Dostojevski dhe gjenialiteti i tij
Nga Nikolla Sudar*
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski jetoi e krijoi në Rusi në shekullin XIX, kur si Perëndimi ashtu si edhe Lindja u përfshinë në valën e madhe të trazirave, të cilat sollën ndryshime të thella. Në këtë kohë kapitalizmi po bënte hapat e veta të para e të sigurta në Rusi, por që akoma pengohej nga regjimi autokratik carist. I lindur më 30 tetor të vitit 1821, në një mjedis despotik që mbretëronte në familje, si edhe në sfondin e zymtë të Rusisë bujkrobe, djaloshi shumë shpejt do të ndeshej me kuptimin praktik të dhunës. E ëma, Masha, grua tepër e dashur, e dhembshur, e gjallë dhe me kulturë do të torturohej tërë jetën e saj të shkurtër nga xhelozia e pafre e të shoqit, nga akuzat e tij të pabaza për tradhti bashkëshortore. Njeri jashtë mase i ndjeshëm, i ndrojtur e i mbyllur në vetvete, Dostojevski trashëgoi nga e ëma zgjuarsinë natyrale, etjen e pashuar për lexim dhe aftësinë e rrallë për të analizuar ngjarje dhe fakte. Gjendja e rëndë që përjetonte populli rus në qytet dhe në fshat e shqetësonte pa masë shkrimtarin e madh, i cili kishte aq shumë besim në virtytet e larta njerëzore. Dostojevski ishte kundër dhunës dhe terrorit; kjo bindje përshkon tërë veprat e tij si dhe marrëdhëniet private e shoqërore.
Shkrimtari gjenial gjithë jetën e vet qe i prirur pas së resë, të cilën e stimulonte me të gjitha mënyrat. Kjo qe arsyeja që në moshën e rinisë të afrohet me grupin e famshëm të Petrashevskit, ndonëse nuk pajtohet me idenë e tij të përdorimit të dhunës. Zbulimi i grupit nga autoritetet cariste e vë shkrimtarin para sprovës më të rëndë në jetën e tij, të cilën e përballon me dinjitet. Asgjë nuk mundi ta thyente këtë idealist fisnik, madje, as maskarada e shëmtuar e organizuar nga vetë Cari, i cili, për të poshtëruar grupin provokoi “ekzekutimin farsë publik të kriminelëve më të rrezikshëm të shtetit”, në mesin e të cilëve bënte pjesë edhe Dostojevski. I dënuar përfundimisht me punë të detyruar në “ferrin njerëzor”, siç quhej atëherë Siberia, pas disa vitesh, me forcën e vet danteske ai do të përsëriste llahtarën e përjetuar në burgun e tmerrshëm carist, por tashmë nëpërmjet veprës së tij monumentale “Shtëpia e të vdekurve”. Me një aftësi të jashtëzakonshme profesionale, vite me radhë në kushtet e një censure satanike, ai do të drejtonte dy nga organet më në zë në Rusi, në fillim revistën “Koha” dhe më pas atë, “Epoka”, ku do të botonte edhe mjaft nga veprat e tij. Me kalimin e viteve fiziku i dobët, peripecitë e rënda, fatkeqësitë e shumta, që e shoqëruan gjatë gjithë jetës, ia dobësuan shëndetin, duke i shkaktuar sëmundjen e rëndë të tuberkulozit, e cila në moshën 60-vjeçare do t’i shkaktonte vdekjen.
Tiparet themelore të këtij biri të madh të popullit rus mbetën: dashuria e thellë dhe e pamatë për popullin e tij, të cilin donte ta shihte të lirë e të lumtur si edhe dashuria për jetën. Afër pleqërisë ai do të shkruante: “Unë e dua nxehtësisht jetën, e dua për ta jetuar atë… Së shpejti mbush pesëdhjetë vjet, por në asnjë mënyrë nuk mundem ta kuptoj, nëse po e përfundoj, apo sapo e kam filluar. Ja tipari kryesor i karakterit tim, ndofta, edhe i veprimtarisë sime”. Vepra e parë madhore e shkrimarit që vulosi gjenialitetin e tij qe “Njerëz të varfër”, i pari roman social rus, që na jep një tablo të qartë e tronditëse të jetës së rëndë e pa rrugëdalje të shtresave më të ulta të Petërburgut, ku sundojnë shfrytëzimi i egër, varfëria e tejskajshme, makutëria dhe të gjitha veset e tjera antinjerëzore. Në vitin 1861 botën letrare të Petërburgut e tronditi dalja e romanit tjetër të madh të Dostojevskit, “Të fyer e të poshtëruar”, të cilin Dobroljubovi e quajti “ngjarja më e madhe letrare e vitit në Rusi”. Në krijimet e famshme të shkrimtarit hyn romani “Krim e ndëshkim”, ku për herë të parë në letërsinë ruse analizohet tema e kapitalit, çështja e parave me tërë rrethanat karakteristike të Petërburgut. Ky qe një rikthim në romanin social dhe u ndërtua si një monolog i brendshëm i heroit. Por vepra më lirike e këtij gjeniu do të ishte romani i mekullueshëm “Idioti”, që do të plotësonte akoma më mirë biografinë krijuese të Dostojevskit si shkrimtar dhe psikolog i rangut më të lartë. Në romanin “Djajtë” shkrimtari përpiqet të na japë Rusinë e përfshirë nga veprimet terroriste të përkrahësve të kryeterroristit botëror Bakunin, të cilët me anën e dhunës përpiqeshin të realizonin triumfin e ideve socialiste. Këtu Dostojevski synon të demaskojë idetë dhe dhunën e propaganduar e të zbatuar prej tyre në Rusi e jashtë saj. Por vepra kulmore e gjeniut rus mbetet “Vëllezërit Karamazov”. Në të janë mishëruar përpjekjet e pareshtura të ballafaqimeve politike dhe shtypja e egër që sundonte në Rus. Në roman figurat shtjellohen me tërë kompleksitetin e tyre. Tipari dallues i veprës është tensioni i lartë qe e përshkon atë, ku me përshkrimin e skajshëm të ngjarjeve e të personazheve, gjithçka jepet në kufijtë ekstremë. Në trashëgiminë e shquar të këtij krijuesi botëror hyjnë edhe romanet “Net të bardha”, “Kumarxhiu dhe “I mituri”. Por me vlerë të jashtëzakonshme janë edhe mjaft krijime “të vogla”: novelat “E urta”, “Ëndrra e xhaxhait” si dhe shkrime me vlerë të madhe publicistike.
Votimi i veprave të plota në 12 vëllime i këtij gjigandi të letërsisë botërore, përbën një hap shumë të madh për shtëpinë botuese “UEGEN”. Të përkthyera në mënyrë të përsosur nga “Mjeshtri i madh i punës”, Prof. Jorgji Doksani, ato janë një dhuratë me shumë vlerë për lexuesin shqiptar për të njohur në mënyrë të gjithanshme këtë kollos, para të cilit përulet me respekt të thellë e tërë bota e qytetëruar. I pavdekshmi Stefan Cvejg, i cili e adhuronte krijuesin gjenial rus, ndër të tjera ka thënë: “…Për mua në krye të letërsisë botërore vendin e nderit e zë Dostojevksi dhe… diku pranë tij, Shekspiri”.
*Përkthyes dhe historian.