Diaspora e guximit dhe Shqiperia e durimit!

Nga Arian Galdini/Ne shqiptaret jemi ne ate kohen kur bejme mire ta qartesojme me veten tone mbi cka jane guximi dhe durimi per ne. Jo cdo shperthim, gjest a marrezi mund te konsiderohet si guxim. E as cdo terheqje, pranim a leshim, nuk do te mund te shihen gjithesesi si durim.
Guximi dhe durimi jane cilesi te karakterit. Nderkohe qe cilesite jane domosdoshmerisht vlere.
Dyshimi im, i pastudiuar e i paverifikuar socilogjikisht apo antropologjikisht, por vetem i hamendesuar prej pervojes, vezhgimit te kujdesshem dhe  reflektimeve te mia personale, eshte se te guximshmit ne vendin tone kane zgjedhur te ikin.
Kane ikur sepse mes zgjedhjes per ta pranuar kete vend si jetëkeqës apo ikjes prej tij per te rifituar jeten, kane zgjedhur te ikin. Kjo nuk do te thote se me ikjen kane zgjedhur mes jetes dhe atdheut. Aspak. Guximi i tyre jetefitues i ka bere edhe atdhedadhes te vyer.
Ne qe kemi mbetur ketu, themi se po durojme atdheun tone. Shpesh vuajme aq shume ketu, zhgenjehemi e lendohemi sa me s’mbajme dot e behemi aq noprane sa mendojme e shprehemi se atdheun e meritojne ata qe e durojne.
Keta qe kane patur guximin te ikin, nuk duam ti perfshijme ne ceshtjet e atdheut ku ne po mbijetojme. Kjo eshte arsyeja pse ua kemi premtuar e kurre nuk ua kemi dhene as rregjistrimin e as te drejten e votes.
Ua kemi mare parate qe na kane derguar per te na mbajtur frymen gjalle a per te bere ndonje pune te hajrit, por kurre nuk ua kemi hapur portat shteterore, institucionale e ligjore qe ata te jene pjese e perfaqesimit dhe vendim-marrjes politike ketu.
Ikja e tyre, edhe pse te gjithe jane familjaret tane, te afermit tane, fqinjet tane a te njohurit tane, na ka bere me te pakte ketu, por cuditerisht aspak bujare e mendjehapur qe ti ftojme e perfshijme si perfaqesues e vendim-marres politike. Fakti qe jemi bere me te pakte, paradoksalisht na ka krijuar edhe iluzionin se edhe atdheu na eshte zvogeluar.
Ky iluzion na ka zhytur ne pezmin se ketu nuk kemi cte ndajme e cte mbajme per vete, e jo me te na vijne e te na votojne a perfaqesojne edhe ata qe kane ikur.
Kjo mendesi e artikuluar politikisht dhe ushtruar me vullnet nga Partite Politike qe na kane qeverisur e sunduar ne keto 25 – 26 vite, ka sjelle moskrijimin e asnje kushti a rregulli a strukture institucionale apo ligjore per te rregjistruar cdo shqiptar ne Diaspore e per tu dhene atyre te drejten e votes.
Kjo shpirtngushtesi politike ka ardhur jo prej atdheut te zvogeluar, por prej atdheut te zaptuar.
Zaptimi i atdheut prej pakicave politike plackitese, ka lene gjithnje e me pak vend per ne qe mbijetojme ketu.
Jane keto pakica qe kane mbyllur, ngushtuar a asgjesuar hapesirat demokratike, lirite, te drejten e votes, zgjedhjet, konkurencen, garen, rregullat e lojes, lirine dhe ndershmerine ekomomike.
Jane keto pakica qe po grabisin prona, buxhetin e shtetit, po shesin vendet e punes, po na e mbysin Shqiperine me kanabis dhe plehra.
Jane keto pakica qe po na varferojne cdo dite mendjet per te na blere shpirtrat, e varferojne xhepat per te na blere votat.
Dhe ne qe mbijetojme ketu quhemi te duruarit. Ne durojme atdheun, durojme jeten e keqe, durojme pashpresesine, durojme arrogancen e sunduesve, durojme horrat e trafikantet qe behen deputete, durojme rrugacet e perdhunuesit qe na behen Kryetare Bashkie, durojme cubat qe na menaxhojne votat, durojme zuzaret qe na percmojne nga zyrat e shtetit, durojme militantet qe na marin frymen, durojme taksidaret qe na gjobisin per vete dhe per shtetin, e keshtu me rradhe durojme gjithcka te keqe qe na ka pllakosur, deri sa ne fund durojme edhe pafundesisht Kryeministrin te na flase pacipesisht per sukseset e tij e per verbtesine e sharlatanizmin tone qe nuk e kuptojme dot ate.
Ky nivel e soj durimi, a eshte cilesi, a eshte vlere? Nuk e besoj.
Te durosh nuk do te thote te pajtohesh e bashkejetosh me te keqen. Durimi eshte cilesi qe u jep kohe e mundesi te mirave te shfaqen. Durimi nuk eshte ulje cadre per ta lejuar bresherin e te keqijave qe te te beje qull deri ne ashte.
Ne jemi krejt ne keqkuptim e gabim kultural kur vetekonsiderohemi si te duruar. E verteta eshte qe ne jemi te gjithe te dorezuar. Per kete arsye them se guximtaret kane ikur.
Guximtaret jane ata qe besojne tek aftesia e tyre per te bere nje jete me te mire me punen, profesionin, talentet, zotesite, kreativitetin, imagjinaten, mendimet, mundin, sakrificat, ndershmerine, konkurueshmerine dhe dinjitetin e integritetin e tyre.
