“Dhembje koke” për siguruesit – Rritje e lartë e dëmeve nga sigurimi i shëndetit

Sigurimet e shëndetit po shkaktojnë dëme në rritje për kompanitë e sigurimeve. Bëhet fjalë për produktet e sigurimit të aksidenteve në udhëtim dhe sigurimit të sëmundjeve, që për 9 muajt e këtij viti janë ndër klasat me rritjen më të lartë të vlerës së dëmeve të paguara.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet nga sigurimi i aksidenteve për 9-mujorin janë rritur me 165% dhe tani zënë afro 4% të totalit të dëmeve në sigurime. Ndërkohë, dëmet nga sigurimi i sëmundjeve janë rritur me 69% dhe tashmë përbëjnë mbi 14% të dëmeve të paguara nga siguruesit për këtë periudhë.

Shtimi i dëmeve në këto klasa reflekton rritjen e lartë të primeve nga këto produkte gjatë viteve të fundit. Sigurimi i aksidenteve mori veçanërisht hov që nga fundi i vitit 2010, pas heqjes së vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Polica e sigurimit ishte një dokumentet e nevojshme për të mund të udhëtuar pa viza drejt vendeve të unionit. Edhe sigurimet e shëndetit janë rritur gjatë viteve të fundit, duke ju mundësuar shqiptarëve marrjen e shërbimeve në klinika dhe spitale private.  Ky produkt ka tërhequr interes, sidomos për shkak të standardeve të dobëta të shërbimit në sistemin shëndetësor publik. Por, rritja e shpejtë e primeve në vitet e fundit tashmë po sjell si rrjedhojë logjike edhe rritjen e dëmeve.

Deri tani, sigurimi i shëndetit po rezulton një aktivitet me humbje për siguruesit. Vitin e kaluar, rezultati teknik apo raporti mes primeve dhe shpenzimeve totale për sigurimin e shëndetit ishte negativ në vlerën e 19 milionë lekëve.

Ky ishte i treti vit radhazi që bilanci nga këto produkte u mbyll me humbje, ndërsa duke parë tendencën e 9-mujorit, gjasat janë që edhe ky vit të mbyllet me një rezultat teknik me humbje.

SHKARKO APP