Deputeti Ndoja del kundër Nokës dhe Bardhit: Ne të listës së hapur s’vijmë me regji në Kuvend
Këtë të enjte disa deputetë folën për herë të parë. Mes tyre ishte edhe deputeti i PD-së Arian Ndoja i cili mandatin e mori nga lista e hapur, i cili mesa duket ka shfrytëzuar fjalimin e parë në Kuvend për të shigjetuar aksionet që përfundojnë me kaos të kolegëve të tij të PD, Flamur Noka e Gazment Bardhi. Një fjalim që kaloi pa u vënë re, për shkak të deklaratave që mbaheshin në oborrin e Kuvendit, ai ka thënë se vetë nuk do t’i bjerë asnjëherë tavolinave dhe se nuk vjen me skenar me regji në parlament, pasi vjen nga lista e hapur.
”Jo vetëm unë, por edhe një pjesë e madhe e grupit parlamentar të PD, duan që të flasin dhe të kontribuojnë me mendimin e tyre kundër ose pro. Me qenë realist unë e di që është prishur godina e teatrit kombëtar, por shoh batuta, sjellje komike që këtij parlamenti nuk i shkojnë përshtat. Unë e quaj vend të shenjtë që i shërben qytetarëve. Kam dy çështje për të diskutuar që i përket zgjedhësve të mi. Po shpronësohen disa banesa. Banorët duan dëgjesë publike.
Problemi i dytë është për banorët e lagjes 17 në Durrës. Sa herë bie shi, për shkak të problemeve të kanalizimeve ata përmbyten. Është detyrim i qeverisjes vendore e qendrore për ndërhyrje të menjëhershme sepse atyre u sillen dëme të pariparueshme dhe akoma nuk kanë marrë kompensime.
Ju bëj thirrje edhe njëherë mua as nuk më keni parë, as nuk do zë më shihni duke i rënë tavolinave sepse nuk e kam atë edukatë, nuk e kam atë formim, por nga ana tjetër ju bëj thirrje edhe ty personalisht zoti Balla mos na etiketo të gjithë grupin parlamentar, se një pjesë e grupit që është pjesa më e madhe duan të zhvillohet seanca parlamentare dhe duan që të flasin. Nuk e meriton grupi parlamentar i PD aq më tepër që një pjesë prej nesh nuk janë as produkt i listave të mbyllura që të vijnë me kokën ulur këtu dhe të bëjnë veprime me regji”,-tha ndër të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

