Dhuna në familje, problem shqetësues në Berat
Dhuna në familje njeh përmasa alarmante në Berat, ku çdo ditë raportohet nga një rast i ri. Sipas policisë rastet më të shumta të dhunës janë nga gratë që denoncojnë bashkëshortët. Shtimin e numrit të denoncimeve për këtë vit e konfirmon dhe Arta Dyrmishi, drejtuese e një organizate në mbrojtje të grave dhe vajzave në Beratit.
Arta Dyrmishi: “Ka pasur shumë raste që ato vijnë shumë të traumatizuara dhe thonë që nuk e dua më jetën, nuk shkoj as në polici, as në gjykatë pasi nuk do të bëjnë asgjë, do të më japin vetëm 6 muaj urdhër mbrojtje dhe unë përsëri do të kthehem tek ajo dhunë, tek ai ferr.”
Dyrmishi shprehet se institucioni i Bashkisë deri më sot vetëm verifikon rastet, ndërkohë pranë Qendrës Rezidenciale për Gratë e Dhunuara, një investim i TIKA çdo ditë marrin ndihmë psikologjike gra të tilla.
Ajo ngre si shqetësim faktin se mungesa e perspektivës dhe e të ardhurave bën që gratë mos të kenë mundësi as të kërkojnë divorcin në gjykatë dhe në jo pak raste i tërheqin denoncimet.