Ditari i një humbësi…

FEJTON nga Thoma GOGA

Çeçua, që nuk i lë të kalojnë ngjarjet historike pa i gdhendur në defter, edhe zgjedhjet e 25 qershorit i skaliti në ditarin e tij.

5 qershor 2017.

Ajo ditë mos ardhtë kurrë. Dhija ime legjendare që e mbaja si manare, prej ditësh lëngonte. I mora ca ilaçe, po …ëhë. Vate. Aty afër darkës mbylli sytë ajo që printe kopenë. E kisha dhe si shoqëruese këtej nga stani. I bëra shërbimet e fundit pa fjalime e pa publikime… Shokët e saj hyzmeqarë me lotë e kanë qarë. Aty nga darka na vjen në shtëpi një si biçim korrieri e na fton në një si biçim takimi me një si biçim deputeti. Eh, ku më digjte mua, ku korrierit!… Nejse, shkova. Domosdo, janë detyrime ndaj shtetit. Më duket se e kisha parë një herë atë surrat deputeti andej nga stanet e Tërbaçit. Të ketë qënë çoban dhe ai, thua?!

10 qershor 2017.

Ktheva tufën e dhive në stan dhe u ula. Drodha një duhan. Kur vjen me vrap Saurreli im. E mo, kështu ia kanë ngjitur djalit tim se vjen ca si torrobello. E nejse. Më  shkoi mendja për keq se plakën e vetme e kam lënë si mos më keq.

  • Ç’ka bërë vaki?
  • Hiç, – më tha ai.- Pas një ore në shtëpi vijnë ca të partisë për vizitë.
  • Po të kujt partie?

Ngriti supet dhe iku. S’ka faj mavria, ka hak se dhe emrin e tij mezi e shkruan. E nejse. Të kujdo partie të ishin, e kemi zakon ta presim mikun që troket në derë. Dola vetëm se plaka lëngonte në shtrat. Ishin tre djemuri. Ai më i vogli u ul në qoshe. Duhet të ketë patur ndonjë pozitë ai, se qoshenë s’ta fal njeri. U nxora nga një gotë raki. Filloi prezantimi. Nga gjithë kjo “ceremoni” mbaj mend vetëm atë të qoshesë. Djalë flori. Dukej se ma pëlqeu dhe rakinë. Më thanë dhe emrat e tyre, po unë s’i mbaj mend. Helbete, pleqëri. Më thanë dhe emrin e partisë, po këtë të fundit nuk e tregoj se quhet “publicitet”. Si mbaruan gotat, më hodhën në tabaka një 50 mijshe. Shqeva sytë se si ajo “lëpushka” nuk kisha parë asnjë herë. Pastaj më la numrin e telefonit e më porositi që, po të kem ndonjë hall, ta marr menjëherë.

  • Po kjo me ç’rast, pse?- pyeta.
  • Morëm vesh se dhija të ka lënë shëndenë. Na erdhi vërtet keq …, – sqaroi njëri.
  • Më rruaçi e ju paça. Për gëzime ju ardhça…
  • Po plaka do votoi? – u hodh djaloshi tjetër.
  • Allahile, këtë vit është rëndë. Po qenkeni flori e shkuar floririt more djem. Për ju do ngrihet…
  • Hallall, – ngriti zërin ai i qoshesë dhe vërviti një tjetër “lëpushkë” 50 mijshe. – Të shkuara plakës!
  • Ç’e deshe,- ia prita, – miqësinë nuk e bënë paraja…

11 qershor 2017

Nuk më shqiteshin nga mendja ata djemoshat. Të mendjes i doje ti, të muhabetit i doje ti, të bukur i doje ti, parallinj i doje ti… Apo nuk ma bënë dhe borxh. E për çfarë? Për një dhi. Për këtë dhi edhe komshiu s’më ka thënë një fjalë. Nuk thotë kot populli, “nuk mbetet Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht…”. Prandaj dhe unë e ndava mendjen me plakën; hallall besën, gotën dhe votën…

26 qershor 2017

Partia që votuam dje doli e humbur. Për gotat, qafsha gjithë tufën e dhive me gjithë zagarët, nuk më vjen keq. Edhe dhinë e zëvendësoj lehtë se tufa do pjellë mbarë sivjet. Ama për votat më pikoi në zemër se shkuan për lesh. Edhe këtë haber donte plaka ime. U farmakos fare dhe preu gojën.

28 qershor 2017

Plaka më thirri pranë vetes e diç donte të më thoshte. Thashë se do më linte amanetet e fundit. Belbëzonte thellë e mezi thitha këto fjalë: “Amanet ata të partisë…” dhe mbylli sytë. E po, keni parë kështu; të veremoset tjetra më shumë për partinë se për dhinë!… Megjithatë amanetin e saj e çova në vend. I bëra një telefonatë atij “bukuroshit” të qoshesë. U thashë se nëna më la…

  • Ehu xhaxha, – ulëriu ai, – ku më djeg mua, ku më kruan ti…-

Tunda kokën e thitha thellë duhanin. Hajde “miqësi”, hajde. Të vjen tjetri pa të keq për ngushëllim se ka ngordhur një dhi e nuk vjen se ndërron jetë një njeri…I rashë hilesë ca më vonë. Ata bukuroshat nuk i kishte prerë malli për plakën, as për mua e as për dhinë. Edhe ata mbi të gjithë vinin partinë… Nejse. Shyqyr që mori fund dhe kjo histori.

SHKARKO APP