Disa çështje lidhur me zbatimin e rregullave
Nga Sadedin Çeliku/Sigurisht nuk ka qytetar që se dëshiron shtetin ligjor,disiplinën dhe zbatimin e rregullave kur ato kanë interes publik dhe janë në dobi të publikut. Por kur ato zbatohen në mënyra parciale ose kur deformohen gjatë zbatimit është e natyrshme që bëjnë efekte negative ose ato bëhen të padobishme.
Kështu, janë qindra ligje që ekzistojnë në letër por nuk gjejnë zbatim në praktikë, ka ligje të tëra që në zbatim të tyre nuk janë hartuar aktet normative dhe kësisoj bëhen të pavlefshme. Shpesh ligjvënësit apo nëpunëset që punojnë në organet e larta të ekzekutivit, rendin ose vuajnë nga sindroma e integrimit sepse mendojnë që ligjet duhen bërë si vendet e Bashkimit Europian dhe e konsiderojnë sektorin të integruar,pa i përshtatur ato,dhe pa i hartuar në kushtet konkrete të vendit tonë. Kjo ka sjellë mungesë efektiviteti,anarki gjatë zbatimit ligjit dhe jo pak anomali në mirëqeverisjen e vendit.
Në fushën e shërbimeve të transportit rrugor kohët e fundit janë dhënë e konçensionuar disa shërbime që bien ndesh me interesat e drejtuesve të automjeteve dhe me kodin rrugor (ligjin), por ka dhe mjaft probleme që janë me pasoja serioze për njerëzit.
Bie fjala,sistemi i ri në pikë parashikon 20 pikë të plota për çdo drejtues automjeti. Kështu për tejkalim shpejtësie hiqen tre pike kur shkelja bëhet për herë të parë,pesë pikë kur shkelja është për herë të dytë dhe tetë pike në rast përsëritje. Ju hiqen dhjetë deri pesëmbëdhjetë pikë njëherësh në se kundravajtja lidhet me përdorimin e drogave ose kur nuk u ndalon organeve të policisë rrugore.
Ndryshimet në fjalë vështirë se zbatohen korrektësisht sepse policia rrugore nuk ka aparate që të vërtetojnë kur drejtuesi i automjetit është përdorues droge,kur është i dozuar apo ka marrë lëndë të tjera narkotike. Shpejtësia e automjetit kur është me tejkalim, pra kundravajtje, vështirë se matet me ato dylbi dixhital, të cilat qysh prej importit nuk janë kolauduar asnjëherë. Në këto kushte i bie që drejtuesve t’u bihet në qafë kot pse jo dhe të dënohen e gjobiten pa arsye.
Kontrolli i drejtuesve nën ndikimin e alkoolit sipas nenit 184 pika 4 e Kodit Rrugor, kryhet sipas analizave të ajrit që del gjatë frymëmarrjes. Kur përqendrimi i alkoolit del nga 02-05 gram për litër,drejtuesi është nën ndikimin e alkoolit dhe konsiderohet i dehur kur ky përqendrim është mbi 0,5 gram/litër. Si mundet të futen në burg drejtuesit e automjeteve kur ETILOMETRI (matësi i alkoolit) me ligj duhet kolauduar në një nga laboratorët e specializuar jashtë vendit? Në bazë të ligjit mbi bazën e urdhrit të Ministrisë Shëndetësisë,drejtoria e përgjithshme e shërbimeve të transportit rrugor duhet të kolaudojë etilometrin siç veprohet dhe për kontrollin teknik të çdo automjeti. Deri tani nuk është kryer asnjë veprim ligjor dhe kemi të drejtë të themi se arrestimet në të tilla raste janë të paligjshme. Pra siç shikojmë ka tejkalim në zbatimin e ligjit.
Tashmë mësojmë se edhe rregullat e autoshkollave, mësimdhënieve dhe provimeve për leje drejtimi kanë ndryshuar. Të gjitha këto ndryshime deri tani nuk kanë çuar në përmirësimin e situatave në transport, por dhe në reduktimin e aksidenteve me pasoja.
Vërejmë se ndaj banorëve të kryeqytetit Bashkia e Tiranës punon me dy standarde. Dikujt ja faturon ujin,dikujt jo,dikujt taksën e pasurisë, të tjerëve jo, dikujt jam merr paratë aforfe dhe dikujt ja merr pa qenë pronar banese. Nga ana tjetër taksën mbi arsimin dhe infrastrukturës shumë familjeve ja faturon dy herë dhe tre herë për shkak se nuk janë të pakët ata që kanë më shumë se një banesë jo vetëm në kryeqytet por dhe në zonat bregdetare. Ç’është më e keqja ai, kryetari i bashkisë, nuk bën dallim as nuk i dhimbset askush sidomos kur bëhet fjalë për njerëzit në nevojë,të papunët dhe pensionistët, të cilët nuk mund të përballojnë me atë pension, e cila është simbolik dhe nën minimumin jetik.
Zbatimi i ligjit në mënyrë të pjesshme dhe vendosja e rregullave shpesh sipas dëshirës së drejtuesve e ç’bëjnë shtetin,krijojnë anarki pse jo dhe pakënaqësi që burojnë nga paaftësia e drejtuesve.