Depozitat në banka, 10 klientët e mëdhenj disponojnë 6.13% të totalit

 

Përqendrimi i depozitave në vitin 2014 qëndroi në nivele relativisht të ulëta dhe nuk pati ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitin 2013.

Kështu, 10 depozituesit më të mëdhenj zënë 6.13% të totalit të depozitave të sistemit bankar, 20 më të mëdhenjtë 8.16% dhe 50 depozituesit kryesorë përbëjnë 11.6% të totalit, sipas Bankës së Shqipërisë.

Pesë bankat më të mëdha të sistemit kanë njohur një rritje të lehtë të pjesës që zotërojnë në tregun e depozitave. Pesha e tyre e agreguar në treg, në dhjetor 2014, arrin 74.43% kundrejt nivelit prej 72.3% në dhjetor 2013. Depozitat e individëve mbeten baza kryesore e depozitave të sistemit, me peshë prej 86%, me një rënie prej rreth 1 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Depozitat e klientëve mbeten burimi më i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit për sistemin bankar shqiptar. Ritmi i rritjes së depozitave ka qenë lehtësisht më i lartë krahasuar me një vit më parë, me një vlerë prej 47 miliardë lekësh rritje ose 4.5%, kundrejt nivelit prej 34 miliardë lekësh rritje në vitin 2013. Një pjesë e mirë e bankave të sistemit ka regjistruar rritje të depozitave gjatë vitit 2014, por ndikimi kryesor ka ardhur nga dy prej bankave më të mëdha.

Në dhjetor 2014, vlera totale e depozitave të sistemit arrin në 1.07 trilionë lekë. Ashtu si në dhjetor 2013, edhe në fund të vitit 2014, pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave është pothuaj e barabartë me peshën e të gjitha monedhave të huaja. Edhe struktura e maturitetit të depozitave mbetet e orientuar nga afatet e shkurtra, ndërsa depozitat me maturitet mbi një vit janë rreth 6%, në të njëjtat nivele si një vit më parë./Monitor

SHKARKO APP