Doganat i kthehen rënies pikiatë

Pas një rritje sistematike në gjashtë muajt e parë të vitit 2016, të ardhurat nga doganat po rishfaqin pasiguri. Në shtator rënia ishte e thellë me 3.3 për qind më pak se në shtatorin e vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave shihet se të ardhurat e shatorit ishin 411 milionë lekë më të ulta se të një viti më parë. Edhe pas rishikimit të planit mosrealizimin më të lartë e kanë pasur të ardhurat nga renta minerare me 29% më pak se një vit më parë. Por dy muajt e fundit vështirësitë kanë qenë të pranishme edhe në arkëtimin e akcizës dhe të TVSH-së.

Në muajin gusht të ardhurat nga akciza ishin 10.2% më të ulta se gushti i vitit të kaluar, duke ndjekur të njëjtin trend edhe për muajin shtator ku të ardhurat nga ky zë pësuan një rënie vjetore me -4.6%.

Sipas të dhënave shihet së rënia e të ardhurave doganore në shtator ka ndodhur për shkak të importeve më të ulta të karburanteve. Importi i karburanteve shënoi një rënie vjetore me 19 për qind në shtator dhe importi i cigareve ra me 10 për qind në krahasim me një muaj më parë.

Pavarësisht se dy muajt e fundit përformanca doganore është përkeqësuar bilanci i 9-mujorit është pozitiv. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 31 miliard lekë dhe 4.9% më shumë se 9 mujori i vitit 2015.

Sasia e cigares së importuar është rritur me 314 ton ose 16.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 duke arkëtuar 2.4 miliard lekë më shumë. Sipas ministrisë së Financave, arsyet e performancës pozitive përveç përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit, lidhen edhe me situatën e normalizuar të fluksit të importeve të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret.

Për zërin “Karburant import + prodhim vendi”, edhe pse sasia e karburantit është rritur me 0.4% ose 1,571 ton, efekti i rënies së çmimit të karburanteve ka sjellë për pasojë rënien e të ardhurave nga akciza për karburantet me rreth 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

 

SHKARKO APP