Ditari i oficerëve gjermanë: Kush ishin shqiptarët që bashkëpunuan me nazistët
Ditaret e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW) në vitet 1940-1945 u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt).
Sekretari i Ditareve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (K.S.F.A.) ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditaret e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrwesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 – 31.12.1941, botuar 1965.
Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II 1-2, 1477faqe, periudha 01.01 – 31.12.1942, botuar 1963.
Walther Hubatsch: Vëllimi III 1-2, 1673faqe, periudha 01.01 – 31.12.1943, botuar 1963.
Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV 1-2, 1976faqe, periudha 01.01.1944 – 22.05.1945, botuar 1961.
Në vazhdim paraqiten të përkthyera në Shqip vetëm pjesët ku shkruhet për Shqipërinë.
(Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar nga Saimir Lolja)
Vëllimi IV
1 Janar 1944 – 22 Maj 1945
Roli i Grup-Armatave dhe Komandave të tyre
Faqe 35. Sado i madh është roli i komandave dhe Armatave të tjera, roli i Armatës dhe komandës juglindore (Grup-Armata E me kryekomandant gjeneral-kolonelin Alexander Löhr) ishte i jashtëzakonshëm. Lexuesi i këtij libri do vëreje se si Hitleri nuk i mori parasysh këshillat e “ekspertëve” të cilët ishin ushtarakë të shkolluar porqë ai i shikonte me dyshim dhe përbuzje. Vetëm me shumë vonesë ai lejoi largimin e trupave nga Kreta dhe ishuj të tjerë të Egjeut, ku ishin akoma 60'000 ushtarë. Për çudi, u krye edhe largimi i trupave nga Peleponezi ku kishte vetëm një hekurudhë dhe një urë lidhëse me pjesën tjetër të Greqisë. U krye edhe largimi i trupave nga Greqia, megjithëse aty vepronin dy palë forca partizane që për fat luftonin kundër njëra-tjetrës.
Katastrofa ishte në prag, kur trupat tërhiqeshin nëpër malet e Ballkanit, sepse nën shtysën sovjetike forcat bullgare që deri në atë kohë kishin luftuar në anën tonë na sulmuan nga krahu i pambrojtur lindor. Por ai sulm jo vetëm që u përballua por edhe u mbajtën pozicionet derisa ushtari i fundit u largua nga Shqipëria. Tërheqja e mëtejshme pengohej nga male të larta deri në 1400 metra dhe ngrica e dimrit që po fillonte, dy faktorë tmerret e të cilëve vështirë se mund të mbivlerësohen; megjithatë u rrezikua edhe më shumë ngase trupat e Titos, që deri në atë kohë ishin mbajtur në fre nga trupat gjermane, tani mund të vepronin lirshëm. Prandaj ushtria e Titos mundi të bashkohej me trupat e ushtrisë së kuqe që po vinin nga Rumania dhe pushtuan Beogradin.
Me gjithë ato vështirësi Grup-Armata E e gjeneralit Alexander Löhr arriti të mbante deri në Prill 1945 një front të mbyllur që shtrihej nëpër Kroaci dhe Bosnje, me një gjatësi prej 1500 km. Gjenerali Alexander Löhr arriti të bënte atë që nuk arriti ta bënte Napoleoni Bonaparti gjatë tërheqjes nga Rusia: ai tërhoqi trupat e tij dhe arriti të ndërtonte një front të ri i cili nuk u prish ballë për ballë por nga shpina.
Teatri Italian i Luftës (01.04.1944 – 31.12.1944)
II. Luftimet nga marrja e Romës më 4 Qershor 1944 deri në marrjen e Firences (10 Gusht 1944) dhe zbarkimit të armikut në Francën jugore më 15 Gusht 1944
4. Mbrojtja e zonës operative të bregut Adriatik përfshirë edhe Istrian
Faqe 540. Shtimi i veprimit të bandave në Greqinë veriore, Shqipëri dhe Mal të Zi mund t'i shërbejë bllokimit të forcave gjermane dhe përgatitjes së zbarkimit të trupave polake ose trupave të tjera sllave.
Faqe 541. Prandaj duhet që komanda juglindore të jetë e përgatitur të përballojë një zbarkim në Shqipërinë jugore ose Greqinë veriperendimore. ….. Për mbrojtjen e brigjeve të rrezikuara, Hitleri ka urdhëruar përforcimin dhe zgjerimin e mbrojtjes së brigjeve detare, përforcimin e artilerisë bregdetare me qendër rëndese brigjet e Adriatikut, duke futur në veprim forcat e artilerisë që kanë qenë në Krime dhe që tani janë të gatshme për luftim kundër bandave në Shqipërinë e jugut dhe Greqinë e veriut.
Zhvillimet Luftarake në Juglindje (01.01.1944 – 31.03.1944)
Hapësira juglindore si pjesë e teatrit të përgjithshëm luftarak
Vështrim mbrapa i vitit 1943
Faqe 603. Fronti i tretë në zonën juglindore, bregu shqiptaro-malazez-dalmat, nuk paraqiste rrezik të madh në kohën që tokat italiane në bregun e përtejmë ishin të gjitha në duart e fuqive të boshtit. Sidoqoftë, dendësia shumë e vogël e rrjetit rrugor, mungesa pothuajse e plotë e hekurudhave, gjendja e ujësjellsave, etj., do ta vështirësojnë përparimin e forcave armike dhe do t'i japin kohë komandave tona të marrin masat e nevojshme.
