Disa propozime për Opozitën, si aleat i Lulzim Bashës!
Nga Arian Galdini
Në dt 1 qershor 2016, Lulzim Basha na mirëpriti në zyrën e tij mua dhe një pjesë të Ekipit Drejtues të LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, e fill pas takimit dolëm së bashku në një Konferencë për Shtyp ku shpallëm hyrjen e LDE në Koalicionin Opozitar.
Të nesërmen lexova në media e rrjete sociale, nga vlerësimet më të sinqerta e të dlira deri tek sharjet, romuzet, talljet madje edhe akuzat më të pamendueshme.
Për mua, sapo kishte filluar një normalitet i ri politik, sipas politikës që bëhet në këtë katundin tonë me emrin “Urrejtaria pa shkak ose me pagesë”.
Nuk u ndjeva fare mirë, por e pranova, ashtu si është. Kur do të rregullosh makinën, nuk ke pse ankohesh se u bëre me graso.
Vendosa të përballem dhe ta pranoj çdo kosto e sakrificë si e vetmja mënyrë për të qenë sistemndryshues. Sistemi nuk ndryshohet nga jashtë. As me kritika televizonesh, shkrime gazetash e shfryrje facebooku. Sistemin mund ta ndryshosh vetëm nga brenda, me kushtin që të jesh mendjendarë që ndonëse je në të, të mos bëhesh si ai, e ndonëse je me ata, të mos bëhesh si ata.
Kështu mendjendarë vijova nëpër rrugëtimin tim të ri, aq brenda sistemit sa me lejonte të qenurit Kryetar i një Partie të vogël e të re aleate me Partinë më të madhe të OpozItës.
Në media, neve aleatët e Partisë Demoktatike, u paketuam çuditërisht jo si Aleatët e PD, por si Aleatët e Lulzim Bashës.
Nuk na bënte keq edhe kjo mënyrë evidentimi e prezantimi në media, edhe pse ka një moskorrektesë të madhe politike.
Tek e fundit, unë vetë personalisht, pati një kohë kur për shkak të miqësisë sime më të hershme me Bashën, nuk e ndjeja fare si barrë apo gjë të keqe teksa lexoja në media që bënin tituj e lajme për mua duke më etiketuar si Aleati i Bashës.
Nuk e fsheh, që pati një hop kohe pak para 18 shkurtit e deri pak para 17 majit 2017, kur unë sinqerisht besova se Lulzim Basha ishte bërë mendjendarë si unë. Nuk e di sesi e pse e besova, por ja që një masë naiviteti qëndroka stoike brenda meje.
Naiv besimdhënës dhe dyshimtar racional, ky ishte këndi në të cilin jetova politikisht në periudhën e Çadrës së Lirisë që qëlloi edhe si piku i betejës sonë më të rëndësishme Opozitare si Koalicion, gjatë mandatit 2013 – 2017.
Marrëveshja e 17-18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, i dha fund çdo naiviteti besimdhënës dhe dyshimi racional.
Gjithë sa ka ndodhur pas kësaj marrëveshjeje ka qenë tirani e pastër e faktit të kryer.
Loja u bë, zaret u hodhën.
Politika nuk vdiq as në 17-18 maj, as në 25 qershor, e aq në 22 korrik.
Hannah Arendt flet për dhunën si politikë me mjete të tjera.
Besoj se edhe tirania e faktit të kryer dhe tërheqja zvarrë e gjithçkaje e gjithëkujt nëpërmjet fuqisë së faktit të kryer, janë një instancë e sofistikuar dhune e kësisoj, janë politikë me mjete të tjera.
Sot mund të qahemi sa të duam, mund të mallkojmë e inatosemi sa të na dojë qejfi,por asgjë nuk e ndryshon më atë që ka ndodhur, e gjithçka mund ta ndryshojë atë që do të ndodhë.
Politika ka si instrument bazë fuqinë, e për ta pasur fuqinë i duhet patjetër fitorja ose një marrëveshje që konverton në fuqi pamundësinë për të fituar.
Nisur nga kjo paradigmë e kahershme dhe universale, nuk mund të prisnim nga Lulzim Basha një tjetër lloj politike.
Politika që ndërton aspirata e me aspirata ngre fitore nuk është fare nga kjo anë e globit.
As politika e aspiratave që pasi nuk ngre dot fitoren, pranon humbjen me fisnikëri për të dhënë shembullzimin personal si gjenerator aspiratash edhe më të mëdha në të ardhmen, përsëri nuk ka qytetari fare këndej nga ne.
Tek ne ose fiton me çdo kusht ose mbetesh i fort me marrëveshje edhe po s’fitove.
Lulzim Basha nuk është lideri shembullizues dhe qytetatizues i një politike tjetër, si ajo për të cilën shkruam pak më sipër se nuk është nga anët tona.
Lulzim Basha është një lojtar pushteti dhe pikë.
Ta themi të vërtetën e të mbledhim mendjen.
Kjo e vërtetë nuk e bën Lulzim Bashën as më të mirë e as më të keq se të tjerët. Thjesht e mbyll kapakun e çdo pritshmërie të tjetërsojshme dhe na bën ta gjykojmë këtë njeri racionalisht dhe qetë, si njëri ndër të njëllojtët.
Në këto kushte, pa asnje dallim moral a parimor a shembullizues me të tjerët, Lulzim Basha do të paraqitet të konkurojë me aftësinë e tij për të folur bukur e rrjedhshëm, me pamjen e tij fizike, me miq, shoke dhe foto ndërkombëtarë, me investimin e madh që është bërë me të, në të e për të që nga dita e parë që është thirrur në politikë.
A mund të jetë fitues Basha me këto asete konkruese?
Ndoshta. E sigurtë është që në dt 17-18 maj ai vërtetoi se ai edhe po nuk fitoi, di të jetë ruajtës fuqie me marrëveshje.
Kjo është edhe fillesa e çdo qasjeje që të gjithë ne aleatët e PD, duhet të kemi parasysh kur të mendojmë për të ardhmen tonë dhe të Opozitarizmit në Shqipëri.
Në fakt, këtë arsyetim duhet ta kenë ndërmend e të kthjellët edhe kritikët a kundërshtarët e Bashës, brenda PD.
Nëse e shpërfillim këtë këndvështrim, ju siguroj se ose do gënjejmë veten ose do gënjejmë njëri-tjetrin, ose të dyja bashkë.
Përse e bëra këtë parantezë?
Sepse, politika vazhdon. Ose do të vazhdojë me mjete të tjera, ose do të vazhdojë sikurse duhet në demokraci pra si konkurencë dhe përfaqësim.
Propozimet e mia janë të thjeshta dhe të ndershme.
1. Lulzim Basha nuk është armiku ynë. Ai është thjesht një model politik i pashkëputshëm nga trashëgimia 75 vjeçare e politikës dhe shtetit shqiptar. Të qenurit një model i tillë i vjetëruar, autokratik, e bën Lulzim Bashën joshpresëdhënës, jo frymëzues, të kritikueshëm, të papranueshëm, por ama jo armik. Nuk mund të jetë armik Lulzim Basha, pse është sivëlla binjak me pothuajse të gjithë aktorët e faktorët politikë shqiptarë, majtas, në qendër, e djathtas.
2. Kthjelluar sa më sipër, ne duhet ta gjykojmë Lulzim Bashën si aleat ose jo. Po zgjodhëm alternativën e parë, pra po duam që të bashkëpunojmë e vijojmë të jemi aleatë të Partisë Demokratike, bëjmë mirë që faktin e kryer të Lulzim Bashës si Kryetar i PD, ta marim për të mirëqenë. Bëjmë mirë që në vijimësi, modelin e Bashës si kërkues autokratik I fitores ose si ruajtës fuqie me marëveshje, ta kthejmë në favorin tonë dhe të Lulzim Bashës vetë.
3. Si mund të kthehen këto dy faktorë negativë në shtysa për një bashkëpunim luajal dhe rezultativ?
Krejt e thjeshtë. Duke i rikthyer Bashës besimin dhe shpresën për fitore. Na bie neve barra ta bëjmë këtë akt dhe aksion madhor. Basha nuk bëri marrëveshje me Ramën sepse do Ramën e nuk na do neve. Basha bëri marrëveshje me Ramën sepse kishte humbur besimin se mund të fitonte, e mes fuqisë që i jepnim ne për të humbur, dhe marrëveshjes për të ruajtur fuqinë edhe si humbës, të cilën ia ofroi Rama, balanca e Bashës anoi nga kjo e dyta.
Tani jemi edhe 4 vjet në Opozitë. Basha nuk mund të shpresojë se Rama do ta shpallë fitues në 2019 tek zgjedhjet lokale apo më tepër akoma tek zgjedhjet politike të 2021. Basha i duhet Ramës që ky i fundit, të qeverisë i qetë. Por Rama nuk ka për çfarë i duhet më Bashës, sepse shans të dytë për ruajtje fuqie me marrëveshje, nuk do të ketë më për Bashën as në 2019, e as në 2021.
Ne jemi e vetmja energji dhe shpresë që ka Basha, për të ndërtuar një mekanizëm dhe frymë fitoreje. Këtë duhet tia bëjmë të qartë.
Pa ne, Basha ka jo zero, por minus shanse për të fituar ndonjëherë.
4. Ka ardhur koha e një tryeze të madhe opozitare ku ne të flasim sbkoqur e qartë me ndershmëri të plotë me njeri-tjetrin. Do të ishte mirë ta thërriste vetë Basha, por edhe po e thirrëm ne aleatët e tjerë, nuk ka asnjë të keqe, rëndësi ka që Basha të jetë aty në krye të saj.
5. Të shohim mundësitë e një fushate shërimi dhe bashkimi, pas dëmeve që u shkaktuan dhe plagëve që u hapën prej tiranisë së faktit të kryer.
Le ta nisim me këtë ndërgjegjësim dhe këto hapa, se më tej ide e propozime do të vijnë pafund.
E rëndësishme është që të mendojmë e kërkojmë rrugët më të mira për fuqizimin e Opozitarizmit në Shqipëri dhe fitoren e zfgedhjeve të ardhshme.
Kaq si fillim. Shpresoj të lexohem, konsiderohem dhe veprojmë së bashku.
E vërteta na çliron të gjithëve.