Djuriç: Faji ishte i Serbisë, huliganët pushtuan fushën

Ai është kritikuar rëndë nga homologë, apo drejtues të tjerë të futbollit serb, por ka qenë i vendosur dhe madje është nga të paktë drejtues të futbollit serb që ka dënuar dhunë, duke thënë se Serbia ka humbur shumë pikë nga huliganizmi, jo vetëm në këtë ndeshje, prej shfaqjes së tyre të shëmtuar nëpër stadiume. Presidenti i Partizanit të Beogradit, Dragan Djuriç, i njohur si një nga kundërshtarët më të fortë kreut të qeverisë së futbollit serb, Karaxhiç, por edhe për rivalitetin që ka me ekipin tjetër Zervena Zvezda, që mbështetet nga pjesa më e madhe e huliganëve që pushtuan fushën më 14 tetor, gjeti rastin dhe sulmoi autoritetet e sigurisë për lejimin e tyre në stadium, por edhe për injorimin e paralajmërimeve për dhunë gjatë ndeshjes së nxehtë me Shqipërinë. Partizani i Beogradit luajti pak ditë më parë me ekipin turk të Beshiktash, humbi 4-0, por nuk pati asnjë incident. Për këtë arsye, mbi ndeshjen me Shqipërinë ai ndryshe nga të tjerët dhe Mishel Platini, nuk fajësoi dronin që mbetet edhe sot e kësaj dite pa autor, por bëri me faj autoritete vendase për incidentet që çuan në ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, koret raciste, injorimin dhe vërshëllim e himnit kombëtar shqiptar. Djuriç shprehet se organizatorët e kësaj ndeshjeje nuk parandaluan dot hyrjen në fushë të disa huliganëve, të cilët shkaktuan edhe trazira, që bënë xhiron e botës dhe lanë imazh të keq për Beogradin. Njëkohësisht, kreu i klubit të Partizanit të Beogradit, kryeqytetit serb, komentoi edhe vendimin e UEFA-s, që i dha 3 pikët në tavolinë kombëtares serbe. – “Ky është një vendim jashtëzakonisht i njëanshëm nga UEFA, por autoritetet shtetërore duhet të kuptojnë se përse është arritur në këtë konkluzion. Autoritetet serbe duhet t’i thonë publikut serb, se pse u lejuan ata 100 tifozë të dehur të bënin ç’të donin dhe të prishnin ndeshjen? Pse u lejua një ultras, i cili doli edhe në stadiumin e Xhenovës dhe u shfaq në fushë ndaj Shqipërisë? Mos vallë donit edhe një “Heysel” serb? (fjala është për tragjedinë e ndodhur në stadiumin belg, më 29 maj 1985, gjatë ndeshjes mes Juves dhe Liverpulit, ku u vranë 39 tifozë dhe u plagosën rreth 600 të tjerë)? Dikush donte që të ndodhte gjakderdhje, siç donin ata në Xhenova. Dhe krijuesit janë të njëjtët”,  pohoi Djuriç për mediat serbe, duke pasur parasysh djegien e flamurit shqiptar nga huligani Ivan Bogdanov, i njëjti person që u shfaq në fushë me huliganë të tjerë, në përballjen me kuqezinjtë më 14 tetor. 

SHKARKO APP