“Do merren masa ligjore”, Rama për përmbytjet: Përgjegjës edhe qytetarët që hedhin shishe e qese plastike në rrugë
Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë podkastit ‘Flasim’, duke folur për përmbytjet që kanë përfshirë vendin, deklaroi se do të merren masa ligjore ndaj personave që hedhin plehrat jo në zonat e caktuara.
Sipas Ramës, përveç kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, përgjegjësinë e ka edhe qytetari. Hedhja e mbeturinave në kanalet kulluese ka një ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e përmbytjeve. Ai theksoi se, përveç reshjeve të dendura, ndryshimit klimatik dhe masës së reshjeve, faktori njerëzor ka peshën e vet. “Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq,” tha ai, duke theksuar nevojën për të bërë këto situata më të kontrollueshme dhe për të vazhduar investimet në sistemin mbrojtës të vendit.
Rama u ndal edhe te mbeturinat plastike që përfundojnë në lumenj dhe rrugë, duke i quajtur ato “të frikshme, të neveritshme dhe kriminale”. Ai kritikoi sjelljet e qytetarëve që hedhin plastikë kudo, duke përdhosur jo vetëm natyrën, por edhe identitetin kombëtar dhe historinë e Shqipërisë. “Hedhja e shisheve dhe qeseve plastike është diçka që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë sonë dhe fytyrën e secilit prej nesh si qytetarë të Europës,” tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se qeveria nuk do të dorëzohet dhe do të ndërmarrë masa të reja, duke përfshirë sensibilizim, informim dhe ndëshkim, për të parandaluar sjelljet e tilla. “Çdo shishe plastike e hedhur në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon: KRIM,” përfundoi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

