Dështimi i qeverisë me rrugët, debate për shtyrjen e investimeve

Qeveria ka dështuar në ndërtimin e rrugëve edhe pse ky sektor, vijon të marrë buxhetin më të madh. Në aksin kombëtar Tiranë – Elbasan, kanë mbetur 13 kilometër, por në fakt ka tre vjet që ajo ende nuk po përfundon. By-Pass-si i Fierit, ishte gangrena e këtij sezoni veror, ndërsa Rruga e Arbrit, vijon të mbetet në letër. Këto shqetësime janë ngritur sot në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimeve për aktin normativ të buxhetit. Ministri i Financave tha se autostrada Tiranë-Elbasan kërkon para shtesë, por ajo që dihet është se do përfundoje për zgjedhjet e ardhshme, pra në qershor. Edhe pse ju premtoi dibranëve se do të ndërtohet Rruga e Arbrit, qeveria ende nuk e ka ndarë mendjen se si do të realizohet ky projekt, me fonde të buxhetit, me koncesion apo do të ndërtojë një rrugë alternative, siç është ajo e Librazhd-Dibër. E deri sa të merret ky vendim, qeveria mbyll mandatin e saj qeverisës.

Nga ana tjetër, investimet me fonde të huaja janë kthyer në një problem vërtet madhor. Shembulli më tipik ishte By-Pass-i i Fierit, i cili ka tejkaluar afatet e përfundimit, por Ministria thotë se do të nisë një grup inspektimi, për të verifikuar konfliktet e lindura dhe më pas t’i zgjidhë ato. “Një nga problematikat kryesore të “bypass”-it të Fierit është edhe kostoja e ulët jo reale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dyja “bypass”-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, tha Ahmetaj.

Por kjo deklaratë e ministrit ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e vetë socialsitëve të Komisionit të Ekonomisë. Kryetari i këtij komisioni, Erjon Braçe e quan të papranueshëm konfliktin e krijuar mes kiontraktorit dhe kompanive nënkontraktore, gjë që shkakton dhe reduktimin e investimeve me financim të huaj, të parashikuara në ndryshimet e buxhetit aktual. “E quaj të papranueshëm faktin që ka probleme midis kontraktonit dhe nënkontraktorit dhe në këtë histori involvohet qeveria. Qeveria mund të involvohet thjesht dhe vetëm për zbatimin e kontratës. Është momenti që të ndahen përgjegjësitë kur humbim afatet kontraktuale”, tha Braçe.

Ndërkaq, i vetmi projekt madhor që po merr lekë është ai i Unazës së Madhe të Tiranës, ku 1.1 miliard lekë u dhanë për këtë investim, para të cilat u mundësuan me aktin normativ të buxhetit, i cili mori miratimin e Komisionit te Ekonomisë me vetëm votat e mazhorancës, pasi opozita përfaqësohej vetëm nga deputetja e Vlorës, Liljana Elmazi.

Lidhur me aktin normativ të buxhetit, ministri i Financave tha se edhe pse ka ulje të të ardhurave me rreth 4,4 miliard lekë nuk preken ato tatimore, ndërkohë që janë parashikuar një sërë rialokimesh të fondeve për investime. Akti normativ  parashikon ulje të deficitit buxhetor dhe përdorimin për investime dhe reduktim të borxhit të rreth 2,2 miliardë lekëve të përfituara nga privatizimi i INSIG-ut.

SHKARKO APP