Deputeti Rakipi aksidenton për vdekje kalimtarin, Policia: Si ndodhi dhe ç’tha kur u dorëzua

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, ka aksidentuar me pasojë vdekjen një 53-vjeçar. Sipas të dhënave të fundit, mësohet se pas aksidentit deputeti Rakipi është paraqitur vetë në Komisariatin nr.2 ku ka deklaruar se ka përplasur një person dhe kishte ardhur të dorëzohej.

Nga ana tjetër, Policia që ka nisur hetimin deklaroi se Rakipi nuk rezultonte të kishte pirë alkool. Aksidenti ndodhi në orën 4:41 minuta, ndërkohë që Rakipi në 4:51 minuta ishte dorëzuar vetë në Komisariatin nr.2 me gjithë makinën e tij të dëmtuar nga përplasja në pjesën e përparme ku ka deklaruar qartë se kishte përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Rreth orës 04:41, jemi njoftuar se në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me Tregun ushqimor ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete, dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, Komisariati i Policise nr.2 ka njoftuar që në këtë Komisariat është paraqitur shtetasi A.R., me automjetin e tij, tip Mercedes (i dëmtuar në pjesën e përparme të tij) i cili deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në Komisariat.

Ndërkohë është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në keto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas Ekspertit autoteknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e kembesorit S.S., rreth 53 vjeç.

SHKARKO APP