Deutsche Telekom angazhon 1 milionë njerëz në ndihmë të luftës kundër demencës

Vetëm dy javë pas prezantimit të projektit për të ndihmuar kërkimet shkencore në luftën kundër demencës, loja e krijuar nga Deutsche Telekom është shkarkuar nga mbi një milionë persona. Në këtë nismë të përmasave botërore, Deutsche Telekom gjendet përkrah partnerëve ndërkombëtarë nga fusha kërkimore dhe akademike. Opinioni i personave që kanë luajtur këtë lojë në mbarë botën është shumë pozitiv. Në App Store dhe Google Play, rreth 45 mijë lojtarë e kanë vlerësuar atë mesatarisht me pesë yje.

Falë Sea Hero Quest, kërkimet për demencën kanë bërë një hap të madh përpara. Deutsche Telekom krijoi këtë projekt për të shfrytëzuar për një qëllim të mirë rreth tre miliardë orë që njerëzit kalojnë çdo javë duke luajtur në celular. Duke shkarkuar dhe luajtur Sea Hero Quest secili ofron kohën e tij për t`iu ardhur në ndihmë shkencëtarëve në mbledhjen e të dhënave të çmuara lidhur me  sensin e orientimit.

Hans-Christian Schëingen, Drejtori i Brandit në Deutsche Telekom, komentoi: “Reagimi pozitiv ndaj projektit në fjalë ka qenë i jashtëzakonshëm. Njerëzit në mbarë botën janë frymëzuar për të shkarkuar Sea Hero Quest, dhe kanë realizuar më shumë se 11 vite lojë. Në 50 shtete, loja është renditur në 10 vendet e para në App Store dhe Google Play. Ky është një sukses spektakolar në fushën e kërkimeve dhe shkencës në luftën kundër demencës.”

Kolegji Universitar i Londrës do të jetë në krye të analizimit të të dhënave të gjeneruara nga loja në muajt e ardhshëm. Michael Hornberger, Profesor për studimin e demencës në Universitetin e Anglisë Lindore dhe një nga shkencëtarët kryesorë të projektit komentoi: “Për mbledhjen e të dhënave për sensin e orientimit të gjeneruara deri më tani nga lojtarët e Sea Hero Quest, shkencëtarëve do t’iu duheshin më shumë se 1,500 vite punë në kushte laboratorike. Me qëllim krijimin e një standardi të vërtetë krahasues për sensin e orientimit të qenieve njerëzore, është e rëndësishme që në Sea Hero Quest të marrin pjesë dhe t’iu përgjigjen pyetjeve kryesore shkencore sa më shumë lojtarë me moshë, gjini e nga vende të ndryshme.”

Për shumë njerëz që vuajnë nga demenca, një nga vështirësitë e para që ata përjetojnë është humbja e sensit të orientimit, duke qenë se humbasin aftësinë për t’u orientuar madje edhe në vende apo ambiente që i njohin mirë. Krijimi i një standardi krahasues botëror rreth mënyrës sonë të orientimit pranohet gjerësisht si një nga hapat kyç drejt zhvillimit të testeve të reja diagnostikuese për sëmundjet që shkaktojnë demencën. Nëpërmjet lojës Sea Hero Quest, shkencëtarëve iu ofrohen të dhëna anonime rreth sjelljes dhe sensit të orientimit të çdo lojtari.

Deutsche Telekom e zhvilloi Sea Hero Quest në bashkëpunim me organizatën angleze Alzheimer’s Research, Kolegjin Universitar të Londrës, Universitetin e Anglisë Lindore dhe kompaninë e zhvillimit të lojërave Glitchers. Sea Hero Quest është e disponueshme për t’u shkarkuar në mbarë botën për pajisjet celulare iOS dhe Android, dhe mund të shkarkohet falas nga App Store dhe Google Play.

Më shumë informacion rreth projektit shkencor dhe lojës është i disponueshëm në www.seaheroquest.com.

Rreth Deutsche Telekom

Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 156 milionë abonentë celularë, 29 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 18 milionë linja broadband (deri më 31 dhjetor 2015). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim celular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 225 200 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2015 ishin 69,2 miliardë euro dhe rreth 64% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.

SHKARKO APP