Dialogu qeveri-fermerë, Rama: Mbështetje për sipërmarrësit
Kreu i qeverisë shqiptare ka premtuar më shumë mbështetje, si dhe financim për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë. Në aktivitetin për prezantimin e “Fondit Kombëtar të Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural”, dialogu QeveriBanka –Fermerë, kryeministri Rama është shprehur se është prioritet i qeverisë që ai drejton që sektori i bujqësisë të kthehet në një lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Rama tha gjithashtu se AZHBR do të funksionojë si një ndërmjetësues mes bankave dhe sipërmarrësve në fushën e bujqësisë, në mënyrë që këtyre të fundit t’u ofrohet më shumë mbështetje, dhe të mos hasin probleme gjatë realizimit të procedurave të financimit.
“Janë transformuar shifrat e prodhimit, përpunimit dhe transportit të tyre, ka përmirësime. Ne duam të shkojmë një hap më tutje, duke kërkuar që në bashkëpunim me bankën, të vendoset në qendër të vëmendjes si një nga prioritetet kryesore, nxitja me instrumente financiare, rritja e prodhimit dhe zhvillimit të ciklit të mbyllur në bujqësi. Synojmë të kthejmë AZHBR në një ndërmjetës mes sipërmarrësit dhe bankave. E reja që synojmë është që marrëdhënia me bankat mos të jetë e drejtpërdrejtë, mes bankave dhe sipërmarrësve, pro të jetë mes bankave dhe agjencisë tonë të financimeve në mënyrë që të gjitha vështirësi që i has një sipërmarrës në fushën e bujqësisë, të neutralizohen dhe të realizohen nga agjencia. Ne kemi dhënë shembuj seriozë në këto 18 muaj, dhe synojmë nxitje për bujqësinë duke ofruar mbështetje për sipërmarrësit. Problemi që kanë sot fermerët është se nuk mund ta bëjnë procesin e komunikimit me bankën vetëm, dhe madje nuk mund të përballojnë interesat e larta”, tha kryeministri Rama.