Deutsche Telekom prezanton konkursin ndërkombëtar Fashion Fusion

Teknologjia dhe moda bashkohen në një për të krijuar veshje inteligjente. Deutsche Telekom prezanton projektin “Fashion Fusion”.

Nxitja e ideve përparimtare për modën e së nesërmes është pjesë e planit të Deutsche Telekom për t’u shndërruar në një markë që ofron dixhitalizimin në çdo aspekt të jetës së përditshme. Në bashkëpunim me partnerë të njohur, Deutsche Telekom hap konkursin “Fashion Fusion”. Nëpërmjet këtij konkursi ndërkombëtar, të rinjve do t’ju ofrohet mundësia unike për të pasur ndihmën e ekspertëve më të mirë të industrisë, fushës së modës dhe kompanive të reja të biznesit me qëllim realizimin e koncepteve të tyre vizionare për veshje teknologjike, aksesorë elektronikë, produkte moderne dixhitale, si dhe  prezantimin e tyre në treg.

Partneriteti është një koncept kyç për Deutsche Telekom, i cili e prezanton këtë nismë novatore së bashku me disa partnerë të rëndësishëm. Kompania botërore e teknologjisë Intel dhe revista Wired do ta mbështesin “Fashion Fusion” me ekspertizë, materiale dhe përpjekje energjike. Ndërkohë, marka e famshme sportive Adidas do të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e modës nëpërmjet Dirk Schönberger, i cili është pjesë e jurisë së Fashion Fusion. Ndërsa eksperti ndërkombëtar dhe novator në industrinë e modës, PREMIUM dhe #FASHIONTECH do të ofrojë kuadrin profesional në prezantimin e Fashion Fusion.

Ky konkurs ndërkombëtar mbështetet në mënyrë të veçantë nga Claudia Nemat, anëtare e Bordit Drejtues të Deutsche Telekom dhe përgjegjëse për Evropën dhe Teknologjinë, e cila shprehet se ky projekt është pjesë e strategjisë novatore afatgjatë të kompanisë. “Suksesi i ardhshëm në fushën e modës do të jenë veshjet dhe aksesorët inteligjentë të lidhur në rrjet. Konceptet vizionare të sotme mund t’i keni nesër të varur në dollapin tuaj. Ja përse të qenit partner për produkte dhe shërbime novatore inteligjente është diçka kaq e rëndësishme për ne. Me “Fashion Fusion” ne po lidhim partnerë të rëndësishëm dhe talente premtuese në mbarë Evropën dhe iu ofrojmë këtyre të fundit mundësinë që t’i shndërrojnë vizionet e tyre në realitet.”

Faza e aplikimit për konkursin është hapur tashmë. Studentët, profesionistët dhe kompanitë e reja të industrisë së modës, stilimit dhe teknologjisë mund të paraqesin konceptet e tyre deri më 1 gusht 2016. Aplikuesit mund të regjistrohen në një nga tre kategoritë e mëposhtme: Aksesorë dhe Pajisje të Lidhura, Moda Dixhitale dhe Shërbime Inteligjente.

Një juri me përfaqësues prestigjiozë të industrisë si: Anita Tillman, (Premium Exhibition), Dirk Schönberger (Adidas), Christin Eisenschmid (Intel në Gjermani), Gesche Joost (Digital Champion) dhe Nikolaus Röttger (Kryeredaktor i revistës Wired për Gjermaninë) do të përzgjedhin idetë më të mira.

“Mund të krijohet një orë inteligjente apo një çantë që ka një karikues me energji diellore. Veshje sportive inteligjente dhe të qëndrueshme me material apo produkte ricikluese, apo dhe xhaketa tek të cilat aktivizohet modaliteti për një izolim më të mirë gjatë dimrit. “Fashion Fusion” mbështet idetë dhe konceptet vizionare që kanë potencialin afatgjatë për ta provuar veten në treg”, shpjegon Lisa Lang, producentja e Smart Fashion, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e këtij konkursi.

Në thelb të projektit është Laboratori Fashion Fusion, një trajnim tremujor, ku deri në dhjetë ekipe të përzgjedhura do të punojnë për të perfeksionuar konceptet e tyre të modës. Së bashku me ekspertët e industrisë dhe specialistët e fushës së modës dhe teknologjisë novatore, këto ekipe do të prodhojnë modele të një cilësie të lartë të koncepteve të tyre. Pjesëmarrësit mund të përfitojnë nga ekspertiza e konsiderueshme e Laboratorit dhe nuk do t’ju mungojë akomodimi dhe të gjitha materialet e nevojshme për realizimin e koncepteve të tyre. Laboratori është një platformë e hapur novatore që mbështetet nga hub:raum, platforma e Deutsche Telekom për sipërmarrjet e reja.

Konkursi i parë Fashion Fusion do të kulmojë me prezantimin e modeleve në #FASHIONTECH gjatë Javës së Modës në Berlin në Janar 2017. Ekipi më i mirë do të fitojë një çmim prej 20,000 euro dhe mundësinë për të prezantuar në treg krijimin e tij, së bashku me Deutsche Telekom dhe partnerët e tij.

Fashion Fusion është një projekt afatgjatë dhe mund të sjellë çdo vit hapësira bashkëpunimi dhe seminare në metropole të ndryshme evropiane.

Për më shumë informacion në lidhje me idetë konkurruese për “Fashion Fusion” mund të vizitoni: fashionfusion.telekom.com

Rreth Fashion Fusion

“Fashion Fusion” është një projekt i Deutsche Telekom që ka qëllim të zhvillojë koncepte dhe shërbime inteligjente të cilat janë të përshtatshme, funksionale, të qëndrueshme dhe të kërkuara në fushën e modës, dhe që ua pasurojnë jetën njerëzve. Ky konkurs bazohet në idenë për të bashkuar modën dhe teknologjinë duke mbështetur idetë novatore dhe zhvillimin e tyre në treg. “Fashion Fusion” mbështetet nga Intel, Wired, Adidas dhe Premium Exhibition.

Rreth Deutsche Telekom

Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 156 milionë abonentë celularë, 29 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 18 milionë linja broadband (deri më 31 dhjetor 2015). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim celular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 225 200 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2015 ishin 69,2 miliardë euro dhe rreth 64% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.

SHKARKO APP