Deri në fund të 2017 shkencëtarët mund të arrijnë rindërtimin e plotë të ADN-së

Deri në fundin e këtij viti, shkencëtarët mund të arrijnë të krijojnë një genom krejtësisht artificial të majasë. Ky zhvillim i shpejtë i inxhinierisë gjenetike mund të çojë një ditë drejt krijimit të organizmave shumë më komplekse, madje edhe të vetë njerëzve. Shkencëtarët thonë se janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet, por edhe për përfitimet e mundshme të jashtëzakonshme.

Për gati 4 mijë vjet, njerëzit e kanë përdorur majanë për të bërë bukë dhe pije alkolike. Shumë nuk e mendojnë se majaja është një organizëm i gjallë, raporton VOA.

Ashtu si qelizat njerëzore, qelizat e majasë kanë kromozome me segmente të gjata ADN-je ku përmbahet i gjithë informacioni që duhet për rritjen dhe riprodhimin e tyre. Teknologjia moderne u lejon shkencëtarëve të kopjojnë pjesëzat e prera të ADN-së, të njohura me emërtimet A, C, G dhe T.

Por, në eksperimentet e tyre me majanë në Universitetin “Boeke Lab” të Nju Jorkut, shkencëtarët përdorën një tjetër përqasje:

“Në vend që t’ja fillojmë me atë që ekziston në natyrë dhe më tej ta modifikojmë, ne mund t’ja fillojmë nga hiçi duke projektuar sisteme të tëra nga asgjëja. Do shikojmë nëse funksionojnë gjatë procesit”, thotë Leslie Mitchell, e Universitetit “Boeke Lab”.

Me ndihmën e një kompjuteri, pjesëza të ndryshme të segmenteve të ADN-së priten, p.sh. sekuenca T-A-G zëvendësohen me një sekuencë të krijuar artificialisht, T-A-A.

Deri më tani, shkencëtarët kanë krijuar dhe zëvendësuar gjashtë nga 16 kromozomet e majasë, dhe të gjitha kanë funksionuar mirë.

Studiuesit thonë se janë plotësisht të ndërgjegjshëm për pikëpyetjet etike që lindin prej eksperimenteve me ADN-në dhe duan të diskutojnë për këtë gjë.

“Në këtë debat duhet të përfshihen studiuesit e normave të etikës, hartuesit e politikave, zbatuesit e ligjeve, shkencëtarët dhe publiku i gjerë. Do të doja që nëna ime të ishte dakord me atë që bëjmë”, thotë Leslie Mitchell.

Por, studiues të tjerë që po eksperimentojnë me ADN-në, mezi presin rezultatet.

“Unë i kushtoj shumë vëmendje pjesës kur tregojnë se çfarë kanë mësuar prej procesit, pasi nëse nuk ia arrijnë dot me një organizëm të thjeshtë si majaja, atëherë unë nuk do t’ia arrij dot kurrë me një bimë”, thotë June Medford, e Universitetit të Kolorados.

Qëllimi përfundimtar është krijimi i një majaje sintetike që do të shërbente më shumë për prodhim ilaçesh apo karburanti. Studiues të tjerë thonë se inxhinieria gjenetike mund të krijojë bimë që pikasin ndotjen në ajër apo edhe praninë e eksplozivëve.

SHKARKO APP