbërësve të teorive joshkencore mbi punësimin.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Në leksionin e parë të ekonomiksit, një pedagoge shpjegoi se prodhimi është pasojë e ndërveprimit të katër faktorëve: puna, toka, kapitali dhe aftësia menaxhuese.

‘Kur ekonomia ecën keq,’ shpjegoi ajo, ‘do të thotë se një ose disa prej këtyre faktorëve kanë probleme’.

Amartya Sen e elaboroi më tepër këtë shpjegim dhe doli në konkluzionin se në fakt, puna është faktori i vetëm i prodhimit ndërsa tre faktorët e tjerë janë në një mënyrë apo një tjetër, nënprodukte të punës. Kapitali është punë e akumuluar në kohë ose hapësirë. Ky akumulim mund të jetë pasojë e aftësisë së njeriut për të kursyer apo aftësisë së tij për të përvetësuar, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, punën e të tjerëve. Toka, teorikisht është një burim natyror, por Pikkety argumenton se, – nga gjendja e tokës si burim natyror, te statusi i saj si aset prodhues, – nevojitet shumë punë dhe rrjedhimisht është e vështirë të dallosh nga vlera tërësore e një aseti natyror vlerën fillestare natyrore nga vlera e punës, ose punës së akumuluar në formë investimi. Aftësia menaxhuese nuk është gjë tjetër veçse punë me cilësi të lartë.

Pra puna, puna, puna dhe puna është faktori fillestar i prodhimit i shfaqur në forma të ndryshme. Secili nga këto faktorë shfaq një pafundësi defektesh në ndërveprim me njëra-tjetrën, defekte që janë të ndryshme në vende të ndryshime dhe në kohë të ndryshme.

Nga të gjitha këto defekte, dembelizmi nuk ekziston si faktor më vete. Në teorinë e fillimshekullit të 19 të Malthusit, dembelizmi ishte një pasojë e sistemeve fillestare të asaj që sot e njohim si ndihmë ekonomike. Në atë kohë, puna jepte të ardhura të tilla që për pjesën dërrmuese të njerëzimit, mezi dilnin për të mbajtur frymën gjallë. Disa argumentonin që shteti nuk duhet t’i linte njerëzit të vdisnin urie dhe propozuan të shpërndanin misër falas. Malthusi argumentonte se misri falas mjaftonte që njerëzit të hiqnin dorë nga puna rraskapitëse që në fund, thjeshtë u mbante shpirtin gjallë njësoj si misri që qeveria shpërndante falas. Sot, njerëzimi ka mësuar se e vërteta është krejt ndryshe. Nga e majta komuniste deri te e djathta e Friedman, që të gjithë kanë mësuar se pikërisht e kundërta është e vërtetë dhe se ushqimi i të varfërve është në thelb një investim i vlefshëm për shoqërinë. Sot të gjithë e dinë se nëse njerëzve u sigurohet pa telashe jetesa, qoftë edhe përmes ndihmës ekonomike, pas kësaj pike, ata janë në gjendje të punojnë më mirë, më shumë e me produktivitet më të lartë.

Që nga shekulli i 19, ekonomiksi është zhvilluar për të kuptuar se nuk ekziston ndonjë ligjësi natyrore që të nxjerrë dembelizmin si një problem të palidhur me një problem tjetër. Në botën e sotme, ajo quhet kosto oportune, ose papunësi vullnetare. Kjo papunësi ekziston kur njeriu ka mundësi të jetojë pa punuar, dhe kushtet e të jetuarit pa punuar duhet të jenë në raport me pagën që tregu apo sistemi ligjor ofron për të.D.m.th, nëse ti ke të ardhura pa punë prej 1 mijë eurosh në muaj, situata normale e kostos oportune sugjeron se do të kërkosh një punë që të ofron një pagesë të ngjashme. Dhe nëse ke të ardhura pa punë prej 10 mijë lekësh në muaj, atëherë sërish do të kërkosh një punë me pagë të përafërt. Ligji i utilitetit margjinal rënës shpjegon shumë nga kjo gjë. D.m.th, nëse ke të ardhura 1 mijë euro në muaj, ka pak gjasa të pranosh një punë me pagë 200 euro, por nëse ke të ardhura pa punë prej 10 mijë lekësh, është shumë e sigurt që do të pranosh çfarëdolloj  pune që është në gjendje të të rrisë sado pak këto të ardhura sepse në nivelin e mbijetesës, çdo, e ardhur shtesë krijon utilitet të lakmueshëm.

