Deputetja e PD, Tabaku: Kush e ka radhën pas biznesit të vogël?
Vendosja e TVSH për biznesin e vogël është kthyer në një pikë të fortë debati ditët e fundit. Pjesë e debatit është bërë edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila sjell në vëmendje aforizmën e John Marshall “Fuqia për të taksuar është fuqia për të shkatërruar”.
Në faqen e saj në facebook, Tabaku shkruan se vendosja e TVSH për biznesin e vogël do të bëjë që 98% e bizneseve në vend të kenë produkte më të shtrenjta dhe më pak fitime. Sipas saj, qeveria po shkatërron çdo të ardhur të qytetarëve dhe çdo biznes, duke i ngarkuar me taksa të rënda.
“Fuqia për të taksuar është fuqia për të shkatërruar” kush më mirë se sa qeveria Rama 1 dhe Rama 2 mund ta zbatonin këtë aforizëm të John Marshall? Mbasi rritën me 1,5 mld USD taksat në ekonomi, mbasi rritën me 10 herë tarifat lokale për biznesin e vogël, këtë vit po planifikojnë të vendosin TVSH për Biznesin e Vogël. Si rezultat i kësaj 98% e bizneseve në vend do të kenë produkte më të shtrenjta dhe më pak fitime. 100, 000 biznese nga Janari do të detyrohen të mbijetojnë”, shkruan Tabaku.
Më tej deputetja shton se çdo ditë 40 biznese mbyllen, pasi taksat e rënda po shkatërrojnë biznes. ”Sot çdo ditë mbyllen 40 biznese. Po nesër çdo ndodhë? Po shkatërrojnë çdo të ardhur të qytetarëve dhe çdo biznes duke i ngarkuar me taksa të rënda që duhet të shlyejnë borxhet e qeverisë për koncesionet e miqve! Kush e ka radhën pas biznesit të vogël?”,-shton më tej deputetja.