Dështimi i radhës në reformën për drejtësi

Nga Albana Bano/Para tre ditësh, palët politike shënuan një dështim tjetër në lidhje me arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Në media vazhdojnë interpretimet e secilit kah për arsyet pse nuk u arrit marrëveshja.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama deklaroi se do ta çojë reformën për miratim në Kuvend, pavarësisht faktit se drafti nuk gëzon mbështetjen e PD-së dhe spektrit të djathtë politik. Ky qëndrim i Ramës u mbështet nga ambasada e SHBA dhe e BE-së.  Megjithatë, është e rëndësishme që reforma në drejtësi të mbajë firmën e gjithë klasës politike shqiptare. Kjo pasi vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet zbatimi i duhur, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e saj (reformës).

Reforma në drejtësi është e një rëndësie madhore  për demokracinë dhe shtetin shqiptar. Prandaj pavarësisht se procesi i dakordësimit midis palëve nuk mund të zgjasë pa kufi, sërish parësore janë cilësia, mbështetja e plotë për reformën dhe shkundja njëherë e mirë e pjesës së inkriminuar nga supet e politikës në Shqipëri. Procesi i konvergimit të qëndrimeve pozitë-opozitë për drejtësinë, është i vështirë. Problemi qëndron në faktin se partitë politike nuk ngrihen dot mbi interesin e ngushtë partiak në të mirë të vendit, pasi ato pengohen nga pesha e rëndë e krimit dhe korrupsionit në radhët e tyre.

Jemi në një situatë, ku të dyja palët luftojnë të eliminojnë ato që nuk u pëlqejnë në draft dhe i tremben kapjes së shoshoqit. Secili grup beson se ai që do të kryejë reformën, do të kapë gjyqësorin dhe do ta përdorë atë kundër oponentëve politikë. Pra, po u miratua reforma gjatë mandatit të forcës qeverisëse (PS në rastin tonë), atëherë do të jetë opozita (PD-ja) ajo që do të pësojë ndëshkimin e  shpërpjesëtuar të drejtësisë së ngërthyer në duart e forcës në pushtet. Pikërisht ky interpretim me syzet e vjetra të politikës në Shqipëri, shpjegon pse Rama ngutet ta kalojë reformën në Kuvend sa më shpejt dhe pse Basha përpiqet ta bllokojë sa më gjatë të jetë e mundur.

Natyrisht që sikur u shprehën ambasada amerikane dhe ajo e BE-se me anë të deklaratave të sotme, herët a vonë reforma do votohet, pasi angazhimi i BE-SHBA, si dhe pritshmëritë e publikut vendas e të huaj, ushtrojnë një presion shumë të madh mbi politikën shqiptare. Problemi është nëse reforma do të rezultojë e suksesshme dhe e qëndrueshme, duke ditur se politikanët nuk e duan zbatimin rigoroz të saj.

Se pse nuk e duan është e qartë: liderët tanë preken individualisht në një masë të madhe nga reforma dhe e trajtojnë atë ngushtësisht si çështje personale. Prandaj, miratimi i saj është kthyer në një fushë-betejë politike, e përmasave të tilla sa mund të dëmtojë seriozisht jo vetëm stabilitetin e vendit, por dhe proceset strategjike për Shqipërinë si integrimi në Bashkimin Europian.

Si konkluzion, cili mund të jetë fati i reformës në gjyqësor? Natyrisht që, skenarët janë: miratimi i reformës pa konsensus, arritja e një marrëveshjeje midis palëve ose mos-miratimi i reformës. Opsioni i parë, pavarësisht se siguroi mbështetjen paraprake të SHBA dhe BE, rrezikon të minojë qëndrueshmërinë e reformës dhe të krijojë situata të padëshiruara në vend.

Opsioni i tretë dëshmon kapitullimin e shtetit para krimit, korrupsionit dhe i heq vizë marrëdhënieve tona me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Zgjidhja e vetme është apo duhet të jetë konsensusi midis palëve politike. Vetëm kështu garantohet që reforma nuk do të jetë selektive dhe askush nuk do t`i shpëtojë penalizimit prej saj, pavarësisht përkatësisë politike, autoritetit apo hierarkisë në pushtet.

SHKARKO APP