Faqe 604. Pasi më 25.07.1943 ra qeveria e Musolinit në Itali, u zbatua me atë rast plani "Achse" (më parë i quajtur "Alarich" për Italinë dhe “Konstantin” për Ballkanin): ndërhyrja në Itali dhe në zonën juglindore, çarmatosja e italianëve dhe marrja përsipër e mbrojtjes së zonave që më parë ishin të mbajtura nga italianet në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Greqi.
Faqe 605. Një pjesë e trupave italiane u hodh në anën e kryengritësve, sidomos pasi u dha lajmi se Italia nuk luftonte më në krah të Gjermanisë, dhe mbanin nën kontroll një pjesë të madhe të bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Faqe 606-607. Hitleri theksoi në ditët e fundit të Dhjetorit 1943 se ai parashikonte një sulm armik në zonën e Ballkanit sidomos në krahun e bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Shpërndarja e forcave në fillim të vitit 1944
Faqe 611. Në Shqipëri kishte dy njësi ushtarake gjermane: në afërsi të bregdetit në perëndim të Beratit ndodhej Divizioni 100 Gjuajtës dhe në zonën e Crna-s [Malit të Zi – shën. red.] Divizioni 297 Këmbësor, të dy nën komandën e Korparmatës XXI.
Analiza dhe masat kundrejt një zbarkimi të aleatëve në Nettuno të Italisë (22.01.1944)
Faqe 613. …. Operacionet e zbarkimit të aleatëve janë të mundshëm së pari në bregun perendimor të Ballkanit nga Arta deri në jug të Splitit dhe së dyti përmes Detit Egje drejt Selanikut. Në atë rast Turqia do të braktiste asnjanësinë e saj ose edhe nëse do zbatohej operacioni "Gertrude" [i pushtimit të Turqisë nga ushtria gjermane – shën. red.] aleaët do të zbarkonin në bregun perendimor të Ballkanit.
Riorganizimi i njësive SS
Faqe 623-624. Më 02.03.1944 iu bë me dije komandës së lartë juglindore se i jepej komanda taktike mbi Divizionin 18 SS Këmbësorie të Motorizuar "Horst Wessel", përfshirë edhe trupat e zëvëndë-komandës së përgjithshme të Korparmatës XVII. Deri në një urdhër të ri, ky Divizion lejohej të përdorej vetëm për detyra të ruajtjes së sigurisë brenda rajonit ku ai ndodhej. E njëjta gjë vlente edhe për Divizionin SS "Skanderbeg", i cili siç iu bë me dije komandës së lartë në juglindje më 12.03.1944 do të krijohej nga trupa shqiptare të ndodhura në Divizionin 13 SS Boshnjak dhe trupa milice shqiptare.
Serbia dhe Mihaloviçi në dimrin 1943-1944
Faqe 639. Edhe në Shqipëri pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste dhe ngritjen e njësive milice në përputhje me planin nga Hermann Neubacher. Fuqia shtytëse në atë drejtim ishte Ministri gjermanodashës Xheva. Në bashkëpunim me të filloi në Janar 1944 ngritja e një aparati shteteror zbatues. Bëhej fjalë në fillim për mbeshtetjen e katër batalioneve këmbësorie të cilët ishin tashmë në veprim dhe forcat pushtuese do t'i ndihmonin nëpërmjet dhënies së armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikqyrës.
Veç asaj do të përgatitej bashkimi i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve ose udhëhqësve në një ushtri kombëtare. Udhëheqja ishte në dorën e një SS të lartë dhe kryekomandanti policie në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe Komandant-Brigade SS Josef Fitzthum, i cili në dukje ishte këshilltar i Sekretarit të Shtetit Shqiptar për sigurinë kombëtare. Komanda operacionale e njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart në të gjitha çeshtjet e veprimit ushtarak, të vendndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave ishte në dorën e komandës së përgjithshme të Korparmatës XXI në Tiranë.
Atëhere ishte edhe posti i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali Theodore Geib dhe pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e Jashtme gjermane kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të komandës së lartë juglindore. Shtabi i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman u zvogëlua në periudhën fundviti 1943 – fillimviti 1944; për ca kohë u hodh mendimi të bëhej një bashkim me komandën e gjeneralit të Korparmatës XXI, por ajo nuk u ndoq më tej. Bashkë-egzistenca e këtyre komandave të ndryshme të cilave iu shtohej edhe i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme Gjermane [Hermann Neubacher] krijoi njësoj si në Kroaci vështirësi të mëdha.
