Dështojnë koncesionet e HEC-eve. Qeveria: U dhanë në mënyrë të korruptuar

 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se pjesa dërrmuese e hidrocentraleve të dhëna me koncesion, kanë dështuar dhe me gjasa nuk mund të ndërtohen.

“Tani nëse janë 353 koncesione dhe vetëm 53 kanë funksionuar, 300 të tjera janë abuzivë. Ato koncesione kanë dështuar për dy arsye kryesore. E para është që kanë ardhur jo me projekt, por kanë abuzuar të drejtën korruptive të kontaktit me administratën e lartë dhe me drejtuesit e ministrive. E dyta është që nuk kanë pasur financime. Të japësh koncesion dikujt pa mbështetje financiare, kjo është abuzivitet, korrupsion”, deklaroi Ahmetaj.

Qeveria thotë se përballë këtij ngërçi ka vendosur të ndryshojë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, i cili sipas Ahmetajt nuk lejon më abuzime.

“Dikush mund të vinte me tri fletë, me tri copa letre dhe ta quante propozim të pakërkuar. Që këtu niste abuzimi. Tani administrata nuk ka për të pranuar një ofertë minimaliste. Do të duhet që ai që bën një ofertë të pakërkuar, do të duhet të bëjë një ofertë që është një paraprojekt i avancuar, ose një projekt i plotë”, shtoi ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Veç forcimit të garancive, ligji i ri, sipas Ahmetajt, shkurton kohën e lejeve dhe procedurat burokratike për dhënien e një koncesioni nga 272 ditë që është sot, në 150 ditë.

Paralelisht ligji i ri i hap rrugë koncesioneve dhe investimeve të përbashkëta shtet-privat edhe në sektorin e bujqësisë, të cilat deri më tani kanë qenë të përjashtuara. Përballë mungesës së parave publike, Qeveria shpreson që përmes kësaj rrugë të tërheqë kapitalin privat për të financuar./Top Channel

SHKARKO APP