Ditë të zakonshme
Mbas pritshmërive që qeveria e re Rama krijoi mbas fitores së koalicionit PS-LSI, ditë mbas dite po mbushen 2 vjet. Dy vite të vështira me përplasje të forta verbale me një Opozitë të acaruar dhe luftarake. Dy vite të cilat kanë më të famshëm ministrin e Brendshëm zhurmëmadh Saimir Tahiri, sesa ministrat e paqes dhe të parave.
Sepse paqja dhe paraja këto dy vite nuk parashutuan dot në Shqipëri dhe ky është vërtet një hall i madh për qeverinë Rama1. Por mbi të gjitha është një hall për rrogëtarët dhe ne shtresat punëtore.
Në këto dy vite u provuan dhe u sprovuan drejtorë dhe drejtoresha, skifterë të rinj dhe pëllumbesha, të sapodalë nga veza. Teoria e 30-vjeçarëve energjikë, sypatrembur, teknologjikë dhe pa bark dhe mbipeshë, duket se mbas shkëlqimit fillestar trendy, ka lënë shumë mosrealizime në fushën e betejës dhe jo pak zhgënjime. A thua kjo gjë të ketë tronditur tezat se të rinjtë, vetëm për arsye moshe dhe në përputhje me rekomandimet e duhura, janë çelësi i një Epoke të Re?
Çështja qëndron se shumica e të emëruarve të pasuksesshëm, në drejtori nevralgjike dhe ku kalon para e madhe dhe koncesione të mëdha, janë të katapultuar, duke rrëfyer një besim shumë më të madh sesa aftësitë e tyre reale. Por njëkohësisht, kjo kategori i përket një gjenerate, pa iluzione romantike, të cilët si të thuash, më përpara bëjnë seks, e më pas ndoshta bien në dashuri.
Përpara se sa “të bëjnë Shqipërinë”, si edhe thuhej dikur, kjo gjeneratë kozmopolite, e shëtitur dhe e dalë, e lëngëzuar kushedi sa e sa herë përtej vitrinave të objekteve të pamundura të luksit, në eksperiencat perëndimore, kjo gjeneratë pra, është direkte dhe pa komplekse.
Së pari, simbas shumë shembujve, ata zbrazin të uritur vitrinat e luksit të ëndërruar, që befas bëhen të kapshme, sistemojnë pasurisht bilancet e tyre financiare, raportojnë tek rekomanduesit që i katapultuan, dhe më pas në bilancet e mosrealizuara, ia çojnë faturën Kryeministrit dhe kuptohet, fill më pas taksapaguesit. Por ky ves dhe ky stil është një gjë e zakonshme në Shqipëri. Vetëm eleganca dhe klasi i modës ka ndryshuar, për më mirë. Duke rritur kësisoj volumin e xhiros së parukerive të shtrenjta apo qendrave të trajtimeve kozmetike, që janë shtuar në përpjesëtim të drejtë me lypësit e dëshpëruar.
Dhe kjo është e trishtueshme. Por e zakonshme në këtë vend.
Duket se Platforma e Reformave të Edi Ramës është ende një projekt dhe rraskapitja e Kryeministrit, që thuhet se del në orën 6:30 të mëngjesit në zyrë, ka prodhuar deri tash më shumë fara sesa frute. Sigurisht, Rama ka edhe dy vite të tjera punë që këto fara të mbijnë dhe mundësisht të hedhin shtat. Dhe kjo jo thjesht për të realizuar ai, kryeministri, bilancin e vet përpara zgjedhësve, porse për të pasur mundësisht një hap real përpara të shqiptarëve.
Atyre më të vuajturve në radhë të parë.
Mirëpo tani po trokasin zgjedhjet dhe politikanët në këtë rast ngrenë tonet, në mënyrë të pazakonshme, sepse fushatat zgjedhore dihet janë të ngjashme me Panairet e Gënjeshtrave, ku shitësit e mallit ulërasin në kupë të qiellit që plaçka e tyre është më e mira dhe më e lira.
E në këtë zhurmë shitësish dhe në atë gumëzhimë blerësish, si në një ditë të zakonshme tregu, jetojmë ditët tona të zakonshme, me pritshmëri mediokre dhe me një retorikë që frymëzon gjithmonë e më pak dhe pushon së qeni shpresëdhënëse.
Dhe kjo nuk zgjidhet nëse kryeministri e fillon ditën e punës edhe në 4:30.
Duhet fituar Beteja me Frymën, që thirret ndryshe një Dashuri e Re për Atdheun e Vjetër.
Dhe kjo nuk ka lidhje me moshën. E aq më pak ka lidhje me markat e kostumeve, lëkurën e çantave apo shtrenjtësinë shumëmilionëshe të orës së dorës.