Të gjitha ato masa vështirësoheshin njësoj si në Mal të Zi prej situates së vështirë ekonomike dhe furnizimit të keq me ushqime. Masat parandaluese të autoriteteve gjermane, para së gjithash të të dërguarit Hermann Neubacher kundër ngritjes së çmimeve dhe inflacionit, ishin vetëm pjesërisht të mbara. Në Mars – Prill 1944 të dy vendet kërcënoheshin nga uria. I dërguari Hermann Neubacher u përpoq të ndihmonte nëpërmjet ushtrisë gjermane dhe ndër të tjera kërkoi dërgimin e 120 kamionëve. Meqenëse ato mund të dërgoheshin vetëm pjesë-pjesë, Komanda Supreme Gjermane i lejoi komandës juglindore të ndihmonte me mjetet e veta; ideja ishte që komanda juglindore në zonat ku popullsia civile nuk furnizohej dot nëpërmjet administratës vendore të merrte përsipër jo vetëm furnizimin por edhe përgjegjësinë për ato zona, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin Hermann Neubacher.
Luftimet në muajt e dimrit dhe të pranverës
Faqe 647. Më 13.02.1944 komanda në juglindje mori udhërin që Divizioni 100 Gjuajtës, i cili shërbente për mbrojtjen e brigjeve të Shqipërisë, të largohej që andej me shpejtesi në mbrojtje të hekurudhës në rajonin Manastir-Shkup.
Faqe 654. Kur nuk ishte akoma e qartë se si anglo-amerikanët do t'i zhvillonin luftimet pasi kishin pushtuar Italinë, komanda gjermane u muar gjërësisht me mundësinë e një zbarkimi armik në anën perendimore të gadishullit ballkanik duke u nisur nga Italia. Prandaj ajo dhe u përpoq të kontrollonte sa më shpejt portet dhe ishujt e bregut dalmatin-malazez-shqiptar-grek. Gjë që dhe e arritën në shumicën e rasteve në muajt e vjeshtës së vitit 1943. ….. Në zonën bregdetare të mësiperme që mund të kërcënohej nga një zbarkim i aleatëve mendohej se vepronin trupa banditeske të një numri prej rreth 20'000 vetësh.
"Bardhë" dhe "Kuq" në Greqi
Faqe 669-670. Ndërsa vëmëndja e ushtrisë gjermane në verën e viti 1944 ishte përqëndruar në Kroaci, forcat ushtarake në Greqi ishin të pakta në numër me detyrë kryesore mbrotjen bregdetare dhe operacioneve të spastrimit në rrethina. …. Lëvizjet e rezistencës greke kurrë nuk u shndërruan në operacione në shakllë të gjërë, ashtu siç ndodhi me Titon dhe tre ofensivat e tija në Serbi. Ato ishin të lidhur shumë ngushtë më rajonin ku kishin fuqi dhe ndikim. Ndërsa ELAS [forcat komuniste – shën. red.] kishte ndikim në shumicën e Peloponezit, në Boeti, Thesali-Trakë (shtabi i tyre ishte në Verna në jug të Edesës) dhe në thellësi të Epirit; EDES [forcat jokomuniste – shën. red.] ishte i kufizuar në veri të Gjirit të Artës deri në Parga. Me udhëheqësin e forcave EDES kolonel Zerva, dhe sipas planit të dërguarit të posaçëm Hermann Neubacher, Korparmata XXII Malore në vjeshtën e vitit 1943 bëri një marrëveshje armëpushimi të përgjithshëm e cila u respektua deri në Korrik 1944. Në anën tjetër, marrëveshjet me forcat ELAS marrëveshjet kanë qenë vetëm të veçanta dhe sipas vendit.
Meqenëse marrëdhëniet ndërmjet grupeve të rezistëncës greke ndryshonin vazhdimisht (ELAS dhe EDES kalonin nëpër marrëveshje afatshkurtëra dhe të izoluara), udhëheqja gjermane kishte më shumë raste për të ndërhyrë për të nxjerrë jasht lojë njërën palë dhe penguar një operacion të tyre të bashkuar.
Lufta kundër kryengritësve në drejtimin juglindor në kohën e ofensivës së përgjithshme të aleatëve dhe tërheqjes së trupave gjermane
Faqe 670. Komanda e lartë juglindore lajmëronte më 21.06.1944 se nuk priste ndonjë sulm frontal në Peleponez dhe as në rajonin e ishujve Kretë-Rodos. Megjithatë duheshin llogaritur sulme të vogla vendore në zonën e veriperëndimit të Greqisë dhe në Shqipëri.
Faqe 671-672. Më 05.06.1944 Divizioni I Malor filloi operacionin “Gemsbock” (Cjapi i Egër) në zonën kufitare Shqipëri-Greqi duke u nisur nga Maqedonia. Pas ngritjes së një linje bllokuese në kufi, duke u nisur nga liqenet, duhej ecur përpara në drejtimin jugperendimor në drejtim të bregdetit. Në këtë zonë, pas largimit të Divizionit 100 Gjuajtës, siç thekson komanda e lartë juglindore me 17.05.1944, është rritur tej mase veprimi banditesk i mbështetur nga anglezët dhe ka arritur një nivel të lartë rrezikshmërie. Komanda juglindore njofton më tej se me përjashtim të një zone të ngushtë në bregdet dhe disa pikave mbështetëse përgjatë rrugës Korçë-Janinë, egziston në atë zonë pararoja e një trupe armike zbarkuese, e cila duhej marrë shumë seriozisht edhe për shkak të afërsisë me Barin, Brindizin dhe Tarentin që krijonin mundësinë e një zbarkimi të papritur dhe se Korfuzi kërcënohej rëndë nga sulme armike.