Guximtare nuk jane ata qe shkelin, abuzojne, shperfillin ligjin, qe rrezikojne koken mes keqberjeve e ligesive per tu pasuruar shpejt, as ata qe sundojne duke plackitur e neperkembur vendin dhe qytetaret e tyre.
Guximtare nuk jane as ata qe me porosi, urdher a ndjesi partie protestojne kunder udheheqesit a partise kundershtare. Te jesh pjese e nje bande e te besh punen a kryesh rolin tend ne luften mes bandave, nuk je aspak guximtar. Je thjesht nje luftetar i se keqes qe me se pari nuk ke respekt per veten, e jo me per te tjeret.
Gabimisht ne guximtare quajme ata qe shesin droge per te fituar para te shumta e shpejt. Ne guximtare quajme ata qe meren me politike per te na sunduar e plackitur neve. Ne guximtare quajme ata qe u sherbejne si ushtare a firmetare te bindur trafikanteve dhe politikaneve hajna.
Gabimisht quajme veten te duruar, pikerisht sepse i pranojme, i lejojme, heshtim dhe nuk pipetijme kur na poshterojne e shkelin me kembe trafikantet dhe politikanet batakcinj.
Nen kete kontekst, them e shpreh se kam drojen se kur Kryeministri Edi Rama mori nismen per te thirrur Samitin e Diaspores, kreu nje pune te mire per qellime me se paku te paqarta, me se shumti te ligeta.
Ai thirri guximtaret e vertete si guximtar i gabuar dhe i marre prej marifetciu, per tu thene se ai e di cfare duan ata e cduhet bere per ta, por qe ata duhet te bejne durim edhe nje mandat tjeter te fituar prej ketij, qe te ngjajne me ne durimtaret e gabuar.
Samiti u be si ai topi i pasuar bukur ne mesfushe nga portieri, te cilin kur sulmuesi e sheh ti vije ngase e di qe nuk ben dot gol, e ndal me gjoks e ia nis te beje xhonglime qe te mare duartrokitje derisa ta humbase ose pasoje mbrapsht topin.
Nuk kishte Projekt, nuk kishte objektiva, nuk kishte asnje produkt, pervec miresise se mbledhjes se te gjithe atyre qe erdhen.
Ngase nuk e kam per formim e kulture, thjeshte intepretimin e atyre qe u mblodhen, nese ishin te majte apo jo, nese ishin te gjithe apo jo, nese ishin bashkues apo jo, nese ishin perfaqesues apo jo, etj, etj,  kam ndermend ti qendroj logjikes se parashtruar qe ne krye te ketyre rradheve.
Ndaj shtroj pyetjen: A mund te thirren guximtaret e vertete, per tu bere te duruar si ne ketu?
A mund te pajtohen me dorezimin, ata qe iken qe te mos dorezohen?
A mund te konvertohen ne guximtare te rrejshem ata qe punojne ndershmerisht ne atdheun e tyre te ri, ata qe kane sipermarrje e profesione te nderuara e arritje plot dinjitet atje ku kane ndertuar jeten e re?
A mund te behen bashkefajtore me te ligjte qe na Sundojne si Qeverises e Plackites, guximtaret qe iken nga Shqiperia per te mos u bere as te dorezuar e as te implikuar ne kete vend?
Kurresesi.
Gjuetia e Kryeministrit per te peshkuar a gjetur guximtare te rrejshem edhe atje ne detin e madh te Diaspores nuk eshte se nuk ka gjasa te dale me sukses te deridikushem, por nuk mundet te perkufizoje e as permbajtesoje te gjithe Diasporen.
Ne qytetaret e Shqiperise, partite politike dhe politikanet e vendit tone, bejme mire qe ketej e tutje te bejme gjithcka, te pamunduren qe guximtaret e Diaspores ti bejme pjese te zhvillimit te atdheut tone te perbashket.
Ata jane ne, e ne jemi Ata.
Nuk mund ti therrasim ne folete e qyqeve per ti bashkefajesuar apo perdorur ne babezine e pakicave plackitese politike qe na sundojne, per te bere me te vogel atdheun e me te pakte shqiptaret.
Nuk mund te perdoret Diaspora per te zvogeluar atdheun tone, e per te pakesuar shqiptaret ne kete atdhe.
Ta bejme Shqiperine nje atdhe te madh qe se bashku me Diasporen ta bejme edhe me madheshtor.
Te ndajme mendjen per tu ndare perfundimisht nga pakicat plackitese politike, nga trafikantet politikane, e politikanet trafikante, nga kanabisi dhe plehrat, nga mafia dhe keqberesit.
Ti ftojme guximtaret e Diaspores ne e me nje projekt madhor per ti bere edhe shqiptaret qe jane ende ne Shqiperi, si guximtare te vertete te kreativitetit, imagjinates, lirise, dinjitetit, konkurueshmerise e vlerave.
Te bashkojme energjite dhe imagjinaten qe atdheu te behet cdo dite e me i madh e shqiptaret ne të, të shtohen e  te mbjellin cdo dite shprese per te korrur zhvillim e madheshti.
Ti rregjistrojme, tu japim te drejten e votes, ti therrasim qe te vijne ketu per ta bere Shqiperine si aspiratat me te mira te vendeve ku jetojne ata.
Shqiperine e bejne guximtaret. Diaspora jane guximtaret. Ne duhet ti ftojme e tu kerkojme atyre te vijne ketu per te na bere edhe neve qe te behemi guximtare te vertete.
Vetem keshtu, ne se bashku, si bashkeautore te nje Shqiperie guximtaresh, do te behemi edhe ndertues e realizues te nje Shqiperie Europiane.

SHKARKO APP