Defekte, defekte, defekte dhe defekte

T’i kthehemi konceptit të parë. Kur mësuesja shpjegonte para gjimnazistëve në shkollë të mesme faktorët e prodhimit, shpjegonte gjithashtu se njëri apo disa prej këtyre faktorëve mund të kishte defekte nga më të ndryshmet. Nëse lexon më shumë nga ekonomiksi përtej librit Hyrje në Ekonomi, fillon të kuptosh se larmishmëria e defekteve në faktorët e prodhimit mund të jetë me të vërtetë e pafundme. P.sh, defektet në punë mund të jenë të tilla: punëtorët mund të jenë të sëmurë, mund të jenë të nënkualifikuar, të mbikualifikuar, të keqkualifikuar ose mund të jenë të moshuar të pafuqishëm. Akoma më tutje, punëtorët mund të kenë oportunitete të shpjegueshme me ligjin e kostos oportune. Në vend që një i ri të punojë në një fabrikë për 12 muaj në Shqipëri me pagë 20 mijë lekë në muaj, mund të kalojë kufirin për në Greqi apo Itali dhe të punojë tre muaj për 500 apo 600 euro në muaj. Me tre muaj punë të pakualifikuar në emigrim mund të fitohen më shumë para se sa në 12 muaj punë në fabrikë në Shqipëri. Akoma më tutje, punëtori mund të ketë një vëlla, një motër, një prind apo një fëmijë në emigrim, ku emigranti është i gatshëm t’i ofrojë një kompensim financiar në këmbim të mospranimit të një pune që mund të jetë e keqpaguar, lodhëse apo fyese.

Akoma më tutje, defekti i punës mund të konsistojë në faktin që vendet e punës mund të jenë ndërtuar aty ku nuk ka punëtorë apo punëtorët mund të jenë atje ku nuk ka vende pune. Sistemi i transportit, i cili mund ta zgjidhë pjesërisht problemin gjeografik, mund të jetë aq i kushtueshëm sa t’ia bëjë punën pa leverdi punëmarrësit ose t’ia bëjë koston e punës pa leverdi punëdhënësit.

Kalojmë te ajo formë e punës së akumuluar në kohë dhe hapësirë që quhet kapital.Kapitali mund të ketë po aq shumë defekte sa edhe puna e vijueshme. Kapitali mundet të ketë rënë në duar të gabuara, p.sh, të jetë në duart e biznesmenëve që nuk janë të aftë ta vënë atë në punë me efikasitetin e duhur. P.sh, një biznesmen mund të ketë vendosur të shpenzojë kapitalin e tij për të blerë një Ferrari në vend që ta përdorte për të hapur dhjetë vende pune në një fabrikë. Ose, ai mund t’i ketë hedhur paratë në një investim të gabuar gjë që bën që një sasi e konsiderueshme kapitali të jetë e ngrirë në një formë që nuk përbën aset prodhues. Nxirr kokën nga dritarja në Tiranë p.sh për të parë pallate 10-15 apo 20 kate të larta që kanë mbetur të papërfunduara. Dhjetëramilionë euro kapital ‘të ngrira’ në një formë joprodhuese. Kapitali mund të jetë gjithashtu i papërdorshëm në rastet kur është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe mbahet i fshehur. Kapitali mund të ketë ndikuar në mënyrë të paligjshme në sistemin ligjor apo elektoral të një vendi duke krijuar oligopole apo monopole, të cilat vrasin produktiviteti e punës ose bëhen pengesë për qarkullimin në ekonomi. Kapitali mund të jetë në gjendje të shëndetshme dhe gjithsesi, për arsye të ndryshme mund të ketë shpejtësi të ulët qarkullimi në ekonomi. P.sh, nëse qeveria vendos limite burrokratike, shpejtësia e transformimit të kapitalit nga forma e parasë në formën e mallit/lëndës së parë, punës dhe më pas, sërish te paraja, mund të jetë tepër e ngadaltë. Kapitali mund të jetë gjithashtu i fragmentarizuar, i ndarë në njësi të vogla nën pronësinë e njerëzve të ndryshëm dhe shoqëria mund ltë mos e ketë aftësinë apo mekanizmat për përqendrimin e kapitalit në investime të mëdha me produktivitet të lartë. Ose mekanizmat përqendruese të kapitalit si bankat apo buxhetet e përbashkëta shoqërore, mund të jenë me kosto administrimi tepër të lartë, mund të jenë të keqmenaxhuara apo të korruptuara.

Toka ose burimet natyrore mund të kenë gjithashtu një larmishmëri problemesh dhe i nënshtrohen një pafundësie ligjësish. Burimi natyror mund të jetë, fjala vjen, një sasi nafte nëntokë, e cila ka nevojë për kapital që të nxirret mbi tokë para se të marrë vlerë. Kjo sasi nafte i nënshtrohet kostos oportune, d.m.th, që përveçse të ekzistojë dhe të marrë kapitalin dhe punën dhe aftësinë menaxhuese të nevojshme për ta nxjerrë mbi tokë, duhet të ketë kosto mjaftueshëm të lirë në krahasim me burime të tjera të ngjashme nëpër botë. Toka bujqësore është gjithashtu një aset, por ajo gjithashtu mund të ketë një larmishmëri problemesh. Ajo mund të jetë e fragmentarizuar, siç është rasti i bujqësisë shqiptare, ose mund të konkurrohet nga produkte që realizohen me kosto shumë më të ulët gjetkë. Titujt e pronësisë së tokës mund të jenë difektozë, gjë që e bëjnë atë të pasigurt për të investuar në të ose të vështirë për t’u vënë në punë.

Aftësia menaxhuese është një faktor që përmbledh një pafundësi nënfaktorësh, nga ligji e shteti te arsimi, sistemi i vlerave, meritokracia, sistemi gjyqësor etj, etj. etj. Secili nga këto nënfaktorë mund të ketë defekte të tilla që bllokojnë aktivitetin ekonomik në të gjithë vendin. 

Përgjatë javëve të fundit, një grup politikanësh dhe në disa raste të shoqëruar edhe nga disa biznesmenë të njohur për asgjë tjetër përpos manipulimit të ndonjë tenderi, janë përpjekur të injorojnë vështirësitë e përditshme të shqiptarëve për të siguruar punë, mirëqenie dhe dinjitet, me argumentin joshkencor se punë ka, por populli është dembel. Kjo është një mënyrë fyese për të shmangur përgjegjësinë. Thjeshtëzimi i problemeve komplekse në një mënyrë të tillë nuk është thjeshtë fyese për popullin, ajo duhet të jetë para së gjithash, alarmuese. Qeveria ka hequr dorë nga funksionet e saj themelore, të cilat lidhen me të gjitha faktorët e prodhimit nga e cila varet pjesa më e madhe e mundësisë për sukses ekonomik dhe rrezikut për dështim. Problemi këtu nuk është vetëm te fakti që qeveria heq përgjegjësinë nga vetja për t’ia hedhur fajin popullit dembel, por është te fakti alarmues se nga ajo çfarë flet, duket se nuk është në gjendje të shkojë as te leksionet fillestare të ekonomiksit, të cilat zakonisht duhet të mësohen që në shkollë të mesme.

SHKARKO APP