Komanda juglindore kishte parashikuar për atë operacion spastrues Divizionin 4 SS të Këmbësorisë së Motorizuar të policisë kufitare, por shtabi drejtues i ushtrisë gjermane nuk qe dakort me atë vendim, meqenëse ay Division si njësia e vetme e motorizuar nuk duhej të ngatërrohej në luftën me bandat, por për më tepër të mbahej gati atje ku ndodhej (në Thesali) si një rezervë e motorizuar "me sytë nga bregu".
Përparimi i Divizionit I Malor hasi në një rezistencë të fortë të forcave kryengritëse që ishin të armatosura mirë. Si edhe në operacionin “Rösselsprung“ [më 25.05.1944 – 06.06.1944 për kapjen e Titos në Drvar të Kroacisë – shën. red.] forcat anglo-amerikane bombardonin duke u nisur nga aeroportet italiane, duke ndërhyrë kështu seriozisht në luftime. Më 12.06.1944 Divizioni I Malor arriti bregun dhe u kthye nga jugu drejt linjës siguruese të ngritur më parë në kufi. Si rrjedhim i operacionit, lajmëronte komanda e lartë juglindore më 25.06.1944, armiku kishte pësuar humbje të mëdha dhe në zonën e Shqipërisë jugore ishte e garantuar tani për tani liria e lëvizjeve operative.
Faqe 672-673. Në zonën e Shqipërisë së veriut u zhvilluan në gjysmën e dytë të Korrikut 1944 luftime të ashpra mes Divizionit Skanderbeg (i krijuar nga forca shqiptare fillimisht pjesë të Divizionit 13 SS Malor "Hanxhar") që ndodhej atje që në Maj 1944 dhe forcave komuniste për të cilat këtu nuk po flitet më hollësisht. Ky Divizion pati këtu luftime të vështira (shiko Librin e Situatës më 24.07, 25.07, 28.07.1944). Në armatimet dhe mënyrën e luftimit të trupave komuniste u vu re përparim në bashkimin e grupeve të veçanta komuniste dhe lidhja e tyre e ngushtë me Titon. Nga fundi i muajit, ky Divizion u ndesh në kufirin shqiptaro-malazez me një sulm të ri të komunistëve që përpiqeshin të hynin në Serbinë jugore (shih Librin e Situatës 28.07.1944). Atëhere Divizioni mori urdhërin (operacioni “Draufgänger“) të krijonte një zonë përgatitore për një ofensivë të madhe të mëvoneshme, duke u nisur nga rajoni në perëndim të Pejës me sulmuar në drejtim të Beranit.
Në luftimet kundër forcave të organizuara të Titos qendra e rëndesës, megjithë humbjet e mëdha që kishte pësuar lëvizja e Titos në Prill dhe gjysmën e parë të Majit 1944, ishte përsëri në zonën kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe në vetë Malin e Zi. Komanda e lartë juglindore vinte në dukje që më 17.05.1944 se Mali i Zi në vend që të ishte një pjesë izoluese mes Kroacisë dhe Shqipërisë, rrezikonte të kthehej në një zonë të fuqishme të pushtetit të kuq. Korparmata e dytë komuniste kishte arritur të ruante këtu fuqinë e saj goditëse duke u bërë kështu pikë grumbullimi për trupa bandite që ishin goditur dhe dobësuar në rajonet e tjera. Me sa duket udhëheqja e kuqe ka për qëllim të rifreskojë trupat në Mal të Zi dhe të fillojë një ofensivë të re në drejtim të Serbisë. Në ditët e fundit të Majit 1944, ndërkohë që në Bosnje zhvillohej operacioni "Rösselsprung", forca të fuqishme komuniste u përpoqën të futeshin në Serbi nga pjesa juglindore e kufirit serbo-malazez (Libri i Situatës 30.05.1944). Në fillim të Qershorit u grumbulluan trupa në verilindje të Malit të Zi nën komandën e gjeneralit Leeb [Helge Auleb? – shën. red.] për të pushtuar aeroportet dhe vendet ku mund futeshin bandat (Libri i Situatës 06.06.1944). Në fund të Qershorit u hartua plani për të ndërmarrë një operacion tjetër spastrimi, në të cilin do të merrnin pjesë Divizioni shqiptar SS Skanderbeg së bashku me forcat malore dhe të policisë SS (Libri i Situatës 20.06.1944). Operacioni përfundoi më 30.06.1944 pa arritur që të shkatërronte forcat e grumbulluara armike të cilat përpiqeshin me u futur në Serbinë jugore (Libri i Situatës 01.07.1944).
Faqe 674. Gjenerali nacionalist grek Zervas që pati bërë marrëveshje për qëndrim asnjanës me gjermanët, i sulmoi forcat gjermane papritmas më 05.07.1944 në linjën Prevezë-Agrinio. Mendohet se atë ta ketë bërë mbase nën nxitjen e anglezëve, por nuk përjashtohet mundësia ta ketë bërë edhe thjesht për interesin vetiak. …… Në një përmbledhje të vlerësimit të situatës më 12.07.1944, komanda juglindore thekson se egziston mundësia e një lidhjeje mes gjallërimit të forcave të Zervës dhe qëllimeve të zbarkimit të anglo-amerikanëve në Greqinë perendimore ose në Shqipërinë jugore dhe e quante në këtë çeshtje shkatërrimin e trupave të Zervës si një detyrë shumë të rëndësishme.
Një rrezik tjetër i rëndësishëm, siç theksonte komanda juglindore, ishin përgatitjet për një ofensive komuniste në drejtim të Serbisë jugore ose në zonën e Kosovës me qendër rëndese në rajonin Berani-Bjelopolje, gjë që u vërtetua nga masat e marra nga komunistët në zonën e Serbisë juglindore.
Faqe 675-676. …. Komanda e lartë juglindore përsëriti kërkesën [më 17.07.1944] për ta dërguar Divizionin I Malor në Mal të Zi, duke theksuar ndikimin psikologjik të tij në një betejë për në Sofien. Për Greqinë perendimore, ajo kërkoi daljen nga rezerva në Thesali të Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar, i cili bashkë më njësitë e tjera të Gruparmatës E mund të përdoreshin kundër forcave edhe komuniste edhe të Zervës, ose të paktën të përdoreshin në rast të një zbarkimi të aletaëve në rajonin e Janinës.
Faqe 677. …. c) EDES dhe ELAS në Greqinë veriperendimore: Përdorimi i Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar në bregun perendimor të Greqisë filloi më 27.07.1944 (Libri i Situatës 28.07.1944). Ndërkohë një situatë e re u krijua, siç paraqitet në një njoftim të komandës së lartë juglindore. Forcat e Zervës ndërprenë sulmet, kështu që duket e mundshme me i rifilluar bisedimet me to. Komanda e lartë juglindore kërkon të ndiqet ky qëndrim i cili ka lidhje me situatën në Greqi, veçanërisht në Athinë ku qarqet nacionaliste janë gati të bëjnë marrëveshje me fuqinë pushtuese [gjermane] dhe nuk mendohet e pamundur për Zervën të pranojë kërkesat gjermane (largimin nga bregu dhe porti i Pargës, luftën kundër forcave komuniste, etj.). Nga ana tjetër, situata është përkeqësuar në Epirin jugor nga veprimi i 7 Brigadave komuniste. Synimi i këtij grupi ishte ndoshta pushtimi i rripit bregdetar Prevezë-Mesolongji. Prandaj komanda e lartë juglindore hartoi në marrëveshje me Grup-Armatën E operacionin "Kreuzotter" me anë të cilit Divizioni 4 SS i Policisë së Motorizuar dhe njësi të Divizionit 104 Këmbësor nga Janina mbi Artë sulmojnë në drejtimin jugor; në të njëjtën kohë sulmohen forcat ELAS në Beoti dhe në jug të Pindit. Përshtypja që do lenë sukseset gjermane në këto beteja ndoshta do të ndikojë që Zerva të pranojë kërkesat gjermane; përndryshe, pas përfundimit të operacionit "Kreuzotter", forcat e liruara do të sulmojnë rajonin e mbajtur prej tij.
Faqe 680-681. …. d) Ndikimet e kthesës (Gusht-Shtator 1944): ….. Kur komandanti i komandës së lartë juglindore, i dërguari Herman Neubacher, Ministri i Jashtëm [Joachim von Ribbentrop], kryekomandanti i SS [Heinrich Himmler], etj. u mblodhën më 22.08.1944 në shtabin e Hitlerit, një udhëzim i ri për zhvillimin e operacioneve në drejtimin juglindor ishte përgatitur (22.08.1944). Ai nuk u firmos, sepse ditën tjetër një situatë krejtësisht e re ndodhi në Rumani [forcat sovjetike çajnë frontin në Rumani, Rumania kaloi në anën sovjetike – shën. red.]. Kështu edhe lëkundjet e Turqisë dhe ndryshimi i qëndrimit në Bullgari [Bullgaria u shpall asnjanëse më 26.08.1944 dhe kërkoi largimin e trupave gjermane – shën. red.] sollën ndryshimin në rajonin juglindor. Pozita e mëparshme gjermane në këtë rajon nuk mund të ruhej më: më 26.08.1944 komanda e lartë juglindore mori urdhërin e përgatitjeve për tërheqje të tërë trupave dhe paisjeve në jug të linjës Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp, kështu braktisja e Detit Egje dhe Greqisë filloi.
Faqe 681. …. e) Rasti i tretë i Titos në Serbi (Korrik-Gusht 1944): ….. Operacioni “Draufgänger“ i Divizionit SS Malor Skanderbeg në kufirin malazezo-shqiptar (Berane) tërhoqi trupa të shumta armike në luftim, por nuk mundi të ndalonte ofensivën e Korparmatave I dhe II komuniste në drejtim të Serbisë.
Faqe 682. Grumbullimi i Divizionit I Malor u vonua sepse mbartja e tij nuk ishte planifikuar. Më 03.08.1944, hekurudha afër Mitrovicës u ndërpre ndërsa pjesët e Divizonit që arrinin u detyruan të futeshin në luftime përreth rajonit të Pejës. (Libri i Situatës 04.08.1944)
Faqe 685. Në Divizionin SS Malor Skanderbeg u vunë re në fillim të Shtatorit raste të përsëritura të dezertimit dhe shpërbërjes, kështuqë u urdhërua shpërndarja e tij.
Faqe 690. (Këtu shkruhet për tërheqjen e trupave gjermane nga Ballkani, tërheqje e cila filloi në Tetor 1944 – shën. përk.) …. Pak më ngadalë u krye tërheqja nga zonat bregdetare të Malit të Zi dhe Shqipërisë gjë e cila lidhej ngushtë me tërheqjen e Grup-Armatës E (Durrës 12.01.1945, Cetinje 17.01.1945, Kotorr 21.01.1945, etj.).
Faqe 699. Deri në javën e parë të Tetorit 1944, qëllimi i komandës gjermane ishte që me Grup-Armatën E (e cila mori më 03.10.1944 urdhërin për t'u tërhequr nga Greqia, Shqipëria jugore dhe Maqedonia jugore) e ndodhur në „Linjën blu“ Shkodër-Shkup-Këlcyrë [në Greqinë veriore – shën. red.] dhe me Grup-Armatën Serbia e ndodhur në linjën Negotin-Danub (që nga 01.10.1944) dhe atë Vlasotince-Bela Palanka-Zajeçar-D. Milanovac (që nga 05.10.1944), të mbahej zona kroato-malazeze-shqiptaro veriore dhe serbe. Por shumë shpejt u pa se pjesa më e madhe e Serbisë ishte humbur. Me 10.10.1944 u dha urdhëri për tërheqjen përtej [lumit të] Moravës.
Faqe 701. Në javën e parë të Nentorit u qartësua plotësisht se cilat ishin qëllimet e udhëheqjes sovjetike: Armatat sovjetike kishin filluar ofensivën në Hungari, kurse detyra e bullgarëve dhe e njësive të Titos ishte shkatërrimi i pozicioneve gjermane në zonën kroato-malazeze-shqiptaro-veriore dhe në atë mënyrë të futej nën kontrollin sovjetik pjesa perendimore e gadishullit ballkanik pak a shumë sipër linjës Shkodër-Velesh [në Maqedoni – shën. red.], në përputhje me ndarjen e zonave në Moskë.
Faqe 704. Lëvizja komuniste shqiptare, që ndoshta me sa duket pat filluar me nismën vendase, gjatë verës [1944] u bë pjesë e qëndrueshme e organizatës së Titos si "Shtab Qëndror për Shqipërinë“. Krijohet përshtypja se për ca kohë ka egzistuar edhe plani për ta futur Shqipërinë në federatën jugosllave (Libri i Situatës 25.07.1944).
Faqe 706. Në pritje të një ofensive të përgjithshme dhe mjaft kërcënuese të aleatëve, shtimi i veprimeve të kryengritësve në rajonet e Europës juglindore akoma nën zotërimin gjerman dhe dështimi i krijimit të qeverive në Mal të Zi dhe Shqipëri rishtruan pyetjen: nëse të paktën organizatat vullnetare serbe dhe lëvizjet politike prapa tyre duke marrë më shumë ndihmë në armatime dhe furnizime a do mund të bëheshin një forcë ndihmëse edhe luftarake për ushtrinë gjermane edhe për të krijuar një zonë sigurie për të gjithë.
Faqe 707. I dërguari i posaçëm për zonën juglindore Hermann Neubacher u ndodh në Prill 1944 për ca kohë në shtabin qëndror të udhëheqjes për të diskutuar çeshtje të kohës. Ndër të tjera: ….. d) Dhënien e 120 kamionëve të cilët siç është përmendur më herët ishin kërkuar më parë për të mënjanuar problemet e furnizimit të popullsisë në Shqipëri dhe Mal të Zi ku kërcënonte uria. Kjo kish rëndësi sepse shtimi i veprimtarisë së bandave kishte lidhje edhe me mungesën e ushqimeve. Me ato masa i dërguari i posaçëm shpresonte të organizonte forcat kombëtare shqiptare me qëllim që të arrinin një numër prej rreth 20'000 vetësh. Për atë i nevojiteshin automatikë për 10-15000 vetë dhe futja e njësive të vogla gjermane me granatahedhës në forcat kombëtare shqiptare. Veç kësaj i dërguari i posaçëm Hermann Neubacher duhej të diskutonte në shtabin qëndror të udhëheqjes gjermane edhe çeshtjen e financimit të ushtrisë gjermane në Greqi dhe Shqipëri, pasi falimentimi i plotë i monedhave vendase dukej i pashmangshëm.
Faqe 708. …… Në të njëjtën kohë, Janar 1944, organet qeveritare të sapongritura në Shqipëri u shpërndanë. Pjesëtarët e besueshëm të batalioneve gjuajtës që u shpërndanë u rigrupuan në Divizionin SS shqiptar "Skanderbeg".
Faqe 720. Komanda juglindore duke vënë në dukje kërcënimin ndaj hekurudhës në Maqedoni, gjendjen e rëndë të transportit dhe mungesën e qymyrit për shkak të sabotazhit, kërkoi në mënyrë të përsëritur një vendim në lidhje me Greqinë derisa më 03.10.1944 mori urdhërin për t'u tërhequr nga Greqia, Shqipëria e jugut dhe Maqedonia e jugut. …… Më 16.10.1944 u tërhoqën nga [qytetet greke] Teba dhe Itea, njëkohësisht filloi tërheqja edhe nga ishulli Lemnos. Më 21.10.1944 prapavija gjermane ndodhej në linjën Larisë-Qafë e Metsovonit; më 23.10.1944 u krijua një linjë bllokuese në të dy anët e Korçës. Dy ditë më parë u tërhoqën nga Volosi, porti i fundit i rëndësishëm në jug të Selanikut. Më 25.10.1944 fronti kalonte në liqenet e Shqipërisë jugore.
Faqe 721. Në Shqipëri vazhdonte të mbahej linja Durrës-Elbasan. Në natën nga data 1 në 2 Nëntor 1944, prapavija e Grup-Armatës E kalon kufirin greko-maqedonas pa ndonjë trysni armike të rëndësishme. Dalja nga Greqia kishte përfunduar.
Faqe 723. Më rëniën e qytetit të Njishit, Grup-Armata E humbi lidhjen hekurudhore. Por ofensiva ruse në Serbinë jugore dhe e bullgarëve në jug dhe jugperëndim të Njishit po kërcënonte edhe rrugën e fundit të rëndësishme të marshimit nga Shkupi nëpër Mitrovicë, Kraljevo, Uzice për të arritur në Sarajevë. Kalimi nëpër malësinë e Shqipërisë lindore dhe në lindje të Malit të Zi do të ishte fundi i një tërheqje të bashkuar për Grup-Armatën E.
Faqe 724. … Në të njëjtën kohë bullgarët lëshuan një ofensivë në shkallë të gjërë kundër Shkupit dhe kështu rreziku i coptimit për Grup-Armatën E u rrit. ….. Divizioni 11 Trupave Ajrore u tërhoq në veri dhe lindje të Prishtinës dhe krijoi një front të harkuar. ….. Betejat më 02.11.1944 dhe përparimi i tre Divizioneve bullgare dhe një brigade tankiste në veri të Podujevës shkaktuan çarjeen e frontit në Qafën e Mërdarës dhe kërcënimin e nyjes rrugore në Prishtinë. …. ….. Një tërheqje e planifikuar nga Maqedonia u hartua. Më 06.11.1944 Strumica u lirua; më 07.11.1944 praparoja e Korparmatës XX ishtë në Shtip. Më 11.11.1944 u braktis Veleshi dhe në natën e datave 13/14.11.1944 u lirua Shkupi. Në Prishtinë, po zhvillohen beteja të ashpra me bullgarët.
Faqe 725. Në tërheqjen e Grup-Armatës E, tërheqja e Korparmatës XXI (Divizionet 181, 297 Këmbësore, Brigadat e Fortesave, etj.) nga Shqipëria zë një vend të veçantë. Tërheqja ishte planifikuar fillimisht të kalonte nga Nikshiçi [në Mal të Zi] dhe Trebinja [në Bosnien jugore] për të arritur në Mostar, gjë që u bë e pamundur mbasi armiku zuri daljen në Adriatik të lumit Narenta. Kështuqë trupave iu pre rruga e tërheqjes dhe do iu duhej të provonin të çanin nëpër një malësi në drejtimin verilindor të zotëruar nga forcat e Titos.
Mbas largimit nga Tirana më 17.11.1944, u mblodh një njësi ushtarake në Podgoricë për të sulmuar Nikshiçin, sulm i cili dështoi. Më 22.11.1944 krye-komandanti i trupave të juglindjes shkoi vetë me avion në Shqipëri për të vlerësuar mundësinë e një çarje të frontit për këtë njësi ushtarake. U vendos që njësia të kthehej nga Podgorica në Prijepolje nëpërmjet Kolashinit dhe Bjelopoljes dhe atje të bashkohej me trupat që tërhiqeshin nga Maqedonia.
Më 29.11.1944 u larguan nga Shkodra prapavijat e kësaj trupe, por u mbajtën edhe për ca kohë pozicionet më në veri. Divizioni 181 Këmbësor ishte larguar nga Kotorri më 21.11.1944. Marshimi vazhdonte i shoqëruar me luftime të ashpra me forcat e Titos dhe vështirësohej edhe më shumë nga reshjet e deborës dhe një përmbytje të madhe që ndodhi më 11.12.1944 prej së cilës u prishën të gjitha urat e rëndësishme.
Faqe 821. ….. Trupat gjermane largohen më 12.10.1944 nga Vlona, nga Selaniku më 31.10.1944. Prapavijat kalojnë kufirin greko-maqedonas më 1-2.11.1944. Por në Shqipëri u krijua një front i ri në linjën Durrës –Elbasan.
Faqe 822. Për të mbrojtur luginën e lumit Ibër [në Kosovën veriore – shën. red.] prej bullgarëve që po afroheshin nga jugu nëpër malësinë e Kopanikut, Grup-Armata E grumbulloi forca kombëtare shqiptare të cilat nën udhëheqjen gjermane bëjnë një luftë shembullore.
….. Nga Tetori në mes të Nëndorit 1944, armiku përparon me humbje të jashtëzakonshme në njerëz kundrejt tërheqjes tonë duke u mbrojtur. Një situatë e veçantë u krijua më 02.11.1944 dhe në ditët më pas kur tre Divizione armike dhe një Brigadë tankiste sulmojnë në veri të Podujevës dhe çajnë në Qafën e Mërdarës. Nyja e rëndësishme rrugore e Prishtinës u rrezikua mjaft. Megjithatë, duke përdorur rezervat e fundit, u bë e mundur brenda mbrëmjes të së njëjstës ditë me e ndalur përparimin dhe sulmet e tjera të armikut.
Faqe 822-823. Vendimet e komandës së lartë juglindore për tërheqjen e Grup-Armatës E janë në kohën kur Armata II Tankiste po sulmon në Drin dhe Srem. Praparoja u tërhoq nga Maqdonia e jugut; Veleshi u braktis më 11.11.1944, Shkupi në natën e datave 13/14.11.1944, bullgarët risulmojnë furishëm në veri të Prishtinës më 20.11.1944.
Faqe 823. ….. Tërheqja e trupave gjermane për në veri u vonua me të paktën 10 ditë për shkak të veprimeve të shumta banditeske në zonën e Tiranës. Prandaj trupat gjermane u larguan më 17.11.1944 prej Tiranës. Më 20.11.1944 mblidhet në Podgoricë një trupë e cila është mjaft e fuqishme që mund të guxojë të sulmojë Nikshiçin. Por ky sulm dështon dhe tregon se edhe duke sjellë pjesë të tjera të Korparmatës XXI do të jetë shumë e vështirë për të çarë frontin aty.
Faqe 824. Çarja e frontit prej Korparmatës XXI duket shumë e vështirë. Mbas një sulmi të fuqishëm merret ura në Bioçe [verilindje, sipër Podgoricës] më 28.11.1944, e cila edhe duhet riparuar në kushte shumë të vështira nën goditjen e avionëve armiq në mënyrë që të mundësohet largimi i shumicës së trupave prej Shqipërisë. Largimi nga Shkodra mundësohet vetëm më 30.11.1944. Më tej duhet luftuar për çdo kilometër jo vetëm kundër armikut të pabesë por edhe kundër fuqive natyrore. Më 12.12.1944 ndodh një përmbytje e madhe e cila shkatërron gjithë urat e sapo rindërtuara dhe vonon kështu proçesin e tërheqjes. Anglezët të cilët bashkëpunonin me bandat, e shfrytëzojnë këtë rast për ndjekjen e trupave përgjatë rrugës së tërheqjes duke mundur t'u shkaktojnë dëme të ndjeshme sidomos në makina kolonave të marshimit, pasi ato ishin në pritje dhe në terren të hapur.
Lufta e armikut për të penguar shfrytëzimin e pasurive minerale dhe lëndëve të tjera të para
Faqe 936. …… 5. Një metal tjetër i nevojitur ishte kromi. Kërkesat në rritje për të mundën të plotësoheshin gjithnjë e më mirë pasi ushtria gjermane pushtoi Ballkanin. Sepse në atë mënyrë u krijua mundësia e shfrytëzimit të minierave në Greqi, Bullgari, Serbi dhe mbas kapitullimit të Italisë edhe në Shqipëri.
Librat e Situatës (01.01.1945 – 20.04.1945)
Faqe 1013 – 14.01.1945. Gjendja e armikut në Kroaci: Njësitë shqiptare mbetën mbrapa. Kundërshtari po përpiqet të dërgojë njësi serbe në drejtim të verilindjes në zonën në jug të Syrmies duke anashkaluar Sllavoninë [në Kroaci].
Faqe 1184 – 19.03.1945. Politikë: Një i dërguar anglez ka arritur në Shqipëri dhe anglezët i kanë kërkuar Titos të tërheqë trupat e tij.
Shënime të Gjeneralit Alfred Jodl në burgun e Nurembergut në lidhje me ndikimin e Hitlerit në mënyrën e zhvillimit të luftës
Faqe 1719. …… Tanket angleze i shtynë trupat italiane të gjeneral Rodolfo Grazianit deri në kufijtë e Cyrenaices [rajoni lindor i Libisë] dhe në vend që Italia të arrinte një fitore të shpejtë në Greqi po rrezikonte dhe humbjen e Shqipërisë. Në atë situatë në Romë ndjenja e humbjes doli mbi krenarinë dhe thirrjet për ndihmë arritën deri në Berlin. Në atë situatë Hitleri vendosi: Në kushtet e luftës moderne ajrore, lufta duhej mbajtur sa më larg kufinjve të Gjermanisë. Me Greqinë ai nuk donte përplasje, prandaj dhe nuk pranoi të ndihmonte Italinë në Shqipëri.