Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve në Kosovë

Nga Entela Binjaku/Në çdo 1 Qershor nuk mungon vëmendja shoqërore ndaj fëmijëve dhe ajo shprehet në mënyra nga më të ndryshmet. “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve” ju jep mundësinë të rriturve të përqendrojnë në një ditë të vetme maksimumin e vëmendjes tek pasardhësit, tek më të vegjlit, dhe tek e ardhmja.

Antuan De Sent Eksyperi tek “Princi i vogël” i cilësuar ndryshe si “libri i mijëvjeçarit” thoshte: “të gjithë të rriturit kanë qenë dikur fëmijë, por vetëm pak prej tyre kujtohen për këtë gjë”, duke treguar njëherazi nevojën për të ndërgjegjësuar të rriturit mbi çështjet që lidhen me fëmijët, pavarësisht kulturës së cilës i takojnë apo pjesë e së cilës janë. Në përgjithësi aktivitet e kësaj dite janë të natyrës argëtuese, me ngjyra dhe të gëzueshme dhe kanë më pak nota që lidhen me problematikat e tyre dhe që përafrojnë me realitetin të tilla si: janë shmangiet nga edukimi, kriminaliteti tek të miturit, braktisja e shkollës, mbështetja sociale për familjet në nevojë, shërbimi social në komunitet, kequshqyerja  etj., etj. Mbi shqetësimet për më të vegjlit mbështetur në moton: “Ta ruajmë botën e fëmijëve dhe të drejtat e tyre” Departamenti për Punë dhe Mirëqenie Sociale i Partisë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK) organizoi të mërkurën e 1 Qershorit një tryezë ku morën pjesë aktorë me rëndësi në jetën civile kosovare. Në këtë takim i cili i transmetua edhe drejtpërdrejtë në “RTK” në praninë e mediave Kryetari i AAK-së z. Ramush Haradinaj në fjalën e tij në çelje të takimit i përshëndeti të pranishmit duke theksuar rëndësinë që ka bota e fëmijëve dhe se “përparimi i tyre duhet të jetë në qendër të të gjithëve, aktorëve nga politika dhe nga mbarë shoqëria”.

Pjesëmarrësit diskutuan tema të ndryshme siç janë: Roli i shkollës në integrimin e personalitetit të fëmijëve;  Legjislacioni në fushën e të drejtave të njeriut; Çështjet që lidhen me arsimin e fëmijëve, që lidhen me aftësinë e kufizuar etj.

Vëmendja ndaj procesit të arsimimit duhet të jetë e madhe, sepse siç pohonte Safet Butka, që më 1922, në punimin me titull: “Kemi nevojë për mësues”, “shkollat janë kondita më e parë e përparimit të kombit dhe “në qoftë se duam të kujdesemi për organizim dhe reforma, duhet të fillojmë me arsimin”. Rijetësimi i këtij shqetësimi që ngre kjo figurë e mendimit shqip, do t’i vinte në ndihmë të gjithë shoqërisë. Në përputhje me shprehjen monumentale të Naim Frashërit “…Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”…tryeza i mëshoi rolit të shkollës në procesin edukativ, duke ju mësuar fëmijëve se si t´u binden rregullave të lëna pas dore nga mësimet prindërore, duke i aftësuar në identifikimin e roleve që lidhen me autoritetin me përpikërinë me vetëvlerësimin (vlerësimi i vetes me të njëjtat kritere që aplikohen tek të tjerët), me respektin ndaj të tjerëve etj.

Shpesh raportet midis fëmijëve, që ndërtohen brenda shkollës mbeten të rëndësishme përgjatë të gjithë jetës, veçanërisht në rastet kur lëvizshmëria është e paktë dhe individët ruajnë të njëjtin grup miqsh përgjithmonë. Përvojat e fëmijëve në shkollë shoqëria duhet t’i shohë si ndërthurje të modeleve të solidaritetit dhe të konkurrencës sepse dhe marrëdhëniet që ata krijojnë, por edhe vetë efekti i shoqërizimit mbi ta zhvillohet midis dy poleve: atij të solidaritetit dhe të konkurrencës.

Pjesa më e madhe e ideve, e opinioneve dhe e bindjeve të një të njeriu, zhvillohen në shkollë, pikërisht përmes njohjeve të këndvështrimeve të ndryshme, që lidhen mes tyre.

Shkolla është një agjent formues dhe edukues, që luan një rol shumë të rëndësishëm shoqërizues për individët në moshën e rritjes. E ndodhur midis familjes nga njëra anë dhe shoqërisë nga ana tjetër, ajo përgatit fëmijën për rolin e tij si i rritur i ardhshëm. Sigurisht, shkolla nuk përfaqëson vetëm një institucion që zhvillon detyrën e të mësuarit të aftësive dhe të dijeve, por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi, e cila edukon vlera të caktuara dhe rregulla të bashkëjetesës civile në komunitet. Impakti që ka shkolla në jetën e fëmijës ndjehet edhe në mënyrën e sjelljes së tij dhe si e tillë shoqëria ka nevojë të tregojë më shumë kujdes ndaj edukimit të saj gjë e cila realizohet kryesisht përmes shkollimit.

Në këtë tryezë deputetja e AAK-së në Parlamentin e Kosovës, znj.Time Kadriaj foli për Legjislacioni në fushën e të drejtave të njeriut duke përmendur edhe numrin e ligjeve të miratuar në Parlament në këtë drejtim dhe betejat e kësaj force politike në komisionet parlamentare të tilla si ato për arsimin për të cilat u shpreh deputetja tjetër e AAK-së, znj.Teuta Haxhiu.

Tryeza e mbajtur nën drejtimin e dr. Ilirjana Gafurrit nga Departamenti për Punë dhe Mirëqenie Sociale doli me disa rekomandime, të cilat duke u përcjellë më tej do të fuqizonin pozitën e fëmijëve në shoqërinë Kosovare!

Rekomandimet që dolën në përfundim ishin:  Të procedohet ligji për të drejtat e fëmijëve; Të rritet vija buxhetore për MPMS;  Të hapen rrugët e rritjes së buxhetit për departamentet e mirëqenies dhe specifikisht të qendrave për punë sociale në pushtet lokale; Të financohen dhe përkrahen familjet strehuese dhe shtëpitë rezidenciale për fëmijët e pastrehë dhe ata të pambrojtur;  të procedohet me dhënien e shtesave për fëmije që është një prej veprimeve që direkt ndikon në mirëqenien e fëmijës!   AAK është partia e katërt në spektrin politik të Kosovës dhe numëron në radhët e grupit të saj parlamentar aktualisht 8 deputetë. Nën moton: “Drejtim i Ri, qeverisje e re për jetë më të mirë” kjo parti qendrës së djathtë përfaqëson dhe krahun opozitar në betejën politike kosovare. Në takim në mendimet e të pranishmëve u vendos theksi tek rëndësia e shkollës dhe edukimit pasi përmes procesit të shkollimit, shoqëria garanton një nivel të caktuar solidariteti dhe njësimi shoqëror, duke transmetuar ndjenjën e përkatësisë dhe të besnikërisë tek e njëjta kulturë dhe tek i njëjti grup. Vlerat e shkollës janë stimuj për forcën e brendshme të individëve dhe për intelektin e tyre, për të cilat shoqëria ka nevojë të punojë më shumë që të prosperojë më shumë.

 

SHKARKO APP