Dosja “Partizani”, GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës: Aktet hetimore të SPAK janë të vlefshme

Në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”, me të pandehur ish kryeministri Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjera, GJKKO ka rrëzuar kërkesat e paraqitura nga avokatët e të pandehurve, të cilët pretendonin pavlefshmëri absolute të disa akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme.

Në seancën e sotme, GJKKO arsyetoi se kërkesat e mbrojtjes ishin të pabazuara në ligj dhe në prova, duke theksuar se vendimet e marra gjatë hetimeve paraprake nga gjyqtarja Irena Gjoka ishin në përputhje me procedurat ligjore.

Gjykata vlerësoi se pretendimet për tejkalim të kompetencave nga ana e SPAK nuk gjejnë mbështetje në ligj apo në provat e paraqitura. Po ashtu, GJKKO kujtoi se të gjitha masat e sigurimit personal dhe pasuror janë shqyrtuar më parë në të gjitha shkallët e drejtësisë, deri edhe në Gjykatën Kushtetuese, çka përjashton mundësinë e pavlefshmërisë absolute të tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në lidhje me pretendimet e mbrojtjes se disa ekspertë nuk ishin të licencuar ose ndodheshin në konflikt interesi, GJKKO konstatoi se këto raste nuk sjellin pavlefshmëri të akteve hetimore.
Sipas vendimit të gjykatës, ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë kryer detyrat e tyre bazuar në ligj, ndërsa argumentet e paraqitura nga pala mbrojtëse u cilësuan si “deklarative”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në qëndrimin e saj, GJKKO rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike si të kryera në kundërshtim me ligjin.
Sipas gjykatës, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e përfituara nga shoqëria “Homeplan” janë të ligjshme, por të dhënat e marra nga pajisjet që më pas iu kthyen të pandehurve nuk mund të përdoren si prova.

GJKKO konstatoi gjithashtu se nuk ka pasur shkelje të afateve ligjore për kryerjen e ekspertimeve, si dhe nuk u gjetën prova që ekspertët të kenë qenë të ndikuar apo të paanshëm gjatë veprimeve hetimore.

Në përfundim, gjykata vlerësoi se disa nga pretendimet e mbrojtjes nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor në vijim të procesit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?