Deputetja e PD: Qeveria ju ngarkon 48 milionë euro taksa shtesë, bizneseve dhe qytetarëve
Qytetarët shqiptarë do tu duhet të paguajnë taksa të reja me fillimin e vitit të ri. Deputetja e partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar buxhetin e taksave që ka propozuar qeveria për vitin 2018.
Sipas Tabakut, qytetarët dhe bizneset do të duhet të paguajnë 48 milionë euro taksa shtesë për vitin e ardhshëm.
Ja fjala e plotë e Tabakut në Komisionin e Ekonomisë:
Buxheti 2018, 48 milionë euro taksa shtesë për qytetaret e bizneset. Favore fiskale për një grusht biznesesh. Antikushtetues!
E gjithë vëmendja e publikut, jo më kot, sot është fokusuar në debatin mbi vlefshmërinë dhe logjikën ekonomike dhe kushtetuese të Buxhetit të Shtetit. Fatkeqësisht, ajo çfarë na është paraqitur sot në Komision është vazhdimi i një politike të gabuar që vazhdon të ngulë gishtin në plagën e hapur në vitin 2014. Vazhdohet të thellohet akoma më tej problemi i borxhit, problemi i shpenzimeve dhe gjithashtu problemi i politikave fiskale.
Së pari, dua të sqaroj se Partia Demokratike në rastin e miratimit të Projektligjit të ofruar për TVSH-në, i cili kërkon t’i japë një të drejtë antikushtetuese qeverisë për të ndryshuar pragun e TVSH-së me VKM, do ta dërgojë këtë paketë në gjykatën Kushtetuese. Arsyetimi është i thjeshtë, neni 155 i Kushtetutës i jep tagrin vetëm institucionit legjislativ, pra parlamentit, që të vendosë taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimin ose përjashtimin prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve. Projektligji që ka propozuar qeveria do që këtë funksion që Kushtetuta ia jep parlamentit t’ia kalojë qeverisë, që kjo e fundit të marrë edhe funksionet e institucionit parlamentar përmes një VKM-je.
Së dyti, kjo paketë fiskale do të marrë nga xhepat e qytetarëve dhe nga arkat e Bizneseve të Vogla dhe ato që nuk janë pjesë e oborrit qeveritar 48 mln USD taksa dhe tatime. Nën moton e rilindur “Të bëjmë propagandë se populli do t’i paguajë taksat tona” qeveria vazhdon të sjellë në kuvend taksa që rëndojnë edhe më shumë xhepat e qytetarëve dhe bizneseve.
Së treti, qeveria parashikon rritje të taksave por jo miradministrimin e kësaj rritje, akoma më qartë; qytetarë do t’i paguani taksat e larta por qeveria nuk është e sigurte nëse paratë do të shkojnë në arkën e shtetit apo në xhepin e ndokujt!
Së katërti, qeveria vazhdon të na mbajë në errësirë për vlerën që do të kenë në buxhet dhe mbi të gjitha në deficitin buxhetor, koncesionet dhe projekti 1 mld euro që ka premtuar të implementojë në vitin 2018.
Më konkretisht
Në lidhje me paketën fiskale dhe veçanërisht taksat e reja të vendosura në të; dua të ritheksoj qëndrimin kundër të PD-së sa i takon tentativës së fshehur të qeverisë për uljen e pragut të TVSH-së në 2 mln lekë. Një lëvizje e tillë rëndon xhepat e konsumatorëve dhe fut në një skemë të ngatërruar bizneset e vogla, duke i ngarkuar ato me një taksë të re të fshehur. Kjo lëvizje është një përpjekje që të fshehë problemin real të evazionit fiskal, Biznesin e Madh. Jo më kot, FMN dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë këmbëngulin që kjo politikë të mos kryhet sepse do të sjellë më shumë probleme për BV.
Propozimi i qeverisë për të vendosur TVSH-në 6% për të gjitha shërbimet e hotelerive me 4 dhe 5 yje (kategorizim që qeveria do t’ia vendosë vetë atyre), përjashtimi i këtyre hoteleve nga taksa e ndërtimit dhe për dhjetë vjet nga tatim fitimi është pabarazia më e madhe që qeveria bën në kurriz të biznesit dhe në favor të oligarkëve.
Vendosja e taksës së pronës duke ndryshuar mënyrën e llogaritjes që për rrjedhojë do të sjellë edhe rritjen e saj, është një kosto e shtuar në kurrizin e qytetarëve. Një pensionist që ka një shtëpi të periudhës komuniste apo një shtëpi të vjetër tiranase do t’i duhet të paguajë për 100 metër katror 5.000 lek taksë për pronën.
Qeveria kështu i kërkon një pensionist të paguajë 2.000 lekë më shumë taksë mbi pronën por përmes një statusi të veçantë i dhuron një biznesmeni pranë saj shansin që të mos paguajë taksën e ndikimit mbi infrastrukturë.
Po kështu qeveria i kërkon kuvendit që t’i japë të drejtën antikushtetuese asaj për të caktuar si t’i teket pragun e TVSH-së. E mbi të gjitha, nesër do të përfshijë në zinxhirin e TVSH-së një Biznes të Vogël ndërkohë që do ta përjashtojë nga Tatimi mbi Fitimin si dhe do t’i dhurojë një TVSH me 6% biznesmenëve të veçantë.
Qeveria në projektbuxhetin që na ka servirur i rikthehet avazit të mos-rritjes së pagave. Një vit më parë shpenzimet për pagat u rritën 55 mln USD, edhe vjet ne ngritëm shqetësimin se kjo vlerë është më e ulët, qeveria këtë vit parashikon të shpenzojnë për pagat 10 mln USD. Pra 45 mln USD më pak për shpenzime tek pagat e buxhetorëve, por 48 mln USD më shumë taksa.
Të Përndjekurit Politikë vazhdojnë të jenë grupi i harruar i qeverisë ato vazhdojnë të marrin një vlerë prej 20 mln USD, një vlerë e cila edhe sipas raportit të KLSH është e pamjaftueshme dhe e zhvlerëson DETYRIMIN që shteti jonë ka karshi tyre. Sipas llogarive të KLSH, me këto hapa do të duhen rreth 16 vjet për ta shlyer vetëm detyrimin monetar karshi tyre. KLSH gjithashtu ritheksonte shqetësimin e ngritur nga ne, se qeveria nuk po shlyen më shumë detyrime ndaj ish të përndjekurve, në të kundërt ajo vazhdon sorollatjen e tyre.
Rriten shpenzimet e qeverisë për rikonstruksione zyrash, pajisje zyrash dhe makinash. Sipas një llogarie të thjeshtë me 18.4 mln US.