Depresion pas lindjes, 80% e nënave kanë nevojë për këshillim psikologjik
Sjellja e një foshnje në jetë është padyshim një nga ngjarjet më të bukura që përjeton çdo femër, mirëpo ndryshimet e mëdha që ndodhin gjatë kësaj faze (luhatjet e humorit, ndryshimet fizike, shëndeti i bebit) ndikojnë dukshëm dhe anën psikologjike të saj.
Por sa i zakonshëm është depresioni gjatë kësaj faze? A ndikon ai në shëndetin e bebit dhe si duhen ndjekur këto raste? A kanë nevojë të gjithë nënat për këshillim psikologjik gjatë shtatzënisë?
Bedhia thotë se, “Shtatzënia është një nga periudhat më të bukura dhe më të vështira njëkohësisht në jetën e një femre. Përpos të gjitha “problemeve” hormonale që sjell shtatzënia në jetën e një femre ndryshojnë shumë gjëra. Ndryshon pamja fizike dhe mënyra se si ajo e sheh veten. Shumë gra nuk i përjetojnë mirë ndryshimet fizike që pëson trupi. Përpos kësaj ka shtatzëni që shkojnë mirë por ka dhe të tjera që ndeshën me shumë probleme, duke filluar që nga shëndeti i bebit, shëndeti i nënës, dhe pikërisht këtu fillojnë edhe problemet e para psikologjike, por mund të jenë edhe situata të mëparshme, ngjarje që nëna i ka përjetuar, aborte e depresion i mëparshëm. Pikërisht për shkak të gjithë këtyre ‘problemeve’, por edhe qoftë për t’i përgatitur ata se si do të jetë shtatzënia, lindja dhe periudha pas saj, çdo nënë duhet të marrë këshillim psikologjik gjatë dhe pas kësaj faze”.
Rreth 80% e nënave që në ditët e para të lindjes përjetojnë fenomenin “baby blues” (depresion postnatal) që konsiston në paaftësi për t’u kujdesur për bebin, qarje, mërzitje dhe lodhje të vazhdueshme (zgjat 78 ditë). Ndërsa psikoza pas lindjes kemi hasur më pak (1 në 30 lindje) edhe pse në fakt, kjo shifër pretendohet të jetë disa herë më e lartë.