Dhunoi 15-vjeçaren me ngjyrë, jep dorëheqjen nga policia
Polici, i filmuar duke u përleshur me një vajzë me ngjyrë në Teksas të Shteteve të Bashkuara, e duke i drejtuar armën disa të rinjve që festonin, është larguar nga detyra.
41-vjeçari Eric Casebolt, sipas zyrtarëve vendas, paraqiti dorëheqjen me vullnetin e tij.
Në filmimin e realizuar të premten, polici i bardhë shihet duke e goditur me gjunjë 15-vjeçaren Dajerria Becton.
Autoritetet sqaruan se, Casebolt i ishte përgjigjur raporteve për prishjen e qetësisë publike nga një festë në pishinë. Ndërhyrja e tij, megjithatë, ka qenë aq e ekzagjeruar, sa edhe vetë shefi i policisë së McKinney-it, Greg Conley, e pranoi se për 41-vjeçarin nuk kishte justifikim.
“Sjellja e Casebolt nuk mund të mbrohet. Forcat tona policore, trajnimi ynë, praktika jonë nuk i mbështesin të tilla veprime. Siç e tregon dhe videoja, ai ka dalë jashtë kontrollit. Kisha 12 efektivë në vendngjarje dhe 11 prej tyre u sollën ashtu siç edhe janë trajnuar; të gjithë ata bënë një punë të shkëlqyer”, tha Greg Conley, shefi i policisë në McKinney, Teksas.
Pas ngjarjes, Casebolt u pezullua përkohësisht nga detyra, por më vonë qindra njerëz marshuan në zonën e incidentit me thirrjet për shkarkimin e tij.
Verifikimet mbi incidentin e së premtes vazhdojnë, megjithatë udhëheqës të të drejtave të njeriut në McKinney nuk kënaqen me kaq, e kanë kërkuar edhe hetim nga Departamenti i Drejtësisë.
Disa banorë të zonës, sidoqoftë, i mbrojtën veprimet e policit, që dha dorëheqjen pas 10 vitesh shërbimi.